Lajme
“Vetëmenaxhim dhe status special për Kishën Serbe” | Albin Kurti krenohet me nenin e zi për Kosovën të Marrëveshjes së Brukselit, që serbëve u siguron Zajednicë me autonomi politike dhe territoriale
Demokracia
08:49 | 20 Prill 2024

Share:

“Neni 7 është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin 7 do të përfundonim vetëm me nenin 10. Kërkesa jonë ka qenë tek zbatimi i plotë i marrëveshjes. Në këtë drejtim, më 21 tetor kemi pritur 5 emisarët me një plan për ecjen përpara që përfshinte edhe një plan për një draft-statut për zbatimin e nenit 7”.

Kështu krenohej kryeministri Albin Kurti, më 3 nëntor 2023, gjatë raportimit të tij në Kuvend për takimin e 21 tetorit me 5 emisarët që vinin nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe BE-ja, të cilët ia dorëzuan në zyrën e tij një draft-statut për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shkruan Demokracia.com.

https://demokracia.com/albin-kurti-ati-i-zajednices-2/

Njëkohësisht, Kurti jo vetëm që po krenohej, por ai po zbulonte një fakt të rëndësishëm se neni 7, i cili në Kosovë po shihet si një derë që çon në autonominë e serbëve, është rezultat i dialogut të tij.

Ky nen nuk ishte përmendur asnjëherë më parë në procesin negociator mes Kosovës dhe Serbisë, por ndodhi, ashtu siç e pranoi edhe vetë Kurti të premten e 3 nëntorit, gjatë dialogut të udhëhequr prej tij, që u formalizua në Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) e arritur nga ai me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

KURTI VAZHDON TË MBURRET ME NENIN QË SIGURON ZAJEDNICË ME AUTONOMI PËR SERBËT DHE STATUS SPECIAL PËR KISHËN SERBE

Neni 7 për vetëmenaxhimin e serbëve ka ngjallur frikë në Kosovë, sapo ai është bërë i ditur për publikun nga Bashkimi Evropian dhe pasi palët, Kosova dhe Serbia, janë dakorduar në Bruksel në fund të muajit shkurt të vitit 2023.

Megjithkëtë, kryeministri Kurti ka vazhduar edhe më 19 prill 2024 përpjekjen e tij të dëshpëruar për t’u munduar ta paraqesë si sukses pikërisht këtë nen që rrezikon funksionimin e Republikës së Kosovës.

“Vitin e kaluar kemi arritur një Marrëveshje të Re Bazike e cila, në njërën anë, sjell njohjen reciproke de facto dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e në anën tjetër, përmes nenit 7, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj ‘Asociacionit’. Serbia, në vend që të pranojë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazike të vitit të kaluar të arritur në Bruksel ku e ka nenin 7, po insiston e kërkon ato dy marrëveshjet e viteve 2013 e 2015 që përbëjnë shkelje të dyfishtë”, ka shkruar kryeministri Kurti, përcjell Demokracia.com.

Këmbëngulja e Kurtit në “suksesin” e negociimit të tij, vjen në kohën kur pritet që ai të bëjë hapin vendimtar për Zajednicën apo Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Së shpejti, Kurti pritet ta miratojë Statutin për themelimin e Zajednicës, pikërisht sipas propozimit të hartuar nga 5 emisarët, të cilët ia kishin dorëzuar draftstatutin më 21 tetor 2023.

Pikërisht me anë të këtij Statuti, Kurti ka pranuar në shkelje të Kushtetutës së Kosovës, që t’i japë fuqi ekskluzive Zajednicës për të zgjidhur çështje jashtë institucioneve kosovare të drejtësisë.

Institucioneve ekzistuese në Republikën e Kosovës, të cilat janë formuar sipas parashikimeve të Kushtetutës, do t’i ngjitet përgjithmonë dhe në kundërshtim me Kushtetutën edhe “Komisioni i Arbitrazhit”, ka raportuar Demokracia.com më 13 janar 2024. / Demokracia.com /

https://demokracia.com/arbitrazhi-kurti-shkele-kushtetuten-me-draft-statutin-e-pranuar-i-jep-fuqi-ekskluzive-zajednices-te-zgjidh-ceshtje-jashte-institucioneve-te-drejtesise/

Të ngjashme