Lajme
“VV-ja shtyllë e katërt e opozitës shqiptare në Maqedoni” | Kurti në Shkup nuk i jep fund politikës së tij përçarëse
Demokracia
22:06 | 22 Janar 2024

Share:

“Unë sot jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizje Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për të sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes të këtij regjimi që është në RMV. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”.

Kjo ishte porosia Lëvizjes Vetëvendosje që drejtohet nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përcjellur më 24 dhjetor 2023 nga këshilltari i tij politik për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku, për tri partitë politike shqiptare në Shkup (Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike) të cilat së bashku kanë krijuar bllokun opozitar shqiptar (Lëvizja Evropiane për Ndryshim) për të kundërshtuar BDI-në e Ali Ahmetit.

Kjo datë shënon edhe zyrtarisht pozicionimin e qartë politik të partisë së kryeministrit Albin Kurti, në spektrin politik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, shkruan Demokracia.com.

Pozicionimi politik i Vetëvendosjes dhe Kurtit vjen në një moment historik për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pasi më 28 janar 2024, Kuvendi i Maqedonisë do të votojë për formimin e Qeverisë teknike me kryeministër një shqiptar, Talat Xhaferin.

Pavarësisht momentit historik, Kurti vazhdon të mbajë qëndrimin e tij në mbështetje të tri subjekteve politike shqiptare dhe opozitare në Maqedoninë e Veriut dhe të mos dalë në mbështetje të idesë për “kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni”.

Të hënën, më 22 janar 2024, derisa ndodhej në Shkup në Samitin BE – Ballkani Perëndimor, Kurti kishte mundësinë që të bënte shkëputjen duke i dhënë fund pozicionimit kundër BDI-së dhe njëkohësisht politikës përçarëse, por ai nuk e bëri këtë.

Në përgjigjen e tij dhënë medieve, lideri i Vetëvendosjes vetëm bëri disa konstatime të ditura publikisht se si VV-ja nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, deklaroi Kurti. / Demokracia.com /

Lexo për këtë temë:

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni | Albin Kurti del kundër arritjes historike, në momente kritike bëhet bashkë me disa partiçka kundër BDI-së së Ali Ahmetit

Në prag të votimit të kryeministrit shqiptar në Maqedoni, Kurti i “ndërsen” këshilltarët e tij kundër Ali Ahmetit

Në prag të votimit historik të kryeministrit shqiptar në Maqedoni, tri partitë opozitare shqiptare që mbështeten nga Kurti shpallin bojkotin e Kuvendit (VIDEO)

Ali Ahmeti për Albin Kurtin: Po ndërhyn në punët e brendshme të shqiptarëve në Maqedoni

Të ngjashme