Lajme
Serbët nisin ta bëjnë realitet rrugën që ua hapi Albin Kurti për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore (Video)
Demokracia
11:05 | 17 Janar 2024

Share:

Ashtu siç edhe pritej, për herë të parë në historinë politike të Kosovës, katër kryetarët shqiptarë së shpejti mund të largohen parakohe nga funksioni i tyre, të cilin e fituan përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

Bëhet fjalë për katër kryetarët shqiptarë të komunave të veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të cilët janë zgjedhur në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill 2023, por me pjesëmarrje simbolike të qytetarëve të asaj pjese, shkruan Demokracia.com.

Të mërkurën, më 17 janar 2024, serbët e Mitrovicës së Veriut kanë filluar të mbledhin 20% e nënshkrimeve të qytetarëve të komunës, me anë të të cilëve do të kërkojnë proces votimi shkarkimin e kryetarit Erden Atiq. Së shpejti, e njëjta rrugë pritet të ndiqet edhe në tri komunat tjera, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Kjo rrugë e re është hapur ekskluzivisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili cili me dikasterin që është nën varësinë e tij të drejtpërdrejtë, Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, kanë nxjerrë në shtator të vitit 2023 Udhëzimin Administrativ 02/2023 për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

Udhëzimi Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni është përmendur shpeshherë nga kryeministri Albin Kurti, si rrugë e vetme që mund të përfundojë mandatin e kryetarëve të veriut dhe të shpallen zgjedhjet e reja.

Në këtë mënyrë, kryeministri Kurti pas shpërdorimit të gatishmërisë së kryetarëve shqiptarë të veriut që t’i shërbejnë interesit shtetëror nën kushte të jashtëzakonshme, nuk po arrin të mbajë premtimin që ua kishte dhënë atyre se nuk do të tërhiqej nga rruga në të cilën i ftoi ta ndiqnin.

Më 11 qershor 2023, në ditën e 17-të të ngujimit të Lulzim Hetemit në objektin e komunës së Leposaviqit, kryeministri Albin Kurti tregoi për një bisedë të pazakontë telefonike me kryetarin shqiptar të Leposaviqit.

“E thirra në telefon dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Të them të drejtën kur e thirra e kisha një brengë se mos është mërzitur aty në zyre se u bënë shumë javë. Unë teksa isha i bengosur se mos është mërzitur ai, ai ishte i brengosur se mos jam mërzitur unë. Kështu që unë i shqetësuar se mos po lëshon pe ai e ai i shqetësuar se mos po lëshoj pe unë, prandaj biseda në vazhdim ishte shumë e këndshme”, njoftonte Kurti.

Por, një muaj pas kësaj bisede, Kurti lëshoi pe dhe nisi rrugën për ta larguar nga drejtimi i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe tre kryetarët e tjerë.

Më 11 korrik 2023, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje për de-eskalimin e situatës në veriun e Kosovës. Në mesin e hapave të paraparë është edhe mbajtjta e zgjedhjeve të reja në veriun e Kosovës. Kjo do të thotë edhe ndërprerje e parakohshme e mandatit të katër kryetarëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

NJOFTIMI I QEVERISË: https://kryeministri.rks-gov.net/blog/komunikate-per-media-30/

Sipas Udhëzimit Administrativ të Qeverisë Kurti, në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar, ndërsa në Zveçan që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona. /Demokracia.com/

Të ngjashme