OpEd
Pse dhe si Bashkimi Europian lipset të vijojë zgjerimin
Demokracia
10:59 | 03 Maj 2024

Share:

NGA MILENA HARITO 

Mes qytetarëve të kontinentit evropian që e njohin Jean Monnet, shumica e dinë se ai ishte babai themelues i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC) i cili i parapriu Tregut Unik dhe më pas Bashkimit Evropian të sotëm. Por më parë, Jean Monnet luajti një rol tjetër historik, i cili ndoshta ndryshoi rezultatin e Luftës së Dytë Botërore dhe Evropës. Ai arriti të bindte Presidentin Roosevelt që të vinte linjat e prodhimit amerikan në shërbim të aleatëve evropianë përmes “Victory Program” në mënyrë që të armatoste Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar me sasi të mjaftueshme armësh, veçanërisht me avionë. Ky program ishte thelbësor për të mposhtur Hitlerin dhe mundësoi krijimin e Evropës së lirë dhe demokratike të sotme. Pak liderë të kohës do të kishin vënë bast mbi suksesin e qasjes së Jean Monnet, mbi suksesin e bashkëpunimit midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mbi mundësinë për të bindur aleatët amerikanë se ata duhet të financonin luftën në Evropë. Një kthjelltësi e pazakontë është e nevojshme për të zbatuar ide të reja që duken të pamundura – derisa ato të bëhen realitet. BE është sërish nën sprovë për shkak të rikthimit të luftës në tokën evropiane tashmë prej dy vitesh, kombinuar me rritjen e ekstremeve për arsye të brendshme, e cila shoqërohet me sfida ndaj parimeve të shtetit të së drejtës dhe modelit të demokracive perëndimore kudo në botë.

Zgjedhjet e 9 qershorit 2024 për Parlamentin Europian janë një udhëkryq i madh. Modeli evropian është i kërcënuar nga brenda dhe sulmohet nga jashtë. Burra e gra të talentuar, inovativë dhe të guximshëm si Jean Monnet, mund t’i ndryshojnë faqen BE me pragmatizëm mbi aleatët e tij të mundshëm e njëkohësisht intrazigjencë mbi vlerat themelore të BE.

SIGURIA E BE KALON EDHE NGA KONSOLIDIMI I ALEATËVE E MUNDSHËM

Nga kriza në krizë, BE gjithnjë ka arritur të garantojë sigurinë e shteteve anëtare: sigurinë e tyre financiare gjatë krizës së borxhit në 2010, sigurinë e tyre shëndetësore gjatë pandemisë COVID-19. Siguria ushtarake e kufijve të BE është sfida e re: së pari, mbajtja nën kontroll e luftës duke ndihmuar Ukrainën të fitojë e duke forcuar autonominë ushtarake të BE dhe zinxhirët e saj të furnizimit, por gjithashtu duke rritur fleksibilitetin për të mbrojtur vlerat thelbësore pa humbur aleatët potencialë.

BE nuk do të mund t’i mbijetonte një krize të thellë besimi – veçanërisht nga vendet anëtare në lindje, nëse nuk do të ndihmonte Ukrainën të fitonte luftën dhe të frenonte Vladimir Putinin. Deri më tani, ajo ka treguar aftësinë e saj për t’u mobilizuar: ndihma kumulative ushtarake nga anëtarët e BE për Ukrainën tejkalon atë të Shteteve të Bashkuara dhe llogaritet në 131.9 miliardë euro. Për këtë ka qenë e nevojshme të përdoren arsenalet e armëve të vendeve anëtarëve. Për të vijuar ndihmën dhe garantuar sovranitetin ushtarak të Evropës duhet të organizohet rritja e prodhimit ushtarak duke krijuar zinxhirë të furnizimit brenda vendeve të BE në një lloj “Victory Program” të stilit evropian.

Në këtë kontekst të ri, BE i duhen jo vetëm armë dhe logjistikë ushtarake sovrane për të qenë në gjendje të mbrohet, por edhe aleatë të qëndrueshëm dhe të sigurt në tokën evropiane dhe në fqinjësi. Kjo është arsyeja pse është rikthyer seriozisht në axhendat e kancelerive europiane procesi i ashtuquajtur “zgjerimi i Unionit”, i cili tani ka të bëjë me nëntë vende, të cilat konsiderohen si aleate për sigurinë e BE. Procesi, i cili ka qenë në thuajse-gjumë prej vitesh, është përshpejtuar që nga viti 2022 me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Më 14 dhjetor 2023, Këshilli Evropian vendosi ta çojë më tej duke hapur negociatat për Ukrainën dhe Moldavinë dhe duke i dhënë Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat.

BE NJË MODEL UNIKAL NË BOTË: TË PARAT JANË VLERAT E PËRBASHKËTA

Bashkimi Evropian është njëkohësisht një organizatë dhe një model unik në botë i bazuar në sundimin e ligjit dhe demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave individuale si dhe tregun e lirë dhe konkurrues. Kësaj i shtohet edhe drejtësia sociale, e cila e bën BE një model unik dhe të lakmuar nga njerëzit, por në të njëjtën kohë një tabelë qitjeje për fuqitë konkurruese.

Banorët e 9 vendeve kandidate për zgjerim kanë treguar vazhdimisht, që nga vitet 1990 se bashkëndajnë vlera themeltare të Evropës: kujtimi i shtypjes komuniste vazhdon të ushqejë dëshirën për liri individuale, demokraci, liri fetare dhe treg të lirë në këto vende. Të drejtat e barabarta të grave dhe individëve pranohen gjerësisht, siç duket, mes të tjerash nga barazia në karrierën shkollore midis vajzave dhe djemve. Rishpërndarja sociale, politikat arsimore dhe shëndetësore janë konsensuale si për shkak të historisë komuniste, ashtu edhe për shkak të respektimit të vlerave evropiane. Këto vlera të përbashkëta krijojnë substratin thelbësor për procesin e gjatë dhe burokratik të integrimit të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë.

Janë këto vlera të përbashkëta që Emmanuel Macron përmendi gjatë vizitës së tij në Shqipëri në tetor 2023, ku propozoi zëvendësimin e “procesit burokratik të zgjerimit të Bashkimit” me një “ribashkim” me familjen evropiane, ashtu siç Olaf Scholz përmendi në tetor 2022 “nevojën për zgjerim për të forcuar peshën e Evropës në botë”.

SHTETET KANDIDATE KONTRIBUOJNË PREJ VITESH NË SIGURINË E EVROPËS

Nëpërmjet angazhimit të tyre në procesin e integrimit evropian prej vitesh, shtetet kandidate kontribuojnë në sigurinë e Evropës. Para së gjithash, ato garantojnë që fuqitë e tjera të mos vijnë për të shpalosur interesat e tyre në kontinentin evropian. Në Ukrainë apo Moldavi, si në vendet tashmë anëtare të BE në Lindje, shumica e qytetarëve i kanë të qarta synimet ekspansioniste të Vladimir Putinit. Ukraina mbron modelin tonë evropian të lirisë me sakrifica, që nuk justifikohen me asnjë arsye ekonomike ose praktike, ndërkohë që disa vende të tjera evropiane priren të mendojnë se është e mundur të bëjnë kompromis me Putinin.

Për të shmangur ndërhyrjen e Rusisë ose fuqive të tjera në konfliktet rajonale, vendet në kufi me BE janë rreshtuar qartazi pro tij. Tri nga gjashtë vendet e Ballkanit janë tashmë anëtarë të NATO-s: Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Angazhimi i tyre kontribuon për ta bërë këtë hapësirë dhe kufijtë e Evropës më të sigurt. Ballkani është gjithashtu në rrugët e transportit të gazit nga Deti Kaspik dhe në këtë mënyrë kontribuon në sigurinë energjetike të Evropës.

Këto vlera të përbashkëta dhe përkushtimi i vendeve kandidate për një kontinent më të sigurt, me të njëjtin model shoqërie dhe demokracie, janë sigurisht arsyet themelore pse 53% e evropianëve sipas Eurobarometrit janë në favor të zgjerimit të BE me këto vende të reja.

POR A JANË GATI VENDET KANDIDATE – 20 VJET NË PRITJE?

Me gjithë këto arsye, që prej vitit 2003 dhe Konferencës së Selanikut, e cila shënoi angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE, kanë kaluar njëzet vjet – pothuajse një brez. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht të angazhuara në procesin e integrimit në BE përmes Marrëveshjeve të Asociimit dhe Stabilizimit – MSA – dhe kanë arritur në faza të ndryshme, por ende janë në pritje.

Që nga pranimi i Kroacisë, i fundit në radhë, ka kaluar më shumë se një dekadë gjatë së cilës BE ka “bërë sikur” dëshiron të integrojë vendet e Ballkanit. Nga ana e tyre, këto vende kanë pretenduar se po bëjnë reforma, të cilat ndonjëherë konsiderohen të nevojshme vetëm për të “përmbushur në letër specifikimet e Komisionit Evropian”. Shtysa entuziaste e viteve 1990 për bashkimin me Europën është zëvendësuar nga një “proces” i vakët, i ngadaltë dhe i pajetë, i cili më së shpeshti shërben si një certifikatë e sjelljes së mirë brenda vendeve për qeveritë, më shumë sesa një objektiv real për t’u arritur.

Pra, përgjegjësitë janë nga të dy palët dhe është koha për t’i korrigjuar ato. Përpara pranimit të vendeve kandidate fillimisht është i nevojshëm reformimi i modelit të BE.

Vendet kandidate janë ende larg së qeni perfekte kundrejt kritereve që duhet të plotësohen. Por le të shohim pak më hollësisht dy shtyllat: dimensionin ekonomik dhe aspektin politik.

PROPULSIMI I EKONOMIVE FALË ANËTARËSIMIT NË BE

Droja prej integrimit të anëtarëve të rinj lidhet sidomos me nevojën për rishpërndarje të kontributeve brenda BE dhe me garantimin e shtetit të së drejtës në secilin nga vendet anëtare. Kur Portugalia u bashkua me Bashkimin në 1986, PBB-ja e saj për frymë ishte 3,680 dollarë – korrigjuar në 10,300 dollarët e sotëm është afërsisht sa niveli i Serbisë sot. Në vitin 1990, PBBja për frymë e Polonisë ishte edhe më e ulët, në 1731 dollarë – korrigjuar në 4154 dollarë sot – shumë më e ulët se ai i Shqipërisë që është sot 6400 dollarë. Të gjitha vendet e integruara në BE janë bërë më të pasura falë aksesit në tregun e përbashkët dhe aplikimit të kornizës evropiane. Polonia është shembulli më i mirë, i cili ka gjashtëfishuar PBB-në e saj që prej anëtarësimit në BE.

Kushtëzimi me sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale është më i ndjeshëm. Por edhe këtu duhet vrojtuar dinamika si edhe dhe të përdoren gjithë mjetet në dispozicion në mënyrë më efektive për të përshpejtuar konsolidimin në vendet kandidate. Korrupsioni, kapja e burimeve dhe shtrembërimi i instrumenteve demokratike janë të pranishme në vendet kandidate në shkallë të ndryshme. Në vitin 1986, Spanja dhe Portugalia kishin dalë nga diktaturat prej rreth një dekade dhe vendet lindore, që iu bashkuan BE midis 2004 dhe 2007 e paraqisnin, disa ende sot defekte të ndryshme si psh., në strukturën e sistemeve të tyre gjyqësore. Secila prej këtyre vendeve përfitoi nga kuadri evropian për të avancuar ekonominë e tyre dhe sundimin e ligjit, para dhe pas anëtarësimit.

Një mbështetje ndryshe nga institucionet e Bashkimit Europian – e vërteta na çliron

Sot instrumentet për progresin e vendeve kandidate përpara anëtarësimit të tyre në BE janë efektive. Më i fuqishmi prej tyre konsiston në qëndrimin e mbajtur nga institucionet evropiane për çështjet thelbësore të shtetit të së drejtës dhe demokracisë. “E vërteta do t’ju bëjë të lirë”, lexojmë në Bibël. Këtë lloj efekti kanë qëndrimet e mbajtura nga institucionet evropiane kur janë të drejtpërdrejta, në vendet kandidate.

Këtë e kam konstatuar vetë kur drejtova disa nga reformat e nevojshme për integrimin europian të Shqipërisë midis 2013 dhe 2018 – një reformë e administratës publike drejt një sistemi karrierash meritokratike dhe një reformë e shërbimeve publike për të luftuar korrupsionin. Mbështetja e Komisionit Evropian ishte thelbësore për miratimin e këtyre masave, shumë të kontestuara nga interesat lokale, por thelbësore për të krijuar një administratë të pavarur nga partitë politike.

Komisioni Evropian, i cili është përgjegjës si për procesin e zgjerimit, ashtu edhe për vlerësimin e progresit të vendeve kandidate, përgatit raporte të rregullta të cilat ndonjëherë tentojnë të nxjerrin në pah progresin procedural të shkallës së dytë. Komision nuk e vlerëson gjithmonë peshën që mund të kenë pozicionet e tij të drejtpërdrejta dhe të ndershme bazuar në vlerat themelore.

Parlamenti Evropian, nga ana e tij, vëzhgon ecurinë e zgjedhjeve dhe miraton rezoluta vjetore për vendet kandidate. Aty ku Komisioni mund të shihet edhe si gjykatës, edhe si palë në disa reforma në vendet kandidate, roli i Parlamentit e vendos atë në një pozicion më të paanshëm: mund të ishte e përshtatshme të forcohej ky rol në monitorimin dhe vlerësimin e progresit të vendeve kandidate.

Në përgjithësi, për t’u dëgjuar më shumë, institucionet evropiane duhet të ndikojnë në opinionin publik në vendet kandidate duke u shprehur qartë për çështjet kryesore – si respektimi i sanksioneve kundër Rusisë, kriteret e Kopenhagës, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës përfshi dhe opozitat. Së fundi, kontributet financiare të BE në vendet kandidate nuk janë mjaft të njohura, sepse mediatizohen në mënyrë indirekte nga qeveritë ose institucionet. Një komunikim i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm nga BE mund të ishte më efikas për të përçuar mesazhin te qytetarët.

REFORMIM I BE PËRPARA ZGJERIMIT

Që procesi i zgjerimit të mbetet një katalizator për reformat, është thelbësore të rivendoset besueshmëria dhe atraktiviteti i tij, por edhe dhe të forcohet besimi i votuesve në vendet kandidate në parimet e institucioneve evropiane.

Ky besim mbështetet në tri shtylla:

-Një plan kohor të qartë dhe të besueshëm të pranimit nga të dyja palët.

-Një ripërkufizim i modelit institucional evropian, i cili lejon modalitete të diferencuara të integrimit: një hapësirë që i bën të gjithë më të fortë duke ndërtuar në mënyrë inovative një Evropë më të larmishme.

-Nevoja për të afirmuar pa droje vlerat bazë që e bëjnë Evropën tërheqëse për qytetarët e saj. Për të krijuar një afat kohor të besueshëm për procesin e zgjerimit, hipoteza e integrimit gradual është përmendur tashmë në disa raste. Për ta bërë më fleksibël procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, afatet kohore të anëtarësimit mund të bëhen më konkrete.

BE – burokraci apo/edhe fleksibilitet?

Që në fillimet e saj, BE ka përfaqësuar një risi politike, e cila rinovohet vazhdimisht. Ai ka tashmë gjeometri variabël me zonën e euros, zonën Shengen dhe vendet anëtare. Modeli i anëtarësimit për 9 vendet e reja është në diskutim, por ai duhet të shkojë paralelisht me diversifikimin e procedurave të BE: në një Evropë më të larmishme që synon një strukturë më fleksibël, por pa kompromis mbi parimet. Nuk bëhet fjalë për vendosjen e barazisë me çdo kusht ndërmjet anëtarëve, por për organizimin e një Evrope më heterogjene, e cila u lë shteteve të ndryshme më shumë opsione për t’u lidhur në mënyrë koherente sipas situatës së tyre.

Raporti i grupit të punës franko-gjerman në shator 2023 mbi zgjerimin dhe reformën e BE propozonte formalizimin e një organizate fleksibël në katër qarqe koncentrike:

-Rrethi i parë: Eurozona/Shengeni.

-Rrethi i dytë: Anëtarët e BE.

-Rrethi i tretë: Anëtarët e asociuar, që kanë akses në tregun e përbashkët, akses i cili kushtëzohet nga parimet e Kopenhagës dhe sundimi i ligjit.

-Rrethi i katërt: Komuniteti Politik Evropian (KPE) ku rregullat e Unionit nuk janë të detyrueshme; bashkëpunimi shtrihet në disa vende përmes traktateve të bashkëpunimit ekonomik, në të tjera përmes marrëveshjeve gjeopolitike, të sigurisë, energjisë dhe mjedisit, por pa lejuar aksesin në tregun e përbashkët.

Nëntë vendet kandidate janë të gjitha pjesë e rrethit të katërt. Duke përmbushur gradualisht të gjitha kushtet që lidhen me shtetin e së drejtës, ata do të jenë në gjendje të përfitojnë nga marrëveshjet sektoriale në çështjet ekonomike, duke synuar bashkimin përfundimtar në tregun e përbashkët. Ndërsa kritikohet për burokraci, BE është në realitet një organizatë fleksibël, e cila u ka mbijetuar transformimeve të shumta që prej vitit 1952, nga zgjerimi në zgjerim dhe nga krizat në sfida.

Disa reforma të BE në vitet e fundit dukeshin të pamundura përpara se të kryheshin: nga futja e euros tek emetimi i parë i përbashkët i borxhit në 2021 pas pandemisë me “Next Generation EU”, deklarata e Versajës në mars 2022 për forcimin e aftësive mbrojtëse, reduktimi i varësisë energjetike apo plani industrial i shkurtit 2023 për kompetitivitetin e gjelbër të industrisë evropiane.

Nga ana tjetër, pas anëtarësimit të fundit të Kroacisë në vitin 2013, BE nuk i konsideroi seriozisht reformat e nevojshme për të kaluar gradualisht nga 27 në 36 anëtarë. Megjithatë, nuk ka asnjë arsye thelbësore për të penguar BE që të thithë këto vende të reja, të cilat kanë zbatuar reforma me synimin për anëtarësimin e tyre që nga viti 2003 dhe që janë sot më të përgatitura se disa nga kandidatët e mëparshëm. Thjesht, BE duhet të përgatitet për këtë që nga fillimi i ciklit të ardhshëm parlamentar, menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2024.

Lidhur me parimin e saj thelbësor dhe të panegociueshëm – shtetin e së drejtës – Evropa duhet të ketë mjete veprimi përballë vendeve anëtare që nuk respektojnë vlerat e saj themelore. Raporti franko-gjerman ofron ide frymëzuese për këtë temë përmes reformave të mekanizmave buxhetorë për të garantuar sundimin e ligjit në shtetet anëtare aktuale dhe të ardhshme.

Por, nevojiten ndryshime të tjera për të bërë funksional një bashkim me 27 dhe nesër me 36 vende: portofolet e komisionerëve apo edhe zëvendësimi i të drejtës së vetos me shumicën e cilësuar për politikën e jashtme, taksat dhe sigurinë, janë pjesë e elementeve që lipset të përmirësohen si gjithnjë me konsensus. Këto vështirësi nuk duhen konsideruar si pengesa të pakapërcyeshme karshi objektivit madhor për të ruajtur modelin tonë evropian dhe për të garantuar sigurinë tonë të përbashkët.

Që Evropa të mbijetojë, ajo duhet të transformohet: të rrisë aftësitë e saj mbrojtëse, të forcojë aleancat e saj dhe të garantojë sigurinë e saj, të mbrojë vlerat e saj dhe në veçanti sundimin e ligjit, si edhe të sigurojë më mirë sovranitetin e saj ekonomik në një botë që po ricopëzohet. Të jemi të vetëdijshëm se reformat me synimin për të mirëpritur shtetet e ardhshme anëtare janë vetëm një pjesë e atyre që do të duhet të kryhen në ciklin e ardhshëm politik. Në vitin 2014, Jean-Claude Juncker pati ndershmërinë të thoshte se zgjerimi nuk mund të bëhej gjatë mandatit të tij.

Së shpejti do të jetë koha që krerët e ardhshëm të Komisionit dhe Këshillit Europian të përcaktojnë një kurs shumë të qartë për reformën e Unionit dhe zgjerimin e tij. Nuk ka asnjë arsye për të qenë ngurrues apo pesimist – sfidat që Jean Monnet realizoi me sukses në Evropën e Luftës II Botërore ishin shumë më të vështira.

Të ngjashme