Lajme
Ukraina dhe Kroacia bien dakord për përdorimin e porteve kroate për eksportin e grurit
Demokracia
10:01 | 01 Gusht 2023

Share:

Ukraina dhe Kroacia kanë rënë dakord mbi mundësinë e përdorimit të porteve kroate në lumin Danub dhe Detin Adriatik për eksportin e grurit ukrainas. Njoftimin e dha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba pas bisedimeve të kësaj të hëne, me homologun kroat.

Gjatë këtij muaji, Rusia u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që lejonte Ukrainën të eksportonte grurë përmes porteve në Detin e Zi, duke i hequr asaj mundësinë e vazhdimit të përdorimit të një aleternative jetike për eksportin në mënyrë të sigurt të prodhimeve bujqësore gjatë luftës.

“Tani do të vazhdojmë të punojmë për të përcaktuar rrugët më efektive drejt këtyre porteve dhe të përfitojmë në mënyrën më të mirë të mundshme nga kjo rrugë”, tha zoti Kuleba pas takimit në Kiev me ministrin e jashtëm kroat, Grlic Radman.

“Çdo ndihmesë për zhbllokimin e ekporteve, çdo derë e hapur është një ndihmë reale për sigurinë ushqimore botërore”, tha ai.

Aktualisht, për eksportet e saj, Ukraina mbështetet tek rrugët tokësore, përmes Bashkimit Europian dhe tek rrugët alternative përmes lumit Danub. Rusia sulmoi infrastrukturën e këtyre të fundit, më herët gjatë këtij muaji.

Zoti Kuleba tha se qëllimi kryesor i bisedimeve me homologun kroat ishin armatimet.

“Mund të them vetëm se ka disa marrëveshje të veçanta që do të zbatohen së shpejti”, tha ai, pa dhënë më shumë detaje./VOA

Të ngjashme