Lajme
Në prag të zgjedhjeve: Cilat janë grupimet evropiane
Demokracia
20:12 | 29 Prill 2024

Share:

Zgjedhjet evropiane janë një ngjarje thelbësore për kontinentin dhe demokracitë evropiane, përballë sfidave të brendshme dhe kërcënimeve ndërkombëtare.

Me zgjedhjet evropiane në 8-10 qershor, gjithsej 720 anëtarë të Parlamentit Evropian do të zgjidhen – 15 më shumë se ata të zgjedhur në 2019 – bazuar në ndryshimet demografike në BE.

Nga këto 15 vende, dy iu caktuan Francës, dy Spanjës dhe dy Holandës.

Austria, Belgjika, Polonia, Danimarka, Finlanda, Sllovakia, Irlanda, Sllovenia dhe Letonia do të marrin secila nga një vend shtesë.

Delegacioni më i madh kombëtar do të mbetet ai gjithnjë ai gjerman me 96 anëtarë, më të vegjlit do të jenë ata nga Qiproja, Malta dhe Luksemburgu me gjashtë anëtarë.

Në këto zgjedhje popujt e Evropës nuk votojnë për një parti të vetme evropiane, por do gjejnë simbolet e partive kombëtare në fletën e votimit.

Brenda Parlamentit Evropian, parlamentarët nuk grupohen sipas vendit të origjinës, por ndahen në grupe. Secili prej këtyre grupeve është shprehje e një ose më shumë partive evropiane, por mund të përmbajë brenda tij deputetë të forcave politike që nuk janë pjesë e asnjë partie evropiane.

Deri më sot, janë dhjetë partitë evropiane të regjistruara dhe Parlamenti Evropian aktualisht përbëhet nga 7 grupe politike: Partia Popullore Evropiane, Renew Europe, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, Grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, Identiteti dhe Demokracia, Grupi i të Gjelbërve/Aleanca e Lirë Evropiane dhe Grupi i së majtës në Parlamentin Evropian.

Ndërsa grupet parlamentare kombëtare shpesh përbëhen nga një parti e vetme, më së shumti me disa aleatë ose kandidatë të pavarur, grupet evropiane duhet të përbëhen nga shumë parti.

Në fakt, ato bashkojnë parti me ideologji të ngjashme nga i gjithë Bashkimi.

Sipas rregullave parlamentare, të gjitha grupet duhet të përbëhen nga të paktën 23 eurodeputetë nga të paktën një e katërta e shteteve anëtare.

Për më tepër, çdo grup ka një president të zgjedhur, një byro, një sekretariat dhe është përgjegjës për organizimin e vet.

Eurodeputetët që vendosin t’i bashkohen një grupi politik nuk janë të detyruar të ndjekin udhëzimet e tij, por mund të votojnë lirisht.

Cilat janë partitë evropiane?

Shumica e Parlamentit përbëhet nga Partia Popullore Evropiane (PPE), Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE).

Kjo mazhorancë zgjedh Presidentin e Komisionit Evropian.

Partia Popullore Evropiane (PPE)

Me 177 eurodeputetë, PPE-ja është partia më e madhe evropiane në Dhomën Evropiane.

Është një grup i moderuar i qendrës së djathtë që ndjek një traditë konservatore liberale, pro-evropiane.

Eurodeputetët e saj janë pjesë e grupit politik që mban të njëjtin emër me partinë.

Ndër parimet themelore të promovuara nga PPE-ja janë pluralizmi demokratik, ekonomia sociale e tregut dhe qëndrueshmëria mjedisore.

Presidenti i PPE-së është gjermani Manfred Weber, lider i Partisë Popullore në Parlamentin Evropian.

Disa figura kryesore të BE-së janë pjesë e PPE-së, duke përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenten e Parlamentit Evropian. Roberta Metsola.

Fidesz, partia e presidentit hungarez Viktor Orban, ishte gjithashtu pjesë e PPE-së deri në vitin 2021.

Për shkak të ideve ekstremiste dhe anti-evropiane në vitin 2020, partia e Orbanit u pezullua për një kohë të pacaktuar nga PPE, por mbeti brenda grupit politik me të njëjtin emër në Parlamentin Evropian.

Në mars të vitit 2021, deputetët e Fidesz u larguan nga grupi PPE dhe kaluan në grupin e atyre të paregjistruar.

Grupi i PPE përfshin gjithashtu dy anëtarë të një partie tjetër, Lëvizjes Politike të Krishterë Evropiane (LPKE), e cila “promovon në mënyrë eksplicite vlerat e krishtera” në BE.

LPKE në fakt nuk përbën një grup politik autonom, pasi mund të mbështetet vetëm në pesë deputetë evropianë.

Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve

Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian (S&D), i njohur edhe më thjesht si Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve, është një grup politik i qendrës së majtë të Parlamentit Evropian, trashëgimtar i Grupit të Partisë së Socializmit Evropian.

Ai ka 144 deputetë që nga dhjetori 2021 dhe është grupi i dytë më i madh parlamentar në Parlament pas grupit të Partisë Popullore Evropiane.

Grupi i është bashkuar Internacionales Socialiste si një organizatë e asociuar.

Liberalët

Dy parti evropiane kryesore formojnë grupin Renew Europe: Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE) dhe Partia Demokratike Evropiane (PDE).

Renew Europe është një grup politik liberal, pro-evropian dhe pasardhësi i grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE).

Ai formohet pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2019 dhe është pjesë e një tradite liberale dhe pro-evropiane.

Kryesohet nga eurodeputetja franceze Valerie Hayer.

Nga Italia bashkohen Action, Italia Viva, +Europa, Radicali Italiani dhe Italia c ‘e’.

Partia Demokratike Evropiane, PDE, është një parti politike evropiane e natyrës centriste e frymëzuar fuqishëm nga idealet pro-evropiane.

Presidenti i grupit është François Bayrou.

Tek grupi i Renew Europe bën pjesë edhe Renaissance, partia e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili nuk i është bashkuar as me ALDE dhe as me PDE.

E djathta evropiane ekstremiste

Partitë më të djathta për sa i përket orientimit politik janë Partia Konservatore dhe Reformiste Evropiane (ECR) dhe Identiteti dhe Demokracia (ID).

Partia e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), e njohur nga viti 2009 deri në 2016 si Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (AECR) dhe nga viti 2016 deri në 2019 si Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve në Evropë (ACRE), i përket krahut të djathtë dhe të djathtës ekstreme evropiane që kundërshton federalizmin evropian.

Partia ECR, presidenti i së cilës prej 2020, është liderja e Fratelli d’Italia dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, promovon “lirinë individuale, sovranitetin kombëtar, demokracinë parlamentare, pronën private, kufizimin e sferës së ndërhyrjes së shtetit, tregtinë e lirë, vlerat familjare dhe decentralizimin e pushteteve”.

Partia spanjolle e ekstremit të djathtë Vox dhe ajo polake Ligji dhe Drejtësia e ish-kryeministrit polak Mateusz Morawiecki (Prawo i Sprawiedliwość – PiS), janë gjithashtu pjesë e ECR-së.

Identiteti dhe Demokracia, e përfaqësuar në Itali nga Lega e Matteo Salvinit, është grupim i ekstremit të djathtë nacionalist.

Ka ndër parimet e saj themeluese “sovranitetin e shteteve” në kundërshtim me transferimin e kompetencave tek institucionet evropiane, “ruajtjen e identitetit të popujve dhe kombeve të Evropës” dhe “mbrojtjen” e lirive individuale”.

President i ID-së është Gerolf Annemans, eurodeputet i partisë nacionaliste flamande Vlaams Belang (“Interesi Flamand”).

Dy fraksionet kryesore të ID-së janë Rassemblement National e Marine Le Pen dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë gjerman.

Edhe pse të dyja janë parti të krahut të djathtë, ka disa dallime midis ECR dhe ID, duke filluar nga qëndrimi për luftën në Ukrainë: partia e kryesuar nga Meloni ka përsëritur vazhdimisht mbështetjen e saj për Ukrainën, ndërsa brenda ID ka disa parti me qëndrimet pro-ruse.

Në përgjithësi, në nivel evropian ECR në periudhën e fundit duket se është vendosur në pozicione më të moderuara, ndërsa ID mbetet një parti që i atribuohet ideve të së djathtës radikale.

Nga të Gjelbërit tek e majta radikale dhe autonomistët

Që nga viti 1999, Partia e Gjelbër Evropiane (EGP) dhe Aleanca e Lirë Evropiane (ALE) kanë formuar një grup të vetëm në Parlamentin Evropian, atë të të Gjelbërve/EFA.

Bashkëpresidentët janë eurodeputeti gjerman, Terry Reintke, dhe deputeti belg, Philippe Lamberts.

Në total marrin pjesë 72 eurodeputetë.

EGP-ja është parti progresiste që bazohet “në vlerat e përgjegjësisë mjedisore, drejtësisë sociale, përfshirjes, diversitetit dhe paqes”.

Ajo përfshin Europa Verde dhe të Gjelbrit e Tirolit të Jugut, ndërsa anëtari kryesor është partia gjermane Bündnis 90/Die Grünen (Aleanca 90/Të Gjelbërit).

Pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2019, grupi parlamentar përbëhej nga 75 eurodeputetë, numri më i lartë i arritur ndonjëherë në historinë e tij, nga 16 shtete anëtare dhe ishte grupi i katërt parlamentar më i madh në Parlamentin Evropian.

Me daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian më 31 janar 2020, grupi parlamentar humbi 11 eurodeputetët britanikë.

Pas Brexit, rishpërndarjes së disa vendeve dhe pranimit të një eurodeputeti polak dhe katër eurodeputetëve italianë si të pavarur, grupi parlamentar ka 73 anëtarë që nga janari 2021.

Aleanca e Lirë Evropiane, ALE,  është një parti politike evropiane që bashkon 43 parti dhe lëvizje në 19 shtete, të cilat mbështesin politikat e rajonalizmit, autonomizmit, pavarësisë ose forma të ngjashme të federalizëm ose vetëqeverisje për rajonin e dikujt ose për të ashtuquajturat kombe pa shtetësi.

ALE promovon “të drejtën për vetëvendosje demokratike dhe mbështet aspiratat e popujve për të zgjedhur të ardhmen e tyre politike”, me referencë të veçantë për pavarësinë dhe pretendimet autonomiste.

Megjithëse shumica e partive anëtare të ALE-s janë progresive, disa janë më afër pozicioneve të krahut të djathtë.

Për shembull, midis formacioneve politike italiane që janë brenda saj janë bashkuar Aleanca valdôtaine (“Aleanca e Luginës së Aostës”) dhe Pakti për Autonomi (aktiv në Friuli-Venezia Giulia), të cilat janë të qendrës së majtë, ndërsa partia Süd-Tiroler Freiheit (” Liria e Tirolit të Jugut”) konsiderohet e djathta ekstreme: themeluesja e saj Eva Klotz ka bërë thirrje në raste të ndryshme për shkëputjen e Alto Adige nga Italia dhe aneksimin e saj në Austri.

Në Parlamentin Evropian, ALE është pjesë e grupit të qendrës së majtë Të Gjelbrit/Aleanca e Lirë Evropiane; Megjithatë, eurodeputetët e Aleancës së Re Flamane janë pjesë e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë.

Kohët e fundit Lëvizja 5 Yjet (italiane), deputetët e së cilës janë pjesë e grupit të të paregjistruarve, u përpoq gjithashtu të bashkohej me grupin politik të të Gjelbërve Evropianë, por pas muajsh kontaktesh negociatat u ndërprenë në mars.

Partia e së Majtës Evropiane (GUE/NGL)

Grupi i së Majtës në Parlamentin Evropian – GUE/NGL (shkurt e majta) bazohet në pozicione të majta radikale, deputetët e së cilës janë pjesë e grupit të Majtë në Parlamentin Evropian.

Aty bëjnë pjesë e Majta e Bashkuar Evropiane/E majta e Gjelbër Nordike, nga e cila trashëgoi akronimin GUE/NGL, dhe bashkon partitë socialiste, ekosocialiste dhe komuniste.

Grupi u referohet atyre partive të majta që kundërshtojnë strukturën aktuale të Bashkimit Evropian, të konsideruar burokratike dhe të largët nga qytetarët dhe propozojnë një Evropë të re, plotësisht demokratike, duke shfuqizuar Traktatin e Mastrihtit, për të ndryshuar politikat ekonomike, të konsideruara tepër liberale si edhe ndryshim në politikën e jashtme, duke u larguar nga NATO.

E majta ka 37 eurodeputetë në legjislaturën IX të Parlamentit Evropian, ku përbën grupin më të vogël politik.

I vetmi anëtar italian është Partia Komuniste e Rithemelimit, ndërsa e Majta Italiane ka statusin e “vëzhguesit”, megjithëse merr pjesë në aktivitetet e organizatës, nuk është anëtare e plotë. Midis partive vëzhguese janë edhe lëvizja e majtë radikale franceze La France insoumise dhe SYRIZA, partia e ish-kryeministrit grek, Alexis Tsipras.

Ngjashmëritë dhe divergjencat

Në një farë mënyre, Parlamenti Evropian funksionon si një Parlament kombëtar, në të cilin për të marrë shumicën e votave është e nevojshme të formohen koalicione pak a shumë të gjera.

Në rastin e zgjedhjes së Von der Leyen si presidente e Komisionit të BE-së, votat e favorshme erdhën jo vetëm nga PPE-ja, por, ndër të tjera, edhe nga socialistët dhe demokratët e PSE dhe nga Renew Europe, përveç eurodeputetëve të Lëvizjes 5 Yje.

Në të njëjtën kohë, si në një Parlament kombëtar, është e mundur që anëtarët individualë të një partie evropiane të votojnë ndryshe nga qëndrimi zyrtar i partisë së tyre.

Për shembull, në mars, parlamentarët evropianë të Forza Italia votuan kundër direktivës së “shtëpive të gjelbra”, pavarësisht opinionit të favorshëm të PPE-së.

Fushata elektorale e cila tashmë ka filluar, do të jetë e karakterizuar nga sfida të brendshme dhe të jashtme për kontinentin.

Politika bujqësore evropiane është në qendër të debatit politik të BE-së, me protestat e fermerëve që përshkuan Evropën për javë të tëra me thjeshtimin Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP), kërkesat mjedisore dhe Marrëveshja e Gjelbër, ndikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të tregtisë së lirë – gjithashtu me Ukrainën – janë pikat kryesore të ngritura.

Pasiguria e kontekstit global reflektohet edhe në ekonominë e BE-së: parashikimet ekonomike dimërore të Komisionit kanë përshkruar për vitin 2024 një fazë rritjeje me një ritëm më të ngadaltë se sa pritej dhe një ulje më të shpejtë të inflacionit sesa pritej e treguar në parashikimin e vjeshtës.

Prandaj, konkurrenca dhe rritja e ekonomisë evropiane mbeten në qendër të vëmendjes së institucioneve të BE-së, veçanërisht duke pasur parasysh urgjencën për ta bërë atë gjithnjë e më elastike.

Politika evropiane e zgjerimit është kthyer në qendër të agjendës politike evropiane.

Këshilli Evropian i dhjetorit 2023 arriti një marrëveshje historike për fillimin e negociatave të anëtarësimit për Ukrainën dhe Republikën e Moldavisë.

Në të njëjtën kohë, Gjeorgjisë iu dha statusi i “vendit kandidat”. Më në fund u njoftua se për Bosnjën dhe Hercegovinën, negociatat e pranimit duhet të fillojnë pasi vendi të ketë arritur shkallën e nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e pranimit.

Çështje të tjera në qendër të debatit politik do të jenë të pashmangshme si menaxhimi i flukseve migratore dhe azili.

Të ngjashme