Lajme
Çka po fsheh Presidentja? | Osmani refuzon të shpallë datën dhe të mos tregojë a është sipas Kushtetutës rruga e hapur për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të veriut?
Demokracia
08:36 | 04 Mars 2024

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po refuzon të marrë përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore për të caktuar datën e votimit kur qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës do të votonin nëse janë Për apo Kundër largimit të kryetarëve aktual.

Të gjithë përgjegjësinë ajo e ka hedhur tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, një institucion që nuk është i ngarkuar për të caktuar datë zgedhjesh apo votimesh, por vetëm për të organizuar zgjedhje, shkruan Demokracia.com.

Sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për zgjedhjet lokale, i vetmi autoritet në Republikën e Kosovës që shpallë datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës së Kosovës.

Në nenin 84 (3) të Kushtetutës së Kosovës thuhet se “Presidenti i Republikës shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë të tij”, kurse në nenin 4 (1) të Ligjit për Zgjedhjet Lokale thuhet se “Pas konsultimit me partitë politike, Kryetari i Kosovës cakton dhe shpall datën e zgjedhjeve lokale”.

 


Përveç kësaj, Osmani po vazhdon të mos sqarojë qytetarët e Republikës së Kosovës se përse ka vendosur që të mos shpallë datën e zgjedhjeve pas verifikimit të nënshrimeve nga KQZ-ja?

Përgjigjja e presidentes Osmani mund të rrënojë kushtetutshmërinë e rrugës së ndërtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që me Udhëzim Administrativ të largojë katër kryetarët shqiptarë të zgjedhur në proces zgjedhor plotësisht ligjor.

OSMANI ME DEKLARIM PËR MEDIA REFUZON TË SHPALLË DATËN E VOTIMIT

Presidentja Osmani ka folur në shumë raste për procesin zgjedhor në veriun e Kosovës. Gjatë kësaj jave pritet që të njoftojë për verifikimin e nënshkrimeve.

Gjatë deklarimeve të saj, Osmani ka treguar hapur se si Presidente nuk do të jetë auoriteti që do të shpallë procesin zgjedhor me anë të të cilit qytetarët e komunave veriore do të kërkonin largimin e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur më 23 prill 2023.

“Besoj që shumë shpejt KQZ do të mblidhet për ta miratuar edhe atë që quhet plan operacional që parasheh datat e të gjithave procedurave tjera, përfshirë edhe kur do të mbahet largimi i kryetareve”, ka thënë Osmani më 23 shkurt 2024, si një dëshmi e qartë se këtë çështje e ka lënë në duart e KQZ-së.

Ajo ka sqaruar më tej se vetë do të përfshihet në caktimin e datës së zgjedhjeve vetëm pasi mbi 50% e qytetarëve të çdo komune të votojnë për largimin e kryetarëve.

“Menjëherë pasi të konfirmohen rezultatet e largimit të kryetareve të cilat kërkojnë mbi 50 për qind e të gjithë trupit votues të votojnë pro dhe nëse ndodh një gjë e tillë, brenda 30 deri 45 ditë është afat i cili unë si presidente caktoj zgjedhje të reja lokale”, ka vazhduar Osmani.

Lexo më shumë:

Konfirmohet raportimi i Demokracia.com | Presidentja refuzon t’i shpallë zgjedhjet për largimin e kryetarëve të veriut, e hedh përgjegjësinë te KQZ-ja

ÇKA FSHIHET PRAPA HESHTJES SË OSMANIT?

Pavarësisht vendimit të saj se nuk do të caktojë datën ku qytetarët do të deklaroheshin se a janë pro largimit të kryetarëve, presidentja Osmani nuk ka sqaruar se për cilat arsye ka marrë këtë vendim?

Me anë të përgjigjes së saj, presidentja Osmani mund të qartësojë nëse kjo rrugë është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës?

Kjo rrugë e re është hapur ekskluzivisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me dikasterin që është nën varësinë e tij të drejtpërdrejtë, Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, kanë nxjerrë në shtator të vitit 2023 Udhëzimin Administrativ 02/2023 për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. / Demokracia.com /

Lexo më shumë për këtë temë:

Serbët nisin ta bëjnë realitet rrugën që ua hapi Albin Kurti për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore (Video)

Refuzon t’i shpallë zgjedhjet për largimin e kryetarëve të veriut | Osmani rrezikon të përfundojë në Kushtetuese për mosveprim në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve

Të ngjashme