OpEd
Vullneti për pushtet!
Demokracia
11:04 | 10 Janar 2023

Share:

Vullneti për pushtet është kushti i parë për të qenë serioz në politikë. Normalisht, nuk mund të pretendosh që mjafton të kesh vullnet për pushtet, në mënyrë që ta mendosh seriozisht se pushteti të takon me çdo kusht.

Shkruan: Altin Ademi

Për të qenë serioz në politikë, duhet të jesh fillimisht shumë serioz rreth detyrës për të kuptuar vullnetin dhe kushtet e tij. Pas atij vullneti qëndron një listë e gjerë idesh, pikëpamjesh, zgjidhjesh dhe vendimesh, të cilat e kanë një bazë të moralit publik, të efikasitetit qeverisës dhe të shërbimit ndaj qytetarëve.

Si realisht arrihet tek një vullnet i tillë? Historia politike moderne ka treguar se kushdo që ka pretenduar ta “blejë” të njëjtin, vetëm ka paguar por nuk ka mundur ta “blejë” atë. Historia po ashtu ka treguar se një vullnet i tillë, nuk është se mund të mbillet si lakër në kopsht, të cilin mund ta presësh gjersa të rritet. Historia po ashtu ka treguar se vullnetin politik, nuk mund ta ngjizësh as në laborator. Atëherë, nëse as paratë, as formulat kimike e as fotosinteza, nuk qenkan kusht për të poseduar një vullnet politik, domosdoshmërish se vjen  në shprehje diçka krejt e natyrshme për psikologjinë sociale të njeriut si qenie, e ajo është vetëdija politike.

Pra, është vetëdija politike, kushti bazë mbi të cilin mund të manifestohet një vullnet politik dhe vetëm një vullnet politik që qëndron mbi një vetëdije politike është si të thuash, mjaftueshëm legjitim për të qenë vullnet për pushtet.

Sa i përket vetëdijes politike si kusht, larg çdo tendencë të filozofuarit, ka një kriter unversalisht të pranuar e që është thjeshtë: mënyra e përbashkët e jetesës.

Pra, vetëdija politike i ka dy anë. Së pari, një ndërgjegjësim për vetën dhe së dyti, një nevojë që ky ndërgjegjësim të ngrihet mbi vetën, në atë çfarë është e përbashkët për të gjithë. Për një vetëdije të tillë politike, kusht është thellimi në të kuptuarit e dinamikave shoqërore dhe ideve që mund të jenë zgjidhje për një mori çështjesh që janë preokupim i përbashkët.

Ky është dimensioni fundamental i politikës: të kesh një ide se ku gjendesh, të kesh një ide se ku do të shkosh, të kesh një ide se çfarë duhet të bësh për të shkuar atje ku dëshiron të shkosh, si dhe të kesh guxim e vullnet për t’u nisur asaj rruge. Kjo përfshinë dimensionin e të menduarit dhe dimensionin e të vepruarit. S’ka politikë pa ide. S’ka politikë pa veprim. Pa ide e pa veprim, njeriu nuk është më “zoon politikon”.

Por si qëndron ky raport në kampet politike kosovare. Vullneti për pushtet fshihet. Ai nuk bëhet i qartë as si qëllim, as si nevojë. Ai fshihet pas plot kalkulimesh tjera që janë krejt të panevojshme. Dhe kjo e lëndon në masë të madhe raportin kontraktual në mes të politikës dhe qytetarit. Fundja, çfarë mund të pritet nga politikanë që nuk kanë guxim të qëndrojnë në lartësinë e detyrës së tyre të parë: të kenë vullnet për pushtet dhe të kërkojnë t’i fitojnë zgjedhjet për t’i bërë ndryshimet dhe transformimet e duhura shoqërore, apo nga politikanë që janë në pushtet dhe nuk i prodhojnë ndryshimet e transformimet për të cilat shoqëria ka nevojë.

Krahas kësaj, në shkallë të gjerë mungon edhe vetëdija politike. Jo për vetën por për tjetrin. Për bashkësinë. Për të ardhmen. Ajo çfarë shpaloset si e ardhme shpesh paraqitet në mënyrë utopike sepse politikanët kosovarë kanë frikë të zhvishen nga utopia pasi që në një gjendje jo utopike, ata duhet të kenë ide dhe zgjidhje konkrete, për situata konkrete.

Në mungesë të vullnetit transparent për pushtet, si rrjedhojë, kohëve të fundit ka dalë në pah një tipar thellësisht “narcizoid” i shpalosjes së përvojave personale të politikanëve përmes Facebookut, thuajse qytetarët e Kosovës duhet ta kenë për meny ditore, ngarendjen pas narcizoizmit të tyre.

Pse s’ka mirëfilli vullnet për pushtet qëndron pikërisht në këtë arsye, pasi që politikanët e të gjitha kampeve, e shohin detyrën e tyre si një detyrë komentuesi, më shumë sesa si një detyrë pushteti. I shohin tubimet me zgjedhësit e tyre si “tubime lutjesh” e jo si tubime për të ndërtuar kohezion për transformimin që duhet të ndodhë. E shohin politikën si stil, por absolutisht jo si mobilizim për ndryshim.

Të gjitha këto tregojnë dy gjëra: ose politikanët kosovarë janë rastësisht në politikë, ose janë thellësisht jo serioz në mënyrën se si i qasen politikës. Jeta është çështje shumë serioze. Politika është një aspekt shumë serioz i jetës, sepse ajo prodhon ngjarje që iu japin drejtim zhvillimeve.

Të ngjashme