Lajme
Absurditete nga Kurti | Kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve lokale për shkak të pandemisë, dëshiron zgjedhje nën kërcënimet për luftë nga Serbia
Demokracia
14:23 | 26 Mars 2024

Share:

Më 21 mars 2024, në gjysmë të natës, kryeministri Albin Kurti publikoi pamje të njësive të specializuara të ushtrisë së Serbisë vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjskë të Zubin Potokut.

Ky afrim i ushtrisë së Serbisë pranë kufirit me Kosovën, për kryeministrin Kurti ndërlidhet drejtpërdrejtë me paralajmërimin e para disa ditëve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kërcënoi publikisht Kosovën duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar”, shkruan Demokracia.com.

“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkroi Kurti në fund të postimit të tij.

22 MARS 2024 – KURTI I GATSHËM TË “SHKUJDESET” PAK DHE VENDI TË HYJË NË VORBULLËN E ZGJEDHJEVE

Më 22 mars 2024, vetëm disa orë më vonë, Kurti u shfaq në një konferencë të jashtëzakonshme me rastin e trevjetorit të Qeverisë së tij.

Ndonëse pak para mesnatës kishte publikuar video nga rreziku që po i kanoset Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti la pas “gatishmërinë” e tij për të qenë kujdestar i shtetit duke u deklaruar i gatshëm për ta “harruar” për disa javë apo muaj rrezikun nga lufta dhe ta çojë Kosovën në një rrugë të re – zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.

Nga e njëjta konferencë për media, Kurti u shpreh i gatshëm për të hyrë në një proces zgjedhor.

“Nëse opozita është e interesuar që të mos i kemi 12 muaj në vitin e fundit, por t’i kemi më pak muaj, atëherë jemi të gatshëm të ulemi dhe ta bëjmë shpërndarjen e Kuvendit, por jo ta rrëzojmë Qeverinë. Të shkojmë në zgjedhje të reja me shpërndarje të Kuvendit. Qeveria s’ka pse të rrëzohet kur është e mbarë dhe e mirë”, deklaronte Kurti.

https://demokracia.com/kurti-nuk-jep-doreheqje-kerkon-te-shkarkohet-nese-opozita-eshte-gati-e-shperndajme-kuvendin-dhe-shkojme-ne-zgjedhje/

13 SHTATOR 2021 – KURTI: JEMI PËR SHTYRJEN E ZGEDHJEVE LOKALE PËR SHKAK TË PANDEMISË

Kjo situatë, pra kur Kurti është i gatshëm të hyjë në një proces zgjedhor një vit para përfundimit të mandatit ligjor ndonëse në kufi të Kosovës ushtria e Serbisë, sipas tij, po pret urdhrin, nxjerrë në pah absurditetin sesi i bënë punët shtetërore Kurti, i cili është i gatshëm të lë pas “rrezikun” për vendin dhe të mendojë për fatin e tij politik.

Në shtatorin e vitit 2021, kryeministri Kurti, si kryetar i Vetëvendosjes, iu kishte përgjigjur ftesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, për të dikutuar për mundësinë e shtyerjes së datës për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale, e cila ishte caktuar për në muajin tetor 2021.

Kurti, asokohe “shqetësohej” shumë për shëndetin e qytetarëve të Kosovës për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kishte mbështetur publikisht idenë që të shtyhej data për mbajtjen e atyre zgjedhjeve.

“Jemi në vëzhgim të situatës me pandemi në mënyrë që ky përmirësim mos të ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi valë të re pasi versioni delta është ekskluziv në muajt tetor e dhjetor. Ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë dhe do të pajtohemi me cilindo zgjidhje. Kërkojmë të dëgjohet mendimi i ekspertëve shëndetësorë”, deklaronte Kurti më 13 shtator 2021, pas takimit.

https://demokracia.com/kurti-jemi-per-shtyrje-te-zgjedhjeve-lokale/

Kryetari i VV-së kishte mbështetur idenë e shtyerjes së zgjedhjeve jo për shkak të shqetësimeve për përhapjen e virusit, por për shkak se të dhënat nga sondazhet tregonin se partia e tij, Vetëvendosje, mezi do të arrinte të fitonte ndonjë komunë.

Këmbëngulja e Kurtit për shtyrjen e Zgjedhjeve Lokale ishte më shumë kalkulim i tij politik, pasi të dhënat që i merrte nga sondazhet dolën edhe të vërteta. Kandidatët për kryetar të Vetëvendojes i humbën të gjitha komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica e Jugut.

Pikërisht, nën kalkulimet e reja politike, Kurti është deklaruar i gatshëm për të çuar vendin në një proces të shpejtë zgjedhor, duke lënë anash përkohësisht “rrezikun” e sulmit nga Serbia. / Demokracia.com /

https://demokracia.com/zgjedhjet-e-reja-pas-dy-vitesh-me-shperndarje-te-frikes-per-lufte-albin-kurti-gjen-strehen-tjeter-per-tu-fshehur-nga-keqqeverisja-dhe-deshtimet-ne-dialog-me-serbine/

Të ngjashme