Lajme
Blinken: Rusia do të përballej me vështirësi në Ukrainë nëse nuk do të kishte ndihmën e Kinës
Demokracia
16:08 | 26 Prill 2024

Share:

Rusia do të përballej me vështirësi në pushtimin e saj në Ukrainë nëse nuk do të kishte ndihmën e Kinës, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Antony Blinken pas bisedimeve me kryediplomatin kinez, Wang Yi, i shprehu shqetësimet e tij se “Kina po e fuqizon luftën brutale dhe agresionin rus kundër Ukrainës”.

“Kina është furnizuesi kryesor i makinerisë, mikroelektronikës dhe nitrocelulozës e cila është thelbësore në prodhimin e municioneve, raketave dhe artikujve tjerë që Moska i përdor për të përforcuar bazën e saj industriale të mbrojtjes”, tha Blinken.

Sipas Sekretarit amerikan, ajo bazë industriale “po prodhon raketa, dronë, tanke dhe armë të tjera që presidenti rus, Vladimir Putin, po i përdor për të pushtuar një vend sovran, shkruan skynews,

Gjithashtu, Blinken shtoi se këto armë “po përdoren për të shkatërruar rrjetin elektrik, infrastrukturën dhe për të vrarë fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm”.

“Rusia do të kishte vështirësi në sulmin e saj ndaj Ukrainës pa mbështetjen e Kinës”, tha Sekretari.

Blinken shtoi: “Në takimet e mija me aleatët e NATO-s dhe partnerët tanë të G7 dëgjova të njëjtin mesazh. Baza industriale e mbrojtjes ruse jo vetëm që e kërcënon sigurinë e Ukrainës por edhe atë të Evropës”.

Siç vlerëson Antony Blinken, Kina nuk mund të ketë marrëdhënie të mira me Evropën nëse vazhdon të mbështesë kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane që nga fundi i Luftës së Ftohtë, atë rus.

“Në diskutimet tona, e bëra të qartë se nëse Kina nuk e trajton këtë problem, do ta trajtojmë ne”.

Të ngjashme