OpEd
Dorëheqja? Standarti që theu Sali Berisha!
Demokracia
23:25 | 03 Maj 2024

Share:

Shkruan: Ylli Pata

Në kohën e sundimit të tij, nuk ishte problem, pasi siç dihet, sa herë ka pas, atëhërë kur ka pasur një hetim prokurorie, Sali Berisha, qoftë në Presidencë, qoftë në Kryeministri i është përgjigjur me dhunë.

Dihen tashmë rastet kur çdo prokuror që ka pasur guximin, madje edhe kur ishte në opozitë Sali Berisha, që ta hetojë, ka shkuar në internim.

Nasip Naço, shpëtoi se Ilir Meta e bëri deputet pasi hetoi Sali Berishën për 1 shtatorin 1997. Ndërkohë kolegët e tij Bujar Himçi, Ylli Bedalli apo oficerë të lartë policie si Veli Myftari, janë degraduar, futur në kurth e në burg, vetëm se patën hetuar Sali Berishën.

E kur Sali Berisha u cilësua i pandehur nga prokurorët e Republikës, e Parlementi e miratoi, Berisha nuk u tërhoq, por sulmoi drejtësinë.

Mbrëmë, Ylli Manjani, me një ton teatral krahasoi videon Meta-Prifti me hetimin e sotëm ndaj disa zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, e tha pa ju dridhur qerpiku, se Ilir Meta ishte më dinjitoz se Erion Veliaj.

Kur Ilir Meta, që nga dita që i ndodhi skandali me bllok, ku ai vetë, jo drejtorët e tij ndante lekët për vete e të tjerët, shkoi në darkë te Sali Berisha për t’i bërë presion Gjykatës së Lartë.

E i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë që nuk pranoi argumentin e avokatëve të Metës ka mbetur armik i tij.

SHBA e ka shpallur kampion të korrupsionin Ardian Dvoranin vetëm për një shkak, se i vetëm ka guxuar të rrëzojë të paprekshmin.

Dha dorëheqjen Ilir Meta, thotë Ylli Manjani, por që shantazhoi drejtësinë, e sulmoi atë, dhe ndaloi hetimin e dosjes së tij.

Ndërkaq, Veliaj nuk është zyrtarisht i hetuar. Por disa zyrtarë të administratës së tij janë të arrestuar.

Dorëheqje, opozita apo mjaft kush mund të kërkojë kurdoherë, por me logjikë ky akt ndodh nëse ka hetim direkt ndaj personit, pra ndaj Erion Veliajt.

Po flasim për një standard politik, të cilin deri tani e ka ndjekur vetëm njëra anë. Pasi Sali Berisha që është nën hetim, nuk ka dhënë dorëheqje. Thjesht e quan të pavlefshëm hetimin ndaj tij.

Natyrisht kjo nuk është ndonjë shpikje e madhe pasi Sali Berisha kështu ka bërë gjithmonë.

Po atëherë përse flitet për standard?

Të ngjashme