Lajme
Vuçiq nuk sheh palë për dialog në Kosovë
Demokracia
19:23 | 01 Shkurt 2021

Share:

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është takuar sot në Paris me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, më të cilën kanë biseduar edhe rreth dialogut me Kosovë, por Vuçiq është deklaruar edhe për marrëveshjen që Kosova ka nënshkruar me Izraelin.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar presidentin francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës zyrtare në Francë, të hënën më 1 shkurt, me të cilin, në një intervistë për median “Pink” të Serbisë, ka thënë se ka biseduar më së shumti “për marrëdhëniet në mes Beogradit dhe Prishtinës”.

“Franca do të mbështesë Serbinë edhe në rrugën evropiane e besoj edhe në gjetjen e zgjidhjeve kompromise, inovative, për çështjen e Kosovës e Metohisë”, është shprehur Vuçiq, pas takimit me homologun e tij francez, transmeton Demokracia.com.

Duke folur se kur do të vazhdojë dialogu, Vuçiq ka thënë se “çështja kryesore është nëse dikush në Prishtinë do të kuptojë se nuk e kanë të dhënë prej Zotit që të presin të marrin atë është në fontanën e tyre të dëshirave por se duhet të bisedoni dhe të arrini kompromis”.

“Pink”, në raportin nga intervista, shkruan se Vuçiq nuk sheh në Prishtinë dëshirën për këtë, as te ata që sipas hulumtimeve të opinionit do të duhej të fitonin në zgjedhje, e kjo është partia e Albin Kurtit, e as te ata me të cilët do të ishin në koalicion, respektivisht me partinë e (Ramush) Haradinajt.

“Unë nuk shoh asgjë tjetër (në Kosovë) përveç dëshirës për krijimin e Shqipërisë së madhe, nuk shoh asgjë që do të mund të na afronte kah dialogu serioz. Por, natyrisht, ne jemi gjithmonë (të gatshëm) për bisedime. Përkrahim qëndrimin e Mirosllav Lajçakut”, citohet të ketë thënë presidenti i Serbisë.

“Por, për çdo bisedë nevojiten dy palë, e tash për tash unë nuk shoh se ka palë tjetër”.

Duke folur për njohjen nga Izraeli, Vuçiq ka thënë “marrëdhëniet me Izraelin do t’i ndërtojmë në përputhje me rrethanat e reja” dhe ka shtuar se “Izraeli ka vendosur se Amerika është më e rëndësishmja për ta dhe kjo nuk do të ndikojë mirë në marrëdhëniet tona”.

“Nuk jemi të lumtur për këtë”, ka thënë Vuçiq, transmeton më tutje Demokracia.com.

Ai gjithashtu shtoi se nuk mund të gjendet asnjë shtet mysliman që do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Vuçiq u shpreh edhe se duhet pritur të shihet nëse “Prishtina do të përmbush së paku pjesë e vet të Marrëveshjes së Washingtonit dhe a do të lëshojë në funksion hekurudhën Prishtinë-Merdarë e jo të kërkojë që hekurudha të kalojë nëpër Mitrovicë dhe veri të Kosovës”.

Sipas Vuçiq, “pasi Prishtina ka konsideruar se ka pësuar disfatë në Washington, tani përdorin trukun të kërkojnë hekurudhë nëpër veri që të lidhen me Kralevën dhe Rashkën, që të na marrin hekurudhën në veri, që është e rëndësishme për lidhjen me Serbinë”.

“Ne kemi kërkuar rrugë dhe hekurudhë Prishtinë-Merdare, por Prishtina nuk është e interesuar për këtë”.

Çështje tjetër, sipas Vuçiq, është liqeni i Ujmanit (Gazivodës) dhe ndarja e resurseve energjetike.

“Palmer është angazhuar fuqishëm që të arrihet marrëveshja mes Izraelit e Prishtinës. Të shohim tani nëse do të angazhohet edhe për ndarjen e resurseve energjetike, pasi ne tani nuk kemi asgjë nga Liqeni i Gazivodës (Ujmanit)”, ka thënë Vuçiq për median serbe “Pink”.

Ndërsa, siç shkruan “Pink” – duke komentuar “kritikat” se duke ftuar njerëzit që të marrin pjesë në zgjedhjet në Serbi po i japin legjitimitet “shtetit të rremë të Kosovës”, Vuçiq u përgjigj duke thënë se “mbaj stemën serbe dhe flamurin serb, por i respektojë të tjerët”. /Demokracia.com/

Të ngjashme