Lajme
Dita Kombëtare e të Zhdukurve, Krasniqi: Qëndrojmë në kërkesën tonë për drejtësi dhe qartësi
Demokracia
13:12 | 27 Prill 2024

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur, ka rikujtuar 1 mijë e 617 qytetarët të Kosovës, fat i cilëve ende mbetet i panjohur.

Krasniqi ka shkruar se secili prej tyre ka lënë një boshllëk që nuk mund të plotësohet dhe, mbi të gjitha, një pyetje e cila për më shumë se 25 vjet mbetet pa përgjigje: ku janë?

Ai tutje ka thënë se qëndrojnë se bashku në kërkesën për drejtësi dhe qartësi.

Postimi i plotë:

Sot, në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, rikujtojmë 1617 qytetarët e Kosovës, fati i të cilëve mbetet ende i panjohur, historitë e tyre të papërfunduara dhe familjet e të cilëve vazhdojnë të presin në dhembje.

Çdo numër ka një emër, çdo emër mbartte një jetë plot ëndrra, dashuri dhe kujtime që u prenë padrejtësisht.

Ata janë baballarët, nënat, vëllezërit, motrat, djemtë dhe vajzat tona. Secili prej tyre ka lënë një boshllëk që nuk mund të plotësohet dhe, mbi të gjitha, një pyetje e cila për më shumë se 25 vjet mbetet pa përgjigje: ku janë?

Sot, ne qëndrojmë të bashkuar në kërkesën tonë për drejtësi dhe qartësi. Është përgjegjësia jonë kolektive të mos ndalemi. Të mos i harrojmë.

Të sigurohemi që po bëhet çdo përpjekje e mundshme për t’u sjellë ngushëllim familjeve që kanë kaluar vite duke pritur për një shenjë, një fjalë ose një vend për të vendosur më në fund lulet e tyre.

Këto plagë të hapura të luftës vazhdojnë të mbeten të freskëta e të gjakosin – çdo ditë që kalon pa përgjigje. Nuk mund të mbyllet kapitulli i pikëllimit pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Nuk ka prehje e shërim pa zbulimin e së vërtetës.

Asnjëherë nuk do të harrojmë!

Të ngjashme