Zëvendësministri i Bujqësisë, Imri Demelezi i shoqëruar nga zyrtarja për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në MBPZhR, Donika Ahmeti ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve të Komunës së Prishtinës, Klubit “Dëshira” dhe përfaqësuesin e “Shoqatës Handicap Kosova”.
Gjatë këtij takimi u diskutua për problemet dhe shqetësimet që ata i kanë lidhur me qasjen në sektorët ku udhëheq MBPZHR-ja.
Me këtë rast ata kërkuan që përmes politikave të mirëfillta të hartohen legjislacione, të cilat do të përmirësonin qasjen apo realizimin e të drejtave të tyre.
Zëvendësministri Demelezi u zotua se do të angazhohet që të krijojë qasje të barabartë për të gjithë personat me aftësi të kufizuar në mënyrë që këta të integrohen tërësisht ne sektorët e MBPZHR-së, në veçanti të sektorit të bujqësisë ku gjithsecili do të jepnin kontribut për zingjirin ushqimor në vend, shkruan kp.
Angazhimi i zëvendësministrit Demelezi për këta persona do të intensifikohet gjatë vitit të ardhshëm, bazuar edhe në atë që kryeministri Albin Kurti e ka shpallur 2022-tën Vit të Personave me Aftësi të Kufizuara.