Lajme
Kurti fuqizoi dinarin serb | SHBA dhe BE e duan temë në dialogun Kosovë – Serbi
Demokracia
19:40 | 13 Shkurt 2024

Share:

Pa asnjë nevojë dhe kur askush nuk po diskutonte për këtë temë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e bën temë të negociatave me Serbinë edhe një çështje tjetër të rregullimit të brendshëm, siç është valuta legale në Republikën e Kosovës.

Me kryeministrin Kurti krejt papritur “Dinari” i Serbisë u fuqizua dhe përveç vëmendjes që mori në mediat ndërkombëtare e deri në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, valutës serbe po i rritet vlera edhe në një drejtim tjetër, shkruan Demokracia.com.

Dinari serb dhe përdorimi i tij në Kosovë shumë shpejt pritet të bëhet temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky rezultat i keq i kryeministrit Kurti, ku përfshihet edhe thyerja e raporteve me aleatët e shtetit të Kosovës, erdhi në vetëm dy muaj dhe mund të thellohet nëse ai do të pranojë që kjo çështje të kalojë në dialogun e Brukselit, pasi siç dihet në çdo temë dialogu asnjëra palë nuk arrin gjithçka që synon.

Njoftimi i kryeministrit Kurti i datës 12 shkurt 2024 se do të mundësohet një fazë tranzitore gjatë së cilës qytetarët serbë do të njoftohen më shumë për Rregulloren e BQK-së, nuk ishte i mjaftueshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

13 SHKURT 2024

Edhe pas këtij njoftimi të kryeministrit Kurti, SHBA-ja ka përsëritur kërkesën që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të fascilituar nga Bashkimi Evropian si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata, e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”, ka thënë të martën, më 13 shkurt 2024, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi.

28 JANAR 2024

SHBA-ja ka mbështetur kërkesën që kjo çështje të bëhet temë e dialogut edhe në reagimin e përbashkët të ambasadave të QUINT-it, pra ku bëjnë pjesë SHBA, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ambasadat e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e përbashkët se Rregullorja e BQK-së “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe. Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbi”.

Për herë të parë në këtë reagim përmendet ideja që “dinari” të bëhet temë e dialogut të Brukselit.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me kryeministrin të premten, Quinti kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e QUINT-it të datës 28 janar 2024.

29 JANAR 2024

Kjo temë që i takon rregullimit të brendshëm të Republikës së Kosovës mund të bëhet temë e dialogut Kosovë – Serbi, sidomos pas presionit të Bashkimit Evropian.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti që lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 29 janar 2024.

Edhe BE ka mbajtur qëndrim të njëjtë me SHBA-në për Rregulloren e BQK-së.

“BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetin me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja, po ashtu, ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, ka deklaruar Stano.

“Dinari” i Serbisë është bërë lajm ndërkombtar kohëve të fundit, pasi lajmi për këtë çështje është pasqyruar në media të ndryshme ndërkombëtare duke ngjallur edhe reagime të shumta të qeverive të ndryshme. /Demokracia.com/

Të ngjashme