Lajme
OSBE në Kosovë: Kemi pasur rritje të dhunës ndaj gazetarëve në 12 muajt e fundit
Demokracia
16:32 | 03 Maj 2024

Share:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me misionin e OSBE-së në Kosovë të premten në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kanë shprehur shqetësimin e tyre për regresin që ka shënuar Kosova në raportin e “Reporterëve pa Kufij”.

Shefi i misionit të OSBE-së, Michael Davenport, theksoi se në muajt e fundit ka pasur rritje të dhunës drejtuar gazetarëve.

“Raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të, i cili ka shënuar një rënie nga vendi 56 që ishte vitin e kaluar, dhe nuk ka nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, deklaroi se ky raport duhet të shtyjë të reflektojnë ata që kanë ndikuar në këtë rënie.

“Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve dhe mediave në Kosovë për shkak të asaj se çka kemi përjetuar në vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në këtë rënie dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës, Qeverinë e Kosovës”, pohoi Rexha.

Të ngjashme