Arte
“Cirku fluturues” – Një rrëfim kompleks i treguar përmes tmerrit dhe humorit
Demokracia
23:35 | 01 Korrik 2021

Share:

Filmi “Cirku flutures” me regji nga Fatos Berisha, erdhi për herë të parë sonte si premierë për publikun kosovar.

Me një ngjarje që vetëm në prapavijë ka luftën, “Cirku Fluturues” arrin të sjellë atmosferën e luftës në mënyrë të tërthortë, duke na bërë të bashkëndiejmë me situatën e asaj kohe më shumë se me disa filma që e kanë si temë qëndrore, shkruan Demokracia.com

I mbushur me situata skajshmërisht ekzistenciale dhe me humor intelegjent, filmi përcjell aventurën e 4 aktorëve Kushtrim (Armend Smajli), Donat (Afrim Mucaj), Fatmir (Shpetim Selmani) and Lekë (Tristan Halilaj) të cilët, në një kohë kur ishte e ndaluar vendosin të kalojnë kufirin për në Shqipëri. Ata ftohen të marrin pjesë në një festival teatrosh për të performuar shfaqje Cirku Fluturues të inspiruar nga seriali Monty Python’s Flying Circus’. Pavarësisht  dëshirës, ata në fillim ngurrojnë sepse rruga është shumë e rrezikshme, mirëpo kur e kuptojnë që në të njejtën kohë, Michael Palin nga ekipa e Monthy Python do të jetë në Shqipëri, ata vendosin të ndërrmarrin këtë rrugë.

Edhepse dëshira e tyre është shumë e thjeshtë sikur thotë Leka në një moment, ata vetëm duan të luajnë shfaqjen e tyre, sa herë që përmendet Kosova, gjërat komplikohen. dhe ideali i aktorëve kosovar lidhur me ‘vëllezërit ‘ shqipëtar dhe për Shqipërinë si ‘toka e bekuar’ kalon në faza të ndryshme, mes të cilave përfshihet edhe zhgënjimi, duke përfunduar në situata kur herë përfitohet prej naivitetit të tyre, e herë përpak nuk arrijnë qëllimin për shkak të burokracive të kota.

Pavarësisht kësaj, rrëfimi dhe personazhet e filmit vlojnë nga dëshira për të ekzistuar të lirë, për jetuar e performuar me një pasion të gjallë dhe për të treguar historinë e tyre unike.

Në një kohë kur kinematografia kosovare është duke përjetuar një rilindje si asnjëherë më parë, filmi “Cirku fluturues” është shembull i një rrëfimi të thjeshtë, me karaktere e situata komplekse të zhvilluara në mëyrë tejet organike./Demokracia.com/

Të ngjashme