COVID-19KosovaSot:8Të gjitha:272,075|Bota 623,014,271
OpEd
Brejtje e ngadaltë ekonomike e Gjermanisë
Demokracia
09:34 | 10 Gusht 2022

Share:

Shkruan: Henrik Böhme

Gjermania nuk po del nga gjendja e krizave të njëpasnjëshme: Corona, lufta e Ukrainës, ngushticat në gaz. Krizat që pasojnë njëra-tjetrën po nxjerrin nga shinat edhe ekonominë më të fortë europiane, mendon Henrik Böhme.

Dobësimi ekonomik nuk vjen brenda një fundjave. Ai vjen ngadalë e i pazëshëm. Shenjat paralajmëruese mund t’i dallosh, nëse shikon mirë shifrat e statistikave. Njëherë ato tregojnë problemet me prodhimin në industri, tjetër herë rënien e porosive, rënien e xhiros tek tregtia me pakicë etj. Kjo e fundit, sipas njoftimit të këtyre ditëve ka rënë në qershor (duke hequr inflacionin) me 9% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas staticienëve një rënie e tillë nuk ka ndodhur kurrë prej 28 vjetësh. Tingëllon dramatike, dhe kështu është. Nga njëra anë për vetë këtë tregti, që sidomos në vitet e Coronës vuajti më shumë, nga ana tjetër kjo tregon, se njerëzit nuk e shpenzojnë paranë, për shkak të shumë pasigurive që krijohen me luftën në Ukrainë, inflacionin në rritje, dhe së fundmi frika nga shkallëzimi i konfliktit në Tajvan. Jo vetëm ariu rus që po shkatërron Ukrainën, edhe dragoi kinez është me humor të keq.

Inflacioni do të rritet më tej

Askush nuk është më i sigurtë, se çfarë ndikimi do të kenë këto zhvillime në jetën e përditshme. Gjithçka po shtrenjtohet – asnjëherë nuk ka qenë kaq e saktë kjo, sa këto kohë. Edhe nëse inflacioni për momentin në Gjermani po mbetet në vend, ose ka një tendencë uljeje, ky është vetëm një konstatim i momentit e madje jo real, për shkak të dy masave të kufizuara në kohë. E para bileta 9. euro për trafikun urban dhe tjetra rabati në pikat e karburantit. Të dyja marrin fund me përfundimin e gushtit dhe nuk do të kalojë shumë kohë, derisa inflacioni të jetë dy shifror. Kësaj i shtohet: Qiradhënësit i dërgojnë vetëm vitin e ardhshëm faturat e rrymës elektrike dhe ngrohjes, që janë shtrenjtuar shumë së fundmi.

E me këtë nuk është arritur ende fundi i spirales së çmimeve. Ka disa llogaritje të përafërta, po sa do t’u kërkohet të paguajnë vërtet më tepër klientëve për të pasur një shtëpi të ngrohtë, ujë të ngrohtë dhe rrymë të mjaftueshme. Trefishin? Katërfishin më shumë? Kjo i bën njerëzit të jetën të kujdesshëm në shpenzimin e parave, blerje të mëdha shtyhen për më vonë, dhe në supermarke dalin më në fokus produktet me çmim më të leverdisshëm.

Spiralja e rrezikshme e çmimit dhe rrogës

Këto zhvillime kanë aktivizuar sindikatat që kërkojnë në raunde negociatash, të paktën kompensimin e inflacionit. Kërkesat janë të larta. Për punonjësit e portit në Hamburg ka një ofertë është për 12,5% më shumë rrogë, por sipas sindikatës Verdi, kjo është shumë pak. Tek Lufthansa u arrit një kompromis për rrogat e personelit në aeroport me një rritje prej 19%. Por me këtë ekziston rreziku i një spiraleje rrogë-çmim, benzinë për zjarrin e recesionit, sepse rrogat më të larta sjellin me vete edhe çmime më të larta.

Po grumbullohen re të errëta. Atmosfera në ekonominë e mesme, shtylla e ekonomisë gjermane, është pesimiste. Një indikator i bankës shtetërore, Kfw ka rënë ndjeshëm. Pritshmëritë janë kaq të këqija “si para recesioneve të mëdha”, thuhet. Të tjerë fillojnë e projektojnë frikën e largimeve masive nga puna për shkak të rritjes së lartë të çmimeve të energjisë. Pesë milionë vende pune i sheh të rrezikuara, kreu i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë në Mynih. Një skenar i mundshëm.

Do të kthehet Gjermania si në fund të viteve 90-të sërish në “të sëmurën e Europës”? E çfarë nënkupton kjo për Europën, nëse lokomotiva ekonomike e Gjermanisë bën një frenim të plotë? Asgjë të mirë. Prandaj Europa duhet që në mënyrë të solidarizuar t’u qëndrojë përpjekjeve të shantazhit me energjinë nga Kremlini. Sepse nëse Putini ia del të përçajë Europën dhe të dobësojë ndjeshëm ekonomitë popullore, ai e arrin njërin nga qëllimet e tij. Këtë Europa duhet ta pengojë me çdo çmim, Me solidaritet europian dhe vendime të mençura të qeverive që i ndihmojnë njerëzit të kalojnë këtë periudhë të vështirë. Propozimet dhe apelet për kursimin e energjisë nuk mjaftojnë.

Të ngjashme