Lajme
Aktivizohet kampi i LVV-së, sulme të ashpra ndaj Ramës për draftin e Asociacionit
Demokracia
13:43 | 08 Qershor 2023

Share:

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë reaguar pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një adresim për media, bëri të ditur se ka dërguar në Berlin dhe Paris një Draft për Acsociacionin e komunave me shumicë serbe.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi ka ironizuar duke thënë se kryeministri i Shqipërisë kot e ka dërguar Draftin tek Macron e Scholz pa ia dërguar fillimisht atë Dejona Mihalit.

“Rama paska dërguar draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe te Scholzi dhe Macroni. Kot i dërgon në Berlin e Paris pa i dërguar njëherë te Dejona Mihali”, ka shkruar deputeti Rrustemi.

Ka reaguar po ashtu edhe deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja. Sipas tij duke dërguar këtë draft në Berlin e Paris, “Rama vetëm po e shpërfaqë dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin”.

“Duke dërguar statut për ‘Asociacionin’ në Berlin e Paris, Rama vetëm sa po e shpërfaq dhe forcon Asociacionin e tij me Vuçiqin. Fort i kapur diku për krim e korrupsion duhet të jetë Edi Rama gjersa detyrohet t’ia bëjë këtë mënyrë vetes publikisht para gjithë kombit shqiptar”- është shprehur Muja në Facebook.

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, ka reaguar pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ia ka propozuar kancelarit Scholz dhe presidentit Macron një draft statut të Asociacionit për Kosovën.

Ai e ka pyetur kryeministrin Rama se a ka dërguar tek bashkësia ndërkombëtarë ndonjë statut për ndonjë asociacion për shqiptarët e luginës.

“Qenka shqetësu Kryeministri Edi Rama për shqetësimin e mikut të tij, e që është Asociacioni. Bile e paska marrë mundin me draftu një statut!

Z. Rama, a keni dërguar tek bashkësia ndërkombëtare ndonjë statut për ndonjë Asociacion për shqiptarët e Luginës?

I dashur Kryeministër Rama, e di që në të kaluarën politikanë tanë në Kosovë të kanë ngarkuar me shqetësime të ndryshme, dhe vetëm mundem të falenderoj për kontributin tuaj, mirëpo kanë ndërruar kohërat dhe personalisht të liroj nga ky shqetësim, sepse Kosova tani ka mjaft njerëz që kujdesen dhe shqetësohen për Kosovën”, ka shkruar ai.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme i ka përcjellë kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Macron një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe..

Rama ka thënë se ky është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, siç ka thënë ai kur palët nuk po arrijnë të merren vesh assesi.

“Është një draft i punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë e evropianë, prej kohësh, gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë, kur palët dhe në këtë rast për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë, që bën atë që ka bërë edhe herë të tjera. Palët s’po merren vesh se as kush duhet ta shkruajë këtë tekst. Ky natyrisht është dokument konfidencieal, që nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar”, tha Rama.

Të ngjashme