Lajme
Enver Hasani për Marrëveshjen e Kurtit në Bruksel e Ohër: Heq dorë nga çdo njohje, rihapet statusi i Kosovës kundrejt Serbisë dhe u njeh autonomi substanciale serbëve
Demokracia
15:48 | 08 Nëntor 2023

Share:

Mbase për një kohë të gjatë nuk do të kuptohet përgjigja e saktë se cili ka qenë tharmi që prodhoi frikën e votuesve në Kosovë gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale si dhe letargjinë e indiferencën aktuale që po duket në raport me shpalosjen e krijimit gradual por të sigurt të kushtetutës së re materiale të Kosovës nga ekzekutivi i vendit. Për dallim nga kushtetutëmbrojtësit e Ferizajit, lëvizja në Kosovë për mbrojtjen e krijimit të kushtetutës së re materiale, pa asnjë dyshim që shkatërron rendin kushtetues të krijuar më Kushtetutën e Pavarësisë. Kjo nuk mund të vihet në dyshim!  Përgjigjen për tharmin e frikës që solli këtë gjendje, mbase brezat pas nesh e marrin vesh kur të lexojnë kujtimet e atyre që krijuan dhe menaxhuan me kujdes  dhe në mënyrë sistematike teknologjinë e frikësimit.

SHKRUAN: Enver Hasani

Mbrojtja e kushtetutës në Ferizaj

Në korrik të vitit 1908, një turmë shqiptarësh ishin mbledhur papritur në Ferizaj – në mijëra, të prirë nga paria e kohës dhe ulematë e tyre –  për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me një invadim të mundshëm të austro-hungarezëve në Kosovë. Po shprehnin gatishmërinë e tyre për të mbrojtur vatanin otoman dhe dinjitetin e tij, të Padishahut dhe krejt privilegjeve që ky ua kishte njohur ndër vite – mbajtjen e armëve dhe mësimet e Sheriatit.

Kjo ngjarje e shëmtuar, politikisht dhe në aspektin kombëtar – atëherë dhe sot, sepse kosovarët  mbi 90 për qind analfabetë bartën në kurrizin e tyre mbrojtjen e kushtetutshmërinë otomane, për të cilën as idenë më të vogël nuk e kishin; kombëtarisht, sepse përshpejtuan shkatërrimin e atij shteti duke kryer punën e fqinjëve të tyre armiq (serbëve dhe malazezëve në rend të parë) – katërçipërisht vërtetohet nga raportet e konsujve austro-hungarez në Kosovë, të cilët për lexuesin shqip, për herë të parë i publikoi gazetari e publicisti Enver Robelli, raporte  që nuk dallojnë fare nga përshkrimet e së njëjtës ngjarje nga Noel Malcolm dhe nga studiues serioz turq. I fundit ndër ta është autorja Mucize Unlu me doktoratën “Vilajeti i Kosovës”, që u botua këtë vit nga shtëpia botuese Ditura e Tiranës. Me të marrë telegramin e shqiptarëve të datës 21 dhe 22 korrik, mbas dy ditësh, Sulltani bëri publik vendimin e tij për rikthim  të Kushtetutës së vitit 1876. Entuziazmi i shqiptarëve në Kosovë , Shkup dhe Selanik, ishte më i madh se ai i xhonturqve në Stamboll,  i padronëve që kishin orkestruar këtë ngjarje.

Mbase ky tregim lexuesit do t’i duket jashtë kontekstit – çfarë lidhje ka mbi këtë tokë beteja për kushtetutë e ferizajasve otoman me njohjen de facto që po trumbetohet se po na vjen nga Serbia, nëse është për t’iu besuar pushtetarëve të ri. Kjo njohje, sigurisht që nuk vjen – nuk mund të vijë diçka që nuk ekziston askund. Po të kishte njohja de facto fizionominë kuptimore siç po thuhet, atëherë ky autor do të duhej t’u kërkonte falje brezave të studentëve që kanë mësuar për vite të tëra institutin e njohjes së shteteve në të drejtën ndërkombëtare. Krahas kërkimfaljes, autori i këtyre rreshtave do të duhej të asgjësonte menjëherë çdo libër të së drejtës ndërkombëtare nga i cili ai vet ka mësuar; të njëjtën gjë do të duhej ta bënin kolegët e tij – profesorët e ligjit ndërkombëtar nëpër universitete në të katër anët e botës. Kjo, megjithatë, nuk mund të bëhet dhe nuk do të bëhet, më lehtë për ata që nuk dinë të lexojnë e mësojnë sesa djegia e trashëgimia shekullore e shkencës juridike-ndërkombëtare. Paradigma nuk zhvendoset, siç e thotë filozofi Thomas Kuhn, pa përmbysje të tërësishme të koncepteve, ideve dhe shtyllave të paradigmës ekzistuese dhe praktikave të bazuara në te.

Koncepti i njohjes ndërkombëtare të shtetit

Asnjë nga paradigmat e institutit të njohjes në të drejtën ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar. Me gjasë as nuk do të ndryshojnë për gjeneratën ekzistuese: përpjekjet kosovare për një interpretim të çoroditur të saj, as që do të regjistrohen në analet e praktikës së shteteve lidhur me njohjen de facto. Do të ngelin në suaza të politikave ditore të një pushteti që përpëlitet për të gjetur një derë shpëtimi të fytyrës për lëshimet kolosale të bëra këtë vit në Bruksel, që kulmuan në Aneksin e Ohrit, i cili sanksionon zyrtarisht heqjen dorë të Kosovës nga njohja e çfarëdolloji, rihap statusin e Kosovës kundrejt Serbisë, dialogun e shndërron në një proces pa fund dhe, mbi të gjitha, serbëve lokal u njeh një autonomi të plotë substanciale, në të gjitha territoret e komunave ku ata kanë përfaqësimin kryesor, me qëllim të ruajtjes së identitetit të tyre politik, nacional, kulturor, ekonomik, historik dhe tjetër. Në këtë kategori të fundit të autonomisë një rol të veçantë luan fakti se pala kosovare njëanshmërisht ka pranuar formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, që nënkupton përligjjen e operimit të saj në Kosovë, në kushte të njëjta si në çdo cep të Republikës së Serbisë. Shënojmë se vendet tjera të dala nga ish-Jugosllavia kanë lidhur, secila prej tyre, marrëveshje dypalëshe me Kishën Serbe, por dhe me bashkësitë tjera fetare, të cilat kanë statusin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Me to, në mënyrë të qartë dhe pa asnjë dykuptimësi, Kisha Serbe dhe bashkësitë tjera fetare si palë kontraktuese, ia njohin shtetit sovranitetin dhe integritetin palës tjetër-Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë. Ky nuk është rasti me Kosovën: Ankesi i Ohrit flet në preambulën e tij, vetëm për integritetin e sovranitetin territorial, të cilin palët e marrin në dijeni që ekziston, në formë të një detyrimi abstrakt në ajër, pra jo me efekt reciprok ndaj palëve. Fjalia që thotë ketë është e qartë: ndaj kësaj kategorie ndërkombëtare, palët në terma absolut respektojnë sovranitetin dhe integritetit territorial të shteteve të botës. Sipas ligjit ndërkombëtar, kjo dispozitë nuk ka asnjë efekt ndërkombëtar kundrejt Serbisë, dhe atë për dy arsye: e para, Serbia në kushtetutën e saj e ka të mishëruar Kosovën si pjesë të vet – rrethanë që e liron atë nga detyrimi për respektim të sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës. Se kjo është kështu do të shihet shumë shpejt: asnjëherë me Serbinë, kjo qeveri dhe me gjasë edhe të tjerat pas saj, nuk do të kenë kënaqësinë e nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje për demarkimin e kufirit me Serbinë, që përfaqëson hapin e parë që pason pas njohjes de facto ose de jure të një shteti. E dyta arsye ka të bëj me faktin se Serbia në vazhdimësi mohon dhe e kundërshton fuqishëm këtë pozitë të të tjerëve, në vend dhe jashtë, që i konsideron aktet serbe të ndërmarra në dialogun me Kosovën, në çfarëdo mënyre qoftë, si njohje të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Ky kundërshtim dhe refuzim i hapur përbën kushtin thelbësor që zhvlerëson çdo konstruktim të akteve të Serbisë në Bruksel dhe Ohër si njohje të shtetit të Kosovës. E njëjta vlen edhe për përpjekjet e qeverive të kaluara të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008

Protestimi serb, që përmban kundërshtimin e cilësimit të njohjes të akteve të saj në procesin e dialogut, në mënyrë të prerë dhe pa asnjë paqartësi, rregullohet me normat e ligjit ndërkombëtar. Që flasin për aktin e njëanshëm të protestimit në rendin juridik – ndërkombëtar. Ky fakt i bën pa vlerë përpjekjet për konstruktim të sjelljeve serbe nga pala kosovare si njohje de facto ; këto përpjekje nuk mund të kenë asnjë efekt në rendin ndërkombëtar. Në rast kontesti serioz lidhur me këtë, pikë referimi që dëshmon se gjendja është kështu shërben vetëm pozicioni zyrtar i lehtësuesit të procesit të dialogut, – pozicioni i BE i shprehur përmes organeve të veta, asnjëherë ai i liderëve të shteteve individuale: as Makron e as Sholc nuk kanë autorizim për të ofruar njohjen de facto të Kosovës. Ursula von de Leyen nuk ka kërkuar njohjen de facto nga Serbia, sic po thuhet ndër ne. Në Beograd ajo e bëri të qartë se njohja e de facto nënkupton asgjë tjetër përtej zbatimit të plotë dhe pakusht të zotimeve të Brukselit dhe Aneksit  të Ohrit. Nuk do mend për të kuptuar se kjo është një deklaratë krejtësisht politike, pa asnjë vlerë a ndikim për njohjen de facto të vendit tonë sipas ligjit ndërkombëtar. Këtë njohje mund ta japë dhe ka efekt vetëm kur vjen në trajtën me shkrim dhe shprehimisht nga shteti prej të cilit është shkëputur Kosova, pra nga Serbia. Ajo duhet të bëhet me shkrim dhe në mënyrë të qartë e pa asnjë ekuivok, duke dhënë arsyet se përse shteti njohës bën njohjen de facto dhe jo njohjen de jure, pra përse njeh Kosovën përkohësisht dhe vetëm në raport me  marrëdhënie reciproke. Në këtë sqarim do të mund të hynte , ta zëmë, sqarimi me shkrim se njohja de facto e Kosovës bëhet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, interesat e qytetarëve serbë në Kosovë, besimin serb se Kosova nuk mund të mbijetojë si shtet për shkaqe të paaftësisë së saj për shtet-ndërtim  dhe arsye të ngjashme. Këtë akt të njohjes de facto, që normohet me ligjin ndërkombëtar dhe nga praktika e shteteve qe shtatëdhjetë vjet, nuk mund ta zëvendësojë asnjë gjest apo sjellje tjetër e Serbisë: konstruktimi si njohje de facto nga pala kosovare i pranimit nga Serbia të dokumenteve të udhëtimit, targave të regjistrimit, certifikatave dhe diplomave, vulave doganore dhe akteve të ngjashme me këto, eventualisht do të mund kishte kuptimin e njohjes  ndërkombëtare të nënkuptuar (implicit), që është një njohje tjetër dhe jo njohje de facto. Mirëpo, edhe në një rast të tillë, kusht thelbësor është që Serbia të mos e kundërshtojë ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe titullit të tij juridik – pavarësinë dhe sovranitetin e saj territorial , objekt ky i njohjes në të drejtën ndërkombëtare, në të gjitha trajtat e saj (njohje de facto dhe njohje de jure, shprehimisht dhe në mënyrë të heshtur, kolektive dhe individuale). Në mënyrë të vazhdueshme, të qartë dhe publike Serbia kundërshton titullin juridik = objektin e çfarëdo njohjeje të Kosovës. Në Bruksel dhe Ohër, Serbia ka pranuar tekstin duke marrë në dijeni se në marrëdhëniet e saj me Kosovën ekzistojnë disa vështirësi në komunikim që lidhen me energjinë, tagrat, certifikatat, regjistrimet, vulat doganore dhe kështu me radhë, të cilat duhen zgjidhur për hir të serbëve lokal dhe faktit se ajo e sheh veten si shtet sovran, që me kushtetutën e vet nacionale ka detyrim dhe të drejtë për të ndërhyrë në një territor që është shkëputur dhe pretendon se është shtet. Këtë pozicion serb e shohin kështu  edhe një pjesë e vendeve njohëse të Kosovës, jo vetëm ato pesë vende te BE që nuk e njohin. Besoj tanimë e kanë të qartë paria e sotme e pushtetit të Kosovës.

Serbia sillet kësisoji, pra refuzon dhe kundërshton konstruktimin e çfarëdo akti të saj në dialog si njohje të Kosovës, pikërisht sepse e din fare mirë se në OKB, për miratim me efekt të qartë juridik në favor të Kosovës, vetëm njohja nga Serbia, çfarëdo qoftë ajo. Kjo përbën një kusht të domosdoshëm për hyrjen e Kosovës në OKB, por jo të mjaftueshëm – duhet mbi të gjitha pajtimi anëtarëve të përhershëm të KS të OKB, së paku abstenimi ose moskundërshtimi. Këtu nuk e pyet njeri Serbinë nëse konsideratat tjera gjeopolitike të anëtarëve permanent përputhen me kërkesën e Kosovës dhe të miqve të saj për anëtarësim OKB. Deri më sot nuk ka pasur rast të pranimit në OKB të një shteti para marrjes së njohjes nga shteti prej të cilit është shkëputur.

Objekti i njohjes ndërkombëtare

Atëherë çka qenka objekt i njohjes, në të gjitha format e saj – certifikatat, vulat doganore, tabelat e regjistrimit, energjia elektrike dhe faturat e pagesës së saj dhe kështu me radhë, apo diçka tjetër më interesante? Qenia shtet (Angl.: “Statehood”) nënkupton pasjen e titulli të vlefshëm juridik që nuk ngrit asnjë dilemë për legalitetin dhe legjitimiteti i krijimit të shtetit sipas ligjit ndërkombëtar. Ky dhe vetëm ky është objekt i njohjes ndërkombëtare, asnjëherë tabelat, vulat e certifikatat dhe dokumentet e autoriteteve publike të një vendi e kohë të dhënë. E thënë me fjalë të tjera, objekt i njohjes ndërkombëtare është qenia shtet – je ose nuk je shtet në raport me shtetin që jep ose mohon njohjen, në çfarëdo formë qoftë ajo; objekt i saj asnjëherë nuk mund të jenë aktet juridike e faktike të autoriteteve publike që bëhen gjatë ushtrimit të punëve publike, punë që shprehimisht mohohen se kanë karaker të akteve të shtetit sovran nga shteti prej të cilit kërkohet njohja.

Çka pas kushtetutës materiale të Albinit – Sheriati dhe kthimi privilegjeve të vjetra?

Mirë shumë do të ishte sikur ndonjë jurist britanik t’i sqaronte kryeministrit kosovar Albin Kurti se kjo që po bën është krijim i një kushtetutë të re materiale, jo fitim i njohjes de facto nga Serbia, duke ia treguar shembullin britanik të njohjes de facto të Izraelit më 1948, si rasti më i pastër i kësaj njohjeje, që gjerësisht shtjellohet nëpër libra e kësaj fushe. Në fakt, ky akt britanik ka shërbyer për konsolidim të njohjes de facto të shteteve, ashtu siç e njihet sot. Kurti po krijon kushtetutë materiale të Kosovës, paralel dhe në kundërvënie të tërësishme ndaj normave dhe parimeve të Kushtetutës së Kosovës sovrane dhe të pavarur. Këtë kushtetutë nuk po e bën organi që përfaqëson sovranin, por ekzekutivi tij. Mbase kjo për momentin nuk duket e qartë për qytetarin e zakonshëm, e tillë bëhet fill pasi të nis implementimi i autonomisë substanciale. Sipas Statutit, që është instrument themelor i autonomisë serbe dhe ka të gjitha tiparet e një kushtetute materiale, autonomia nuk mund të zhbëhet nga asnjë autoritet në Prishtinë; amendamentimi i tij në të ardhmen nuk i nënshtrohet asnjë kontrolli kushtetues nga Gjykata Kushtetuese apo ndonjë organ tjetër kosovar që mbikëqyr kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.

Çfarë përgjigje do të japin kosovarët kur të nis implementimi i autonomisë substanciale serbe? Në të vërtetë, këtë pyetje duhet t’ia bëjnë vetes ata që votuan, sepse produkti i tyre po krijon një kushtetutë të re materiale të re, krejtësisht paralele dhe e kundërt me Kushtetutën e Pavarësisë. Ajo po krijohet nga ekzekutivi, jo nga Kuvendi i Kosovës. Objekt i kushtetutës së re materiale janë marrëdhëniet e këtij ekzekutivi me serbët lokal për autonominë e tyre, jo marrëdhëniet e me votuesit e tij. Krijimi i autonomisë substanciale serbe në Kosovë bëhet jashtë rëndit kushtetues  të Kosovës dhe në kundërshtim të plotë me te në çdo aspekt. Këtë rrethanë askush as në mendje nuk e ka pasur kur ka votuar në zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë. Defekti në legjitimitetin e kësaj ndërmarrjeje politike të ekzekutivit kosovar është i dukshëm: votimi i fundit në Kosovë nuk ka qenë për krijimin e autonomisë serbë, por për agjenda krejtësisht të tjera dhe shumë fisnike. Serbët e Kosovës po rikthehen në Kosovë, jo në rendin e saj kushtetues si një shtet sovran dhe i pavarur, por kundër dhe jashtë tij, për të dëshmuar sërish se ata nuk kanë qenë pjesë e kontratës me popullin shumicë, kur ky popull më datën 17 shkurt 2008 krijoj shtetin e Kosovës. Nëse Kuvendi i Kosovës dhe krejt forcat politike të kohës nuk kanë arritur – por as i ndjeri Marti Ahtisari – për të lidhur me kohë një kontratë me serbët lokal, pak ka gjasë që këtë do të mund ta bëj kryeministri aktual: votat e fundit për te nuk janë vota për të lidhur një kontratë të re për autonominë substanciale të serbëve lokal, por ekskluzivisht për qeverisje të mirë, sundim të ligjit e të demokracisë kushtetuese, integrim të vendit në strukturat euro-atlantike. Këto gjëra nuk duken askund.

Një gazetar francez ishte kthyer në Ferizaj pas dy viteve, kishte takuar disa nga ata që kishin qënë kushtetutëmbrojtës në korrikun e vitit 1908. I kishte pyetur ata nëse e kishin parë ose lexuar kushtetutën që mbrojtën dhe e rikthyen në Stamboll. Përgjigja e tyre kishte qenë mjaft interesante: i kishin thënë francezit se dikush kishte ndëgjuar diçka për te, mirëpo ata donin Sheriatin dhe kthimin e privilegjeve të vjetra të mbajtjes së armëve (sic!). Si bëhet që mijëra shqiptarë në mënyrë të vërbër, bashkë me ulematë e tyre, i shkuan prapa një projekti për të cilin as idenë më të vogël nuk kishin? Më vonë, siç e zbulon Abdylhamiti II në kujtimet e tij, u kuptua se çdo gjë ishte orkestruar nga xhonturqit, nga koha e ilegalitetit të tyre në fund të shek.19-të, kur ishin krijuar në Francë. Ideja bazë e tyre ka qenë centralizimi dhe unitarizmi i shtetit otoman mbi bazën e kombit otoman që nuk ekzistonte, një nacionalizëm ky absurd i gjykuar për dështim. Duke qenë se shqiptarët e vilajeteve të verilindjes së Ballkanit ishin luajalë ndaj sulltanit Abdylhamit II dhe në masë një kuadër komandues në ushtrinë e Rumelisë, roli tyre ishte i pazëvendësueshëm në këtë projekt xhonturk. Ata duheshin përfituar. Kjo u bë me mashtrim, për një arsye fare të thjeshtë: faktori mobilizues i shqiptareve në  kushtetutëmbrojtjen e Ferizajit kishte qenë frika nga fqinjët dhe invadimi nga Austro-Hungaria kristiane, dy elemente që nuk mund të pajtoheshin as historikisht e as logjikisht. Por, në kokat e shqiptarëve analfabet të kohës, ata kishin gjetur paqen. Kontrolli i frikës së masave përbën çelësin e lëvizjes së tyre, dhe të suksesit momental të atyre që kontrollojnë ato. Mbase për një kohë të gjatë nuk do të kuptohet përgjigja e saktë se cili ka qenë tharmi që prodhoi frikën e votuesve në Kosovë gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale si dhe letargjinë e indiferencën aktuale që po duket në raport me shpalosjen e krijimit gradual por të sigurt të kushtetutës së re materiale të Kosovës nga ekzekutivi i vendit. Për dallim nga kushtetutëmbrojtësit e Ferizajit, lëvizja në Kosovë për mbrojtjen e krijimit të kushtetutës së re materiale, pa asnjë dyshim që shkatërron rendin kushtetues të krijuar më Kushtetutën e Pavarësisë. Kjo nuk mund të vihet në dyshim!  Përgjigjen për tharmin e frikës që solli këtë gjendje, mbase gjeneratat pas nesh e marrin vesh kur të lexojnë kujtimet e atyre që krijuan dhe menaxhuan me kujdes  dhe në mënyrë sistematike teknologjinë e frikësimit.

(Autori ka qenë kryetar i parë Gjykatës Kushtetuese dhe është profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Të ngjashme