Lajme
Jo më në zyrën alternative, Ilir Peci tash në objektin e komunës së Zveçanit
Demokracia
20:21 | 29 Prill 2024

Share:

Pas një viti që nga zgjedhja e tij si kryetar i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci është vendosur në zyrën e tij në objektin komunal, duke ua mundësuar vetes dhe drejtorëve të drejtorive të kësaj komune të operojnë nga ky vend. Kryetari Peci bashkë me drejtorët zhvilluan për herë të parë mbledhjen në këtë objekt komunal.

Iu deshën 1 vit pasi u zgjodh kryetar i kësaj komune, që të hynte si i tillë në këtë objekt komunal.

Ilir Peci i PDK-së është një prej dy kryetarëve të komunave veriore që respektuan propozimin e ndërkombëtarëve që punën e tyre ta zhvillonin në zyra alternative.

Por tash kur serbët patën mundësinë ta shkarkonin dhe nuk e bënë këtë, ai ka vendosur mos ta përfillë më këtë praktikë, duke shënuar sot ditën e parë të shkuarjes atje ku mbajti edhe mbledhje e bordit, me të gjithë drejtorët.

Kompetencat e tij deri tash i ka zhvilluar në fshatin Kelmend, por tashmë i njëjti do të vazhdojë ta ushtrojë pozitën në zyrën e kryetarit në Zveçan.

“Nga java e kaluar kanë vazhduar vendosjen disa drejtorë me zyrtarë të vet këtu, sot mbledhjen e parë me Këshill të drejtorëve e mbajtëm këtu dhe besoj që tash e tutje gjithçka do të jetë nga këtu,” ka thënë Ilir Peci Kryetar i Zveçanit

Peci ka thënë se mbledhja ka shkuar mirë dhe pret se puna këtu do të jetë më e lehtë e njësoj edhe shërbimi ndaj qytetarëve.

“Mirë si zakonisht, sikur në objektin tjetër në fshatin Lip ku kemi qenë, si këtu. Gjithçka deri më tani është në rregull dhe besoj që nga këtu është shumë e lehtë të kryejë shërbimet për të gjithë qytetarët e kësaj komune,” tha Peci.

Më 21 prill në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, u mbajtën votimet ku qytetarët serbë por edhe të komuniteteve të tjera patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre për largimin ose jo të kryetarëve të këtyre komunave që u zgjodhën më 23 prill 2023.

Por, ky proces nuk kaloj pasi që nuk votuan 50+1% e qytetarëve me të drejtë vote.

Kështu udhëheqësit aktual të komunave do ta ushtrojnë funksionin e tyre deri në fund të mandatit, në vitin 2025.

Lista Serbe iu kishte bërë thirrje serbëve për ta bojkotuar procesin.

Të ngjashme