Lajme
Dështimi i Kurtit në dialog | Si u tërhoq nga njohja ndërshtetërore dhe si po mashtron me njohjen de-facto?
Demokracia
10:18 | 11 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka humbur nga tavolina e negociatave me Serbinë rezultatin kryesor të dialogut: njohjen ndërshtetërore.

Dialogu me Serbinë, duke mos pasur një rezultat përfundimtar, pasi marrëveshja nuk është përfundimtare, nuk dihet se kur do të përfundojë, shkruan Demokracia.com.

Që nga koha kur Kurti u bë kryeministër për herë të parë (2020, 3 shkurt – 25 mars) dhe për herë të dytë (2021, 23 mars 2021 – aktualisht) dhe deri së voni, ‘njohja reciproke në qendër’ është përsëritur nga ai në dhjetëra deklarime publike.

Demokracia.com sjellë në vazhdim një listë të disa prej deklaratave të kryeministrit Kurti, ku ai këmbëngulte se rezultati final i dialogut me Serbinë duhet të jetë ‘njohja reciproke në qendër’, por që tani po mjaftohet me vetëm me ‘njohje de-facto’, anipse njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e kanë këshilluar publikisht se në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksin e zbatimit të saj (Ohër, 18 mars 2023) nuk ka njohje të tillë.

Në këtë drejtim, më i zëshëmi është ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani. Sipas tij, me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit hiqet dorë nga çdo njohje, rihapet statusi i Kosovës kundrejt Serbisë dhe u njihet autonomia substanciale serbëve në Kosovë.

Enver Hasani për Marrëveshjen e Kurtit në Bruksel e Ohër: Heq dorë nga çdo njohje, rihapet statusi i Kosovës kundrejt Serbisë dhe u njeh autonomi substanciale serbëve

KËRKESA GATI TREVJEÇARE E KURTIT PËR ‘NJOHJEN RECIPROKE’

3 shkurt 2020

Në ditën kur u bë Kryeministër i Kosovës, për herë të parë, Kurti në fjalimin e tij në Kuvend nuk e përmendi emrin e Serbisë. Por, një pjesë të fjalimit të tij, ia kushtoi edhe dialogut me të.

“Atyre që njohin dhe respektojnë vendin tonë, ne u themi se do të fuqizojmë bashkëpunimin e partneritetin. Atyre që hezitojnë të na njohin, ne u themi se do të punojmë që të fitojmë njohjen dhe respektin tuaj. Atyre që mohojnë të drejtën tonë dhe që synojnë të na pushtojnë nga jashtë e të na ndajnë përbrenda, unë u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe koha kur interesat e personave ishin mbi interesat e shtetit, ka mbaruar. Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Kjo është premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje”, deklaronte Kurti, i cili bashkëqeverisi me LDK-në për gati 50 ditë.

5 shtator 2020

Ish-kryeministri Kurti kishte kritikuar ashpër marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes kryeministrit të Kosovës, Avduallh Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Një nga arsyet e kësaj kritike kishte të bënte me mungesën e njohjes reciproke në këtë marrëveshje, shkruan Demokracia.com.

“Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre. Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja, e hoqi. Pra, askund s’ka njohje reciproke të premtuar. Përkundrazi, Grenell e pranoi se ka pranuar ta heq atë”, shkruante Kurti më 5 shtator 2020, në një kohë kur po kontestohej legjitimiteti i Qeverisë Hoti, e cila më vonë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, që solli zgjedhje të jashtëzakonshme në Kosovë dhe kthimin e Kurtit në pushtet si kryeministër për herë të dytë.

23 mars 2021

Në fjalimin e tij të parë si kryeministër i zgjedhur për herën e dytë, Kurti kërkonte që Serbia ta njoh realitetin e ri, pra Kosovën si shtet të pavarur.

“Pa njohjen e realitetit të Kosovës së pavarur dhe pranimin e të vërtetës nga ana e Serbisë, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy popujve dhe mes dy shteteve. Prioritet i imi është normalizimi i Kosovës, zhvillimi e demokratizimi i saj, drejtësia për të e tek ajo. Le të normalizohet edhe Serbia duke u ballafaquar me të kaluarën e saj dhe duke u demokratizuar. Ne e kemi shpallur dy herë pavarësinë e Kosovës nga Serbia, më 2 korrik 1990 dhe më 17 shkurt 2008. Është mirë që edhe Serbia ta shpallë pavarësinë e saj nga Kosova e të bashkëpunojmë për BE dhe NATO, në BE dhe në NATO”, deklaronte Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

26 qershor 2021

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Paris, ku u prit nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri Kurti kiste dhënë një intervistë për gazetën më të madhe franceze “Le Monde”, pas takimit të parë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në këtë intervistë, Kurti kishte shtruar edhe çështjen e njohjes reciproke.

“Ky është takimi i parë për një dialog të ardhshëm. Nuk ishte i lehtë, por ishte konstruktiv. Unë insistova në faktin se asgjë nuk duhet të fshihet nën qilim, që do të thotë që çështja e njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohet sinqerisht. Ne të gjithë kemi nevojë për këtë njohje të ndërsjellë”, përgjigjej Kurti në intervistën e publikuar më 26 qershor 2021, shkruan Demokracia.com.

27 qershor 2021

Vetëm një ditë më vonë, nga mbledhja e 44-të e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, kryeministri Kurti ishte deklaruar sërish për çështjen e njohjes nga Serbia. Sipas tij, marrëveshja përfundimtare nuk duhet ta ndajë njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB.

“Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme, për ne marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje që e ka vetëm njohjen nga Serbia dhe nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por s’mund të jetë përfundimtare. Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja dhe bindja jonë, atëherë kur e ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare, sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi traktatet”, deklaronte Kurti nga aktiviteti partiak.

10 nëntor 2021

“Unë e kam vërejtur në takimet rajonale, por edhe me palën serbe se argumentet e tyre janë veç ato që ua kanë dhënë paraardhësit e mi. Ka një ndryshim të madh këtë vit me vitin e kaluar sa i përket qasjes me dialog. Njohja reciproke me Serbinë është në qendër. Nuk vjen njohja në fund të procesit, por është në qendër të marrëveshjes dhe ky është një ndryshim tektonik për Kosovën”.

5 maj 2022

Në një konferencë të përbashkët me ministren gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, kryeministri Kurti ishte i bindur se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të përmbante edhe njohjen në qendër, sa që përveç njohjes, marrëveshja me Serbinë duhet të kishte edhe elemente të tjera.

“Dialogu duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër të tij. Nuk them që njohja duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes, por njohja duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente tjera, por ato elemente nuk kanë kuptim pa njohjen. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 1999 kur u çlirua”, deklaronte Kurti nga Berlini më 5 maj 2023.

15 shtator 2022

‘Njohja reciproke në qendër’ do të duhet të jetë rezultati final i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, kishte kërkuar kryeministri Kurti në një takim me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili kishte ardhur në vizitë të paparalajmëruar në vendin tonë.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

25 nëntor 2022

Mes shumë premtimeve, më 25 nëntor të vitit 2022, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një medium malazez kishte paralajmëruar se njohja reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, do të vinte në pranverën e vitit 2023.

“As marrëdhëniet tona nuk janë normale. Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, kishte thënë Kurti pas arritjes së marrëveshjes për target ilegale serbe që qarkullojnë në Kosovë.

6 janar 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaronte se Kosova nuk ka marrëdhënie normale me fqinjin e saj, Serbinë, si dhe ka nevojë për një marrëveshje me njohjen në qendër që i normalizon këto marrëdhënie.

“Kosova është shtet normal që ka shënuar hapa të mëdhenj në këto dy vitet e fundit. Kemi stabilitet institucional. Fakti që jemi shtet normal s’do të thotë që i kemi marrëdhëniet normale me fqinjin tonë. Ka nevojë për një marrëveshje që i normalizon marrëdhëniet dhe kjo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Unë besoj se kjo është e mundur, sepse besoj në fuqinë e BE-së dhe SHBA-së që të bëjnë trysni shtesë mbi Beogradin. Kanë mjaftueshëm fuqi që të bëjnë trysni në Beograd, që të kemi marrëdhënie normale me një marrëveshje të tillë, e cila do ta bënte përfundimisht njohjen reciproke”, deklaronte Kurti në fillim të vitit 2023.

26 janar 2023

Në fund të janarit të vitit 2023, kryeministri Kurti argumentonte se për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet që marrëveshja të përmbaje njohjen reciproke në qendër e jo Zajednicën apo Asociacionin.

“Mirëpo, për normalizim të marrëdhënieve, që na shpie më afër Bashkimit Evropian, nevojitet njohja reciproke në qendër, jo Asociacioni në qendër, as parakusht, por njohja reciproke në qendër. E ka thënë Joe Biden, e ka thënë kancelari Scholz”, kishte deklaruar Kurti më 26 janar 2023, pas forumit ekonomik Kosovë – Serbi që ishte mbajtur në Prishtinë.

2 shkurt 2023

Në fillim të shkurtit të vitit 2023, kryeministri Kurti u kishte prezantuar deputetëve të Kosovës 6 pikat e tij, me plotësimin e të cilave “do ta konsideronte” pranimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Kushti i pestë: Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke”, deklaronte Kurti më 2 shkurt 2023, shkruan Demokracia.com.

9 shkurt 2023

Gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Kurti kishte pranuar për herë të parë se propozimi i Bashkimit Evropian që njihet si plani franko-gjerman, nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare. Ky plan, në fund të muajit shkurt, ishte bërë Marrëveshje Bazë (27 shkurt 2023).

“Ajo çka i duhet Kosovës është njohja reciproke dhe marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk do të ketë”, kishte deklaruar Kurti.

25 shkurt 2023

Në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti deklaronte se marrëdhëniet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë normale, prandaj duhej “njohje reciproke si thelb dhe reciprocitet si princip”.

“Në raport me Serbinë, kemi marrë pjesë në takimet e bisedimit në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi pritur emisarët specialë sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, konstruktiv, parimor e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra, njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, deklaronte Kurti më 25 shkurt 2023, dy ditë para takimit të Brukselit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

2 maj 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një orë e gjysmë kishte darkuar me presidentin serb. Pas këtij takimi, për herë të parë Kurti po bënte të ditur se nuk kishte përparim për marrëvshje me ‘njohjen në qendër’.

“Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit ishte takimi i tretë me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Lajçak, takim që ishte në përgatitje për takimin javës së ardhme kur më 13 maj, kryenegociatorët tanë takohen në Bruksel. Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo, në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviqi, nuk ka distancim nga Putini dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullt”, deklaronte Kurti.

27 gusht 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me homogolun e tij slloven, Robert Golob, shtronte çështjen e njohjes reciproke si parakusht drejt BE-së.

“Kryeministri mirëpriti thirrjet e Kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për fokusim në zgjerimin e Bashkimit Evropian si dhe mundësitë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nënvizoi respektimin e pakicave dhe njohjen reciproke si parakusht. Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

28 gusht 2023

Njohje de-jure dhe njohje de-facto ishte kërkesa e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në fund të muajit gusht, pas një takimi me emisarin evropian Miroslav Lajçak.

“Diskutuan mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Themelore. Me procesin e rifokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke, de-jure dhe de-facto”, shkruante Kurti më 28 gusht 2023.

29 gusht 2023

Por, një ditë më vonë, në një deklaratë tjetër të kryeministrit Kurti, përmendet sërish njohja de-facto mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ka një ndjenjë urgjence për zbatimin e marrëveshjes dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruara në njohjen reciproke de-facto, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në Brdo të Sllovenisë.

KALIMI I KURTIT TE KËRKESA PËR ‘NJOHJEN DE-FACTO’ NGA SERBIA

Pas arritjes së Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksit të zbatimit të saj (Ohër, 18 mars 2023), e cila nuk përmban askund njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është munduar ta kthejë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje si një njohje de-facto të Kosovës nga Serbia.

Kurta, dalëngadalë, filloi të tërhiqej nga ‘njohja reciproke’, duke u mjaftuar me vetëm ‘njohje de-facto’.

9 shkurt 2023

Marrëveshja Bazë, që në fillim njihej si plani franko-gjerman dhe më pas edhe si plani evropian, përjashton njohjen reciproke dhe këtë e kishte pranuar edhe vetë kryeministri Kurti në Kuvendin e Kosovës gjatë shkurtit të vitit 2023, rreth 3 javë para dakordimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Me këtë rast, Kurti kishte thënë se propozimi franko-gjerman përmbante jo njohjen reciproke, por njohjen ‘de-facto’.

“Republika e Kosovës nuk e njeh Republikën e Serbisë, ne sot kemi mos-njohje reciproke. Ajo çfarë na duhet është njohja reciproke. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Marrëveshja sipas modelit të dy Gjermanive e bën ndarjen e njohës reciproke në ‘de facto’ dhe ‘de juro’. Prandaj, nëse mund të thonim diçka për propozimin e ofruar, aty paragrafët që merren nga modelet e dy Gjermanive janë paragrafë që pikërisht i referohen asaj njohjes ‘de facto’. Në kuadër të preambulës, është edhe trashëgimia e së kaluarës. Duhet ta kuptoni, nuk janë vetëm dy faqe tamam, është një tekst shumë i përgjithshëm dhe i shkurt. Kur thuhet në anglisht “legacy of the past”, do shumë punë sesi duhet adresuar”, deklaronte Kurti më 9 shkurt 2023.

23 mars 2023

Gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës, pas dakordimit në Ohër lidhur me Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë, kryeministri Kurti arsyetohej se ka arritur të sigurojë njohje de-facto të Kosovës nga Serbia.

“Për herë të parë ka një rrugë të qartë për të arritur deri aty, anipse tashmë është e qartë që njohja ‘de facto’ është e qartë. Ajo nuk është pjesë e premtimeve deklarative ose verbale, ajo përcaktohet në nenin gjashtë të kësaj marrëveshje. Nuk ka zyrtar ndërkombëtar që nuk e thotë që normalizmi i plotë nënkupton njohjen reciproke. Unë nuk pres një rrugë të lehtë përpara. Serbia do të bëjë gjithçka që të jetë e mundur, përfshirë injorimin haptaz të marrëveshjes. Rruga jonë drejt anëtarësimit është anëtarësuar, por ajo nuk do të jetë shëtitje në park. Çdo vend do të na kërkojë të bëjë më shumë, sepse Serbia do të lobojë”, deklaronte Kurti më 23 mars 2023.

12 shtator 2023

Kryeministri Kurti vazhdon të mbrojë dështimin e dialogut që po e merr nga Brukseli, duke mos siguruar njohje ndërshtetërore, shkruan Demokracia.com.

“Marrëveshja bazike, e cila e ka njohjen de facto midis Kosovës dhe Serbisë ne qendër është një marrëveshje, e cila duhet të zbatohet menjëherë. Pra, pa vonesa plotësisht dhe pa kushte. Nuk e ka në qendër Asociacionin, e ka njohjen de facto ne qendër, kështu edhe është prezantuar me 9 shtator të vitit të kaluar në këtë zyrën time dhe kështu duhet edhe ta zbatojmë”, deklaronte Kurti më 12 shtator 2023.

3 nëntor 2023

Pas fillimit të fazës (tetor 2023) për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kryeministri Kurti ka raportuar në Kuvendin e Kosovës për dinamikën e re të dialogut me Serbinë. Ai ka deklaruar se marrëveshja e fundit në dialogun Kosovë-Serbi është një hap drejt njohjes de-facto të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, pas dy vjetësh bisedime.

“Pra, kemi arritur vetëm një marrëveshje, e cila sjell njohje de-facto të Kosovës nga Serbia dhe ky është rezultati i dy viteve dialog. Marrëveshja bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të saj më 18 mars në Ohër, në gjashtë rreshtat e Preambulës dhe pesë nenet e para e ka njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia. Pesë nenet e tjera janë përgjithësisht përfituese për dy palët dhe vetëm neni shtatë ndërlidhet me trashëgiminë nga dialogu i dekadës së kaluar”, ka deklaruar Kurti më 3 nëntor 2023.

Në kontekstin e dialogut aktual Kosovë-Serbi, siç ka sqaruar edhe profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, njohja de facto nënkupton vetëm zbatimin e zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër.

“Ajo që trumbetohet si njohje de facto, nuk ka fare mbështetje në ligjin ndërkombëtar. Kjo për faktin se objekt i njohjes de facto në të drejtën ndërkombëtare është pranimi nga ana e shtetit njohës e titullit të vlefshëm juridik për ushtrim të sovranitetit mbi një territor dhe ndaj një popullësie të caktuar. Në rastin tonë, njohja de facto do të nënkuptonte njohjen nga ana e Serbisë e  titullit juridik të Kosovës, i krijuar më 17 shkurt 2008 në raport me shtetet njohëse të saj, përkatësisht njohja e shtetit të Kosovës si një shtet sovran mbi territorin e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974 dhe ndaj popullsisë që jeton në te. Ky fare nuk është rasti, sepse Serbia në vazhdimësi po e bënë të qartë se kundërshton një gjë të tillë. Më lejoni të theksoj këtu edhe disa gjëra lidhur me këtë. Edhe te njohja de jure objekti i njohjes është i njëjtë – pra njohja e titullit juridik sovran mbi një territor dhe ndaj një popullsie të caktuar. Dallimi i vetëm mes dy njohjeve është se në rastin e njohjes de facto, njohja është e përkohshme dhe kjo thuhet shprehimisht në aktin e njohjes, i cili çdoherë jepet me shkrim nga shteti njohës. Për pasojë, për dallim nga njohja de facto që mund të tërhiqet kurdo dhe në çdo kohë, njohja de jure nuk mund të tërhiqet. Çështja e dytë që dua të theksoj është se palët e treta, shtetet ose individët, asnjëherë nuk mund të bëjnë njohjen de facto, as njohjen de jure, të shtetit që kërkon njohje. Ato që thonë ndërkombëtarët këto ditë janë deklarata politike me qëllim të shtyrjes përpara të dialogut dhe implementimin e autonomisë serbe në Kosovë dhe asnjë relevancë nuk kanë për njohjen de facto ose njohjen de jure të Kosovës nga Serbia”, ka sqaruar Hasani. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme