Lajme
Tensionet në veri shkaktojnë “pasoja në eksport dhe vende të punës”, investitorët e huaj mund të largohen
Demokracia
10:04 | 17 Qershor 2023
Ilustrim

Share:

Shqetësimet për largim të investitorëve të huaj nga Kosova janë shtuar. Se situata është serioze dhe për dëmet që mund t’i vijnë Kosovës, ka paralajmëruar edhe ambasadori gjerman Rohde. Për pasojat me të cilat mund të përballet vendi nëse gjendja s’qetësohet, ka folur ish-kryetari i OEK, Berat Rukiqi.

Ngjarjet e fundit në veri të vendit dhe zhvillimet politike, duket se kanë filluar t’i frikësojnë investitorët e huaj.

Oda Ekonomike Gjermane-Kosovaro, që përfaqëson rreth 200 kompani nga të dy shtetet e investitorë potencial, ka shprehur shqetësim se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese.

“Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes”.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës. Sipas tij, kështu po dëmtohet reputacioni dhe potenciali i Kosovës përballë komunitetit të biznesit.

“Dëmet shqetësuese për perspektivën ekonomike të Kosovës janë tashmë në horizont, duke dëmtuar reputacionin dhe potencialin e saj edhe përballë komunitetit të biznesit. E ripërsërisim këtë thirrje nga Shoqata Gjermano-Kosovare e Bizneseve për deeskalim të menjëhershëm”, ka shkruar Rohde në Twitter, ku ka shpërndarë postimin e OEGJK.

Me reagim për këtë çështje ka dalë edhe Oda Ekonomike e Kosovës. Nga OEK kanë apeluar që të gjitha çështjet e hapura të negociohen përmes një dialogu të hapur, transparent dhe në kordinim të plotë me miqtë ndërkombëtarë dhe që të mos preken bizneset vendore e ndërkombëtare.

“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë të saj me zhvillimet e fundit që po prekin edhe zhvillimet ekonomike të vendit. Apelon te të gjitha palët për maturi dhe vëmendje për qytetarët e Kosovës dhe Bizneset vendore dhe ndërkombëtare qoftë si partner të bizneseve vendore dhe Investitor potencial në vendin tonë. Prandaj, OEK apelon që menjëherë të lirohen policët e Kosovës pa asnjë kusht”, thuhet në reagim.

Shqetësuese këtë situatë po e shoh edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, i cili i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka treguar se gjatë javës një kompani e ka kontaktuar pikërisht lidhur me këto shqetësime.

Sipas tij, çdo pasiguri ekonomike në Kosovë, i shkon përshtati Serbisë.

“Për koincidencë, sapo e pranova një thirrje edhe nga një kompani që operon në Parkun e Biznesit, pikërisht me këto shqetësime. Edhe në kontaktet individuale që i kemi me kompani, por edhe me përfaqësues të sektorit privat, kjo gjendje ka fillu me rrit jashtëzakonisht në masë të madhe pasigurinë për të bërë biznes me Kosovën apo në Kosovë dhe thirrjet e miqve për një depërshkallzim apo një qetësim të situatës, gjithmonë duke pas parasysh që është edhe pala tjetër që i shkon përshtati çdo pasiguri ekonomike në Kosovë, pra Serbisë”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi i ka thënë Gazetës Express se reagimi i ambasadorit gjerman tregon se sa shqetësuese është situata.

“Unë po flas prej pozicionit që edhe për kohë të gjatë kam qenë pjesë e sektorit privat edhe prej asaj çka më ka ra me diskutu me investitorë të ndryshëm, unë e shoh shumë problematike nëse s’ka vendime të shpejta politike të cilat realisht janë të koordinuara me miqtë, përfshirë edhe ambasadorin apo shtetin gjerman që është ndër investitorët kryesor në Kosovë, i cili kur shpreh shqetësime të tilla janë shqetësime serioze, nuk janë prej ndonjë interesi të caktum politik. Dhe me të njëjtin seriozitet, edhe Qeveria duhet t’i qaset situatës”, ka deklaruar Rukiqi.

Ai thotë se gjendja e krijuar në vend e ka rritur në masë të madhe pasigurinë e të bërit biznes në Kosovë.

Nëse nuk do të ketë qetësim të situatës, Rukiqi thotë se pasojat e para do të vërehen në eksport si dhe vendet e punës.

“Pasojat e para janë në uljen e asaj çka ka qenë një lloj suksesi në vitet e fundit. Ndonjëherë ka ndikime në eksport, po vërehet dmth në dy muaj e fundit, edhe për faktorë të tjerë por mes tjerash edhe për shkak të krizës që tani e kemi. E dyta është humbja e vendeve të punës. Nëse kjo gjendje vazhdon të jetë kështu, atëherë shumë vende të punës te këto kompani që kryesisht janë kompani të huaja, kompani serioze që kanë ofru vende të dinjitetshme të punës për qytetarët tanë, vendet e njëjta të punës të humbin”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të bllokojë hyrjen e të gjithë kamionëve me tabela të Serbisë, si dhe të gjithë kamionëve të cilët bartin mallra të këtij shteti. Vendimi erdhi pas kidnapimit të tre policëve kufitarë të Kosovës nga forcat serbe, gjatë ditës së djeshme në Leposaviq.

Gazeta Express ka siguruar urdhrin e dërguar përmes postës elektronike te të gjithë udhëheqësit rajonalë të pikave doganore të Kosovës për të mos e lejuar hyrjen e asnjë produkti serb në tregun e Kosovës, ku figuron se vendimi është marrë.

Urdhëri është dhënë nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Siç mund ta kuptoni nga korrespodenca e ardhur nga QKMK, që nga ky moment në të gjitha pikat kufitare të ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës të të gjithë kamionëve me tabela të Serbisë, si dhe të gjithë kamionëve të cilët bartin mallra të Serbisë.

Ju luem të njoftoni stafin tuaj dhe sigurohuni që stafi zbatues janë njoftuar me këtë urdhëresë. Ju do të jeni në njohuri me kohë për njoftimet dhe vendimet e radhës”, thuhet në e-mailin që ka siguruar Express.

Për këtë vendim është deklaruar kryeministri Albin Kurti, në konferencën e përbashkët që ka mbajtur me Ministrin Sveçla lidhur me kidnapimin e tre policëve.

Kurti është munduar që ta zbusë këtë vendim, duke thënë se masat që kanë vendosur nëpër pikëkalimet kufitare, siç është edhe kjo për bllokimin e mallrave serbe, nuk janë ekonomiko-tregtare.

Sipas Kurtit, këto masa janë vendosur për çështje të sigurisë.

“Masat tona nëpër vendkalimet kufitare me Serbinë, nuk janë masa ekonomiko-tregtare, por janë masa të sigurisë. Gjendja nuk është aspak e zakonshme dhe për neve është e qartë se agresioni po vjen nga Serbia. Nganjëherë në rrugë ilegale, e është e mundshme edhe në vendkalime kufitare, prandaj si masa të sigurisë ne kemi marrë vendimin për qarkullim të kufizuar dhe kontrolla të shtuara deri në një vendim tjetër”, tha Kurti.

Të ngjashme