Lajme
ALBIN KURTI, ATI I ZAJEDNICËS
Demokracia
12:14 | 19 Prill 2024

Share:

Rrota historike e politikanit Albin Kurti është rrotulluar në mënyrë të pabesueshme. Kundërshtari më i madh i Zajednicës për një dekadë tashmë ka marrë kthesë të fuqishme për themelimin, promovimin dhe mbrojtjen e Zajednicës së serbëve të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka lënë në “harresë” të gjithë opozitarizmin e tij të dhunshëm kundër idesë së formimit të Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai tani po përpiqet të gjejë shteg sesi ta zyrtarizojë, duke i hedhur pas shpine edhe përpjekjet e mijëra aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që i besuan kauzës së tij, e cila nuk ishte asgjë tjetër veç një gënjeshtër e madhe për t’i sulmuar kundërshtarët politikë dhe për ta fituar pushtetin, shkruan Demokracia.com.

Kurti tani është i detyruar të hedh hapa konkretë për themelimin e Zajednicës, të cilën më 27 shkurt 2023, me Marrëveshjen Bazë në Bruksel, e fuqizoi duke siguruar edhe nivel të Vetëmenaxhimit për serbët në Kosovë.

Së shpejti, ai pritet ta miratojë në Qeverinë e Kosovës, Statutin për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e kundërshtoi aq shumë dhe aq gjatë.

Si e zbuloi rastësisht Albin Kurti se rezultat i dialogut të tij është Neni 7 për Vetëmenaxhimin e serbëve dhe zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe?

Por, Zajednica nuk është diçka që mund të hidhet prapa krahëve e të harrohet, sepse siç argumentonte Kurti dikur “ajo do ta ndjekë pas Kosovën dhe gjeneratat që vijnë”. Se çka është Zajednica për Kosovën, Kurti ka dhënë me dhjetëra apo qindra përgjigje.

“O Republikë, o Zajednicë”.
“Zajednica ka vdekur. Është obligim i yni që të mos lejojmë ringjalljen e saj”.
“Ta pranosh Zajednicën është serbofili”.
“Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush, i cili nuk është serbofil”.
“Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit, në Mitrovicë”.
“Presidenti i Zajednicës do ta ketë numrin personal të Putinit, Medvedevit dhe Rogozinit”.
“Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”.
“Zajednica është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”.
“Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”.
“Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”.
“Shqiptarët nuk e kanë duruar Serbinë dhe nuk do ta durojnë as Zajednicën”.
“Zajednica është kancer për Kosovën”.
“Zajednica është kundër Kosovës, s’duam të përseritet skenari i Bosnjës”.

Nëse Albin Kurtit i janë dashur 10 vjet për t’i bindur qytetarët se në Bruksel po bëhen marrëveshje kundër Republikës së Kosovës, në ballë të të cilave si më e dëmshme qëndronte Zajednica dhe se ai është shpëtimtari i shtetit që do t’i zhbëjë ato, nuk ka nevojë të presim edhe 10 vjet të tjera për të mësuar se çfarë po ndodhë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është krejt i zhveshur përballë opozitarit Albin Kurti. Mjafton të dëgjohet ky i fundit për të parë se deri ku shkon degjenerimi politik i një njeriu, që për një dekadë mbajti peng shtetin e Kosovës dhe pengoi zhvillimin normal të tij.

Lexo edhe:

Fundi i mashtrimit të madh që ngulfati shtetin e Kosovës | A duhet t’i kërkojnë falje qytetarëve, Albin Kurti dhe Vetëvendosje?

Më 21 tetor 2023, kryeministri Kurti ka pranuar draft-statutin për Zajednicën, por ai nuk i ka garantuar qytetarët e Kosovës se është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Më bënë të qartë që hartimin e draftit e kanë bërë me kujdes për Kushtetutën, letrën e Mogherinit, qëndrimin e Scholz e Escobar dhe më thanë që është në përputhje me ligjet e Kosovës”, deklaroi Kurti në Kuvendin e Kosovës më 3 nëntor 2023, pas takimit të 21 tetorit me emisarët ShBA-së, BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. /Demokracia.com/

Skandal | Albin Kurti nuk garanton qytetarët e Kosovës se Zajednica që ka pranuar është në përputhje me Kushtetutën

 

Të ngjashme