Lajme
Në prag të votimit historik të kryeministrit shqiptar në Maqedoni, tri partitë opozitare shqiptare që mbështeten nga Kurti shpallin bojkotin e Kuvendit (VIDEO)
Demokracia
09:34 | 06 Janar 2024

Share:

Data 28 janar 2024 po afron dhe bashkë me të edhe momenti historik për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku pritet që për herë të parë një shqiptar të votohet për Kryeministër.

Kandidati tashmë dihet dhe emri i Talat Xhaferit është shpallur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, shkruan Demokracia.com.

Por, vetëm 3 javë para kësaj, tri partitë shqiptare opozitare, që përbëjnë koalicionin Lëvizja Evropiane për Ndryshim (LEN) dhe që mbështeten publikisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, kanë shpallur bojkotimin e punës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Duket i çuditshëm ky vendim i partive shqiptare, të cilat përbëjnë një grup paralamentar prej 6 deputetësh, 3 nga grupi i Izet Mexhitit që ishte larguar nga BDI, 2 deputetë nga Alternativa dhe 1 deputet nga Lëvizja Besa, sidomos kur dihet se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbahet më 24 prill të vitit 2024, ndërsa raundi i dytë të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj të vitit 2024.

Arsyeja për këtë vendim është dhënë të premten më 5 janar 2023, në një konferencë të përbashkët para gazetarëve të frontit opozitar shqiptar. LEN, vazhdon të kërkojë që përfaqësuesi i tyre të emërohet në Komisionin Shtetëror Zgjedhor.

“Prej sot grupi parlamentar i LEN-it nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit gjithnjë deri sa kandidati ynë për KShZ, Abdush Demiri, nuk do të vihet në rend dite në seancë plenare. Ky është vetëm hapi jonë i parë. Nëse edhe pas kësaj kjo shumicë edhe kryetari i Kuvendit vazhdojnë ta sabotojnë të drejtën tonë për anëtarë të KShZ-së, ne do të jemi të detyruar t’i ashpërsojmë masat e kundërshtimit. Se a do t’i bllokojmë vendvotimet në Çair dhe në Tetovë apo do të ketë edhe ndonjë masë edhe më radikale, këtë do ta shqyrtojmë brenda koalicionit.”, theksoi deputetja e Alternativës, Safije Sadiku Shahini.

Më 28 janar 2024, Kuvendi i Maqedonisë do të votojë për formimin e Qeverisë teknike me kryeministër një shqiptar, Talat Xhaferin, shkruan Demokracia.com.

Që kjo do të ndodhte ishte paralajmëruar gati katër vite më herët nga ish-drejtuesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, në cilësinë e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, më 22 qershor 2020.

Të ngjashme