Lajme
“Çështje e panegociueshme” | As një muaj nuk i zgjati fjala Kurtit, “Dinari” vjen si temë dialogu në Qeverinë e Kosovës
Demokracia
08:30 | 05 Mars 2024

Share:

Është bërë e zakonshme që pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshton diçka sot, kështu nuk do të jetë pas disa ditësh.

Që nga viti 2021, faktet janë të shumta, por më e fundit është çështja Rregullores së BQK-së, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt 2024 dhe rithekson se Euro është valuta e vetme zyrtare në Republikën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Vetëm një ditë para se të hynte në fuqi kjo rregullore, e cila ndalon përdorimin e Dinarit serb në Kosovë, kryeministri Kurti deklaronte më 31 janar 2024 se vendimi i BQK-së është i pavarur dhe i panegociueshëm.

“Vendimet BQK-së janë të pavarura dhe BQK-ja është institucion i pavarur. Rregulloret që ata i miratojnë janë krejtësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Unë besoj se duhet ta lëmë të qetë BQK-në dhe Guvernatorin Ahmet Ismailin që ta bëjë punën e tij, ashtu siç e ka fituar besimin në Kuvendin e Republikës tonë. Ai po bën punë shumë të mirë dhe ka shpjeguar qartë e saktë se në Kosovë e vetmja valutë e shkëmbimit dhe shitblerjes është euroja. Ne nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, por vetëm të sjellim ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe rregullsi edhe në veriun e Kosovës dhe gjithandej ku ka serbë në Kosovë. Ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re dardane të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në Republikën e Koosvës nuk është një çështje e negociueshme”, ka theksuar Kurti.

LAJÇAK SHKON NË QEVERINË E KOSOVËS PËR “DINARIN”

Tri javë pas deklaratës së Kurtit, zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, deklaronte më 21 shkurt 2024 se ka refuzuar një ftesë të emisarit evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për të shkuar në Bruksel dhe për të diskutuar për çështjen e “Dinarit”.

Megjithkëtë, Bislimi nuk përjashtonte që “dikush” tjetër të shkonte.

“Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transfereve nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim që duhet të shkoj kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, tha Bislimi para gazetarëve.

Ashtu kishte ndodhur dhe më 27 shkurt 2024 në takimin e Brukselit kishte shkuar Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.

https://demokracia.com/debakli-i-albin-kurtit-e-coi-bqk-ne-ne-dialog-per-dinarin-por-para-nje-muaji-deklaronte-se-vendimi-i-bqk-se-ishte-i-panegociueshem/

Refuzimi për t’u përfshirë drejpërdrejtë në këtë proces dialogu, nuk zgjati shumë.

Sot, më 5 mars 2024, zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të presë në zyrën e tij në Qeverinë e Kosovës, emisarin evropian, Lajçak, për të folur pikërisht për “Dinarin”.

“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ditën e nesërme [e martë, 09:00], Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”, ka njoftuar Kryeministria.

https://demokracia.com/dorezohet-qeveria-bislimi-te-marten-takohet-me-lajcakun

Për këtë takim, më shumë detaje ka dhënë Lajçak, në një përmbledhje që i bëri javës së kaluar dhe fillimit të kësaj jave.

“Pika kryesore në agjendën time në Bruksel javën e kaluar ishte takimi mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur përgjigje në pyetjet e hapura lidhur me vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme – në veçanti çështjen e asistencën nga Serbia për popullatën në Kosovë. Mirëprita përkushtimin e të dyja delegacioneve për gjetur një zgjidhje substanciale për komunitetet e prekura. Takimi ishte i rëndësishëm si hap i parë, sidoqoftë, shumë pikpyetje politike mbesin dhe bisedime të tjera janë të nevojshme në ditët që po vinë. Për këtë arsye, si hap të menjëhershëm qe do ta bëj, është diskutimi me Zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi”, ka njoftuar Lajçak më 4 mars 2024. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/strategji-e-lodhte-kurti-e-pranoi-dialogun-per-dinarin-ne-bruksel-bislimi-aktroi-perplasjen-me-be-ne/

https://demokracia.com/kurti-fuqizoi-dinarin-serb-shba-dhe-be-e-duan-teme-ne-dialogun-kosove-serbi/

Të ngjashme