Intervista
Kurti kërkoi proces integrimi të ndarë nga dialogu, BE: Rruga evropiane e Kosovës varet nga normalizim i marrëdhënieve me Serbinë
Demokracia
13:52 | 25 Janar 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi më parë që procesi i integrimit të Kosovës drejt Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Pas kërkesës së Kurtit ka reaguar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka bërë të ditur se procesi integrues i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me procesin e dialogut.

“Politika e BE-së ka qenë e qartë me vite. Rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë, lëvizë nëpërmjet dialogut të normalizimit. Pa normalizim nuk ka aderim në BE. Nga parimet themelore të aderimit në BE, jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por të gjithë, për vendet që janë anëtare tash, për Kroacinë dhe Slloveninë më parë, për Hungarinë dhe Sllovakinë më parë, parimi themelor është pajtimi, marrëdhëniet e mira fqinjësore, dhe zgjidhja e të gjitha problemeve nga e kaluara, që mos t’i sjellim në BE”, ka thënë Stano për Tëvë 1.

Ai thotë se BE është zhgënjyer me Kosovën që ka dështuar të dorëzoi një draft për asociacionin, prandaj ai është përgatitur nga BE. Por sipas tij, asociacioni nuk nënkupton asnjë formë autonomie për pjesën veriore të Kosovës.

“E kemi thënë për shumë kohë është që Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ligjor i Kosovës, obligim të cilin vet Kosova e ka pranuar. Bashkimi Evropian bashkë me SHBA-të, thonë që ky është prioritet dhe duhet të realizohet sipas obligimit që ka Kosova. Statuti, drafti i fundit, është bërë nga Bashkimi Evropian, pas dështimit të Kosovës të sjellë draftin, të kryejë obligimin nga ana e tyre. Përkundër thirrjeve të shumta nga BE-ja dhe SHBA-ja, në nivelin më të lartë. Drafti është përgatitur nga ne, duke respektuar vijat e kuqe të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve më të njohur ligjorë ndërkombëtarë, duke marrë parasysh modelet më efektive të asociacioneve të ngjashme brenda BE-së. Janë mbi 20 modele në BE që funksionojnë pa krijuar frikë për autonomi, a ndarje”, ka tha ai.

Stano ka folur edhe për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat sipas BE-së do mbesin në fuqi për shkak se Kosova nuk ka përmbushur të gjitha kërkesat.

“Masat nuk janë shpikur ashtu. Masat kanë qenë reagim nga BE-ja dhe 27 vendet anëtare të saj ndaj një numri të hapave kundër-produktivë nga pala kosovare që shpien deri te një përshkallëzim serioz i situatës. BE-ja ka bërë kërkesa specifike ndaj Kosovës për depërshkallëzim. Dhe ata hapa, ato veprime kanë qenë shumë të qarta dhe shumë herë të përsëritura për palën kosovare. Këto masa që janë vendosur në mungesë të progresit, apo depërshkallëzimit. Ato mund të largohen, të hiqen në çdo moment kur vendet anëtare dhe Bashkimi Evropian thonë ‘po, mjaft është bërë’. Por fatkeqësisht nuk është bërë gjithçka, nuk është bërë mjaft. Ka pasur disa gjëra e veprime të bëra, por Kosova duhet të përmbushë në tërësi ato kërkesa”, shprehet Santo.

Të ngjashme