Lajme
Dorëzohet Qeveria| Bislimi të martën takohet me Lajçakun
Demokracia
21:45 | 04 Mars 2024

Share:

Edhe pse zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pati deklaruar se çështja e dinarit “nuk do jetë pjesë e dialogut”, ky i fundit nëser do të diskutoj për këtë çështje me Emisarin Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të martën do ta presë në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Nga Zyra e Kryeministrit është bërë e ditur se takimi do të nisë nga ora 9:30, ndërsa do të diskutohet “për ecjen përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë”.

“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim ditën e nesërme, Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”, ka njoftuar Kryeministria.

Lajçak përmes një postimi në Facebook dhe ka theksuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismajli dhe drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, “ishte një hap i rëndësishëm”.

“Megjithatë, mbeten shumë pyetje politike dhe do të nevojiten bisedime shtesë në ditët në vijim. Kjo është arsyeja pse si hap i menjëhershëm i ardhshëm do të kem një diskutim vijues me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi”, shkroi Lajçak.

Ndryshe, i pari që u deklarua pas takimit të mbajtur në Bruksel në fund të muajit të kaluar, ishte shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, njëherësh kryenegociator i palës serbe në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç, i cili insistoi që diskutimet për këtë çështje të bëhen në nivel politik, derisa akuzoi palën kosovare për dëbim të serbëve nga Kosova.

Në një prononcim për gazetarë pas takimeve që u zhvilluan nën ndërmjetësimin e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, kryenegociatori serb e cilësoi ndalimin e dinarit për transaksione me para të gatshme “vendim politik” të Kosovës, qëllimi i së cilës është “dëbimi i serbëve” nga territori kosovar.

Pas Petkoviç-it u deklarua edhe guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili i cili tha se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë, dhe asgjë tjetër.

Ndërsa Lajçak, nëpërmjet një postimi në platformën “X” pas takimeve për çwshtjen e dinarit, tha se “shumë pyetje mbeten pa përgjigje” dhe së këndejmi, nevojiten takime shtesë për këtë çështje në të ardhmen.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankёs Qendrore tё Kosovёs (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Të ngjashme