Lajme
Strategji e lodhtë | Kurti e pranoi dialogun për “Dinarin” në Bruksel, Bislimi aktroi “përplasjen” me BE-në
Demokracia
11:24 | 23 Shkurt 2024

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u tregua i ashpër me emisarin evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, më 21 shkurt 2024, deri sa po i kthente publikisht përgjigje lidhur me ftesën e tij që palët të diskutojnë në Bruksel për çështjen e “Dinarit” serb.

Lajçak u akuzua nga Bislimi publikisht se me dërgimin e kësaj ftese kishte shkelur “parimet që i ka vendosur vetë”, pasi sipas tij “është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”, shkruan Demokracia.com.

Me anë të kësaj akuze të rëndë, zëvendësi i Kurtit është përpjekur që ta zhvendosë vëmendjen nga tema kryesore, siç është fakti se Qeveria Kurti ka pranuar që përdorimi i “Dinarit” të Serbisë në Kosovë të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel.

Bislimi ka arritur ta bëjë lajm kryesor gjuhën e tij të ashpër dhe jo përmbajtjen në vazhdim të deklaratës së tij, me anë të së cilës ai pranon se “…do të shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për Dinarin”.

Por, me gjithë përpjekjet e Qeverisë për të fshehur dështimin, me apo pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejë të Kurtit dhe Bislimit në dialogun për “Dinarin”, përdorimi i valutës serbe në Kosovë do të diskutohet në kryeqendrën evropiane, në Bruksel, në tryezën e ndërmjetësuesit të dialogut, Miroslav Lajçak.

BE: PALËT JANË FTUAR TË VIJNË MË 27 SHKURT 2024

Vetëm një ditë më pas, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i ka reaguar pretendimeve të Bislimit për sjelljen e emisarit evropian, duke thënë se “Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”.

Pas kësaj, Stano ka zbuluar se ftesat për takim në Bruksel u janë dërguar palëve, pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka pasur takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell pati takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Munih javën e shkuar, ku u diskutua kjo çështje [Dinari]. Si rrjedhojë e këtij takimi, i dërguari i posaçëm Mirosllav Lajçak i ftoi dy palët që të vijnë në Bruksel me 27 shkurt”, ka thënë Stano, përcjell Demokracia.com.

“Përplasjet” publike me zyrtarët e Bashkimit Evropian duket se janë pjesë e një strategjie të kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët vetëm me fjalë deklarohen kundër emisarit evorpian, por deri më tani asnjë ide e tij nuk është refuzuar. Madje, Kurti nuk ka refuzuar as Zajednicën me arbitrazh dhe me autonomi për serbët. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Pushteti inskenon “përplasjen” | Kurti me fjalë kundër Lajçakut dhe asnjë ide nuk ia refuzoi, as Zajednicën me arbitrazh dhe autonomi për serbët

Të ngjashme