Lajme
Aliu: Tmerruese se si raportet e shërbimeve dhe mediave serbe konsiderohen si fakte nga Human Rights Watch
Demokracia
21:00 | 10 Shtator 2023

Share:

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një postim në rrjetin social Facebook, ka shprehur shqetësimin e tij ndaj raporteve të fundit të përdorura nga Frederic Abrahams i Human Rights Watch kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale. Ministri Aliu ka theksuar se disa prej këtyre raporteve janë të pasakta, tendencioze dhe janë përdorur për të akuzuar UÇK-në në mënyrë të padrejtë.

Ai vlerësoi se është tmerruese të shohësh se raportet e shërbimeve dhe mediave serbe janë përdorur si dëshmi dhe janë pranuar si fakte nga organizata të njohura ndërkombëtare, siç është Human Rights Watch (HRW).

Duke u bazuar në dëshmitë e deritanishme të dëshmitarit të prokurorisë në Hagë, Frederic Abrahams, ministri Aliu tha se qëndrimet e dala nga institucionet e Serbisë, të cilat ai i cilësoi si të përpunuara dhe tendencioze, janë publikuar nga HRW pa bërë verifikimet e duhura në terren.

Ministri Aliu përfundoi duke shprehur bindjen e tij se duhet të ketë drejtësi për çdo viktimë të krimit, pa dallim të etnisë, dhe se UÇK-ja do të dalë plotësisht e pafajshme.

Ai theksoi se Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë dhe e pashmangshme dhe se njohja e kësaj të vërtetë do të ndihmojë në krijimin e kushteve për paqe dhe bashkëjetesë të qëndrueshme në rajon.

Postimi i plotë i ministrit Aliu:

Të ngjashme