Lajme
Zjarrfikësit shënojnë ditën e tyre, zgjedhin të mos protestojnë por të nderojnë të rënët në detyrë
Demokracia
21:02 | 04 Maj 2024

Share:

Mëngjesin e sotëm janë parë disa automjete të zjarrfikësve duke kaluar nëpër rrugët e Prishtinës. Kjo pasi 4 Maji njihet si dita Ndërkombëtare e tyre. I gjithë ky organizim u bë për herë të parë në Kosovë. Në këtë ditë ata zgjodhën të mos protestojnë, por të nderojnë të rënët në krye të detyrës.

Mëngjesin e së shtunës dolën të parakalojnë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Nën përcjellje të Policisë, zjarrfikësit e Prishtinës nderuan kolegët e tyre të cilët shërbejnë në këtë profesion.

E krejt kjo u bë për shkak se 4 maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve.

Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi tha se kjo po ndodh për herë të parë në Kosovë.

“4 Maji është Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve për herë të parë e kemi organizu në shenjë nderimi për të gjithë zjarrfikësit që kanë rënë në krye të detyrës po sigurisht pa i anashkalu edhe zjarrfikësit që janë gjallë jo ata që vetëm kanë vdekur por edhe që çdo ditë e rrezikojnë jetën e tyre për t’u dalë në shërbim qytetarëve”, ka thënë ai.

I gjithë ky organizim ka marrë kohë më shumë se një javë.

Por, Gashi tha që dëshira e tyre ka qenë që të jetë ditë pune dhe të ketë fluks më të madh të njerëzve.

Ndonëse çdoherë janë të zëshëm me kërkesat e tyre ndaj Qeverisë, në këtë ditë zgjodhën të mos protestojnë.

“Sa i përket protestave në ditën e sotme, sot nuk kisha thënë që duhet të kemi protesta ose edhe kërkesa të shumta sepse është një ditë që nderojmë zjarrfikësit e rënë dhe për ata të cilët janë në detyrë vazhdimisht”, ka thënë ai.

Në vizitë tek zjarrfikësit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Të ngjashme