Lajme
Ministri serb: Fitorja e Kosovës në KiE s’është më aq e lehtë dhe e thjeshtë
Demokracia
19:49 | 27 Prill 2024

Share:

Ministri i Financave të Serbisë, Sinisha Mali, ka thënë se fitorja e Kosovës në Këshillin e Evropës “nuk është më aq e thjeshtë, e lehtë dhe e shpejtë”, duke iu referuar fazës së tretë të procesit të anëtarësimit të Prishtinës në këtë organizatë, që është në dorë të Komitetit të Ministrave të vendeve anëtare të KiE-së.

“Kur është fjala për Këshillin e Evropës, mund të shihni se fitorja e Prishtinës nuk është më aq e thjeshtë, e lehtë dhe e shpejtë siç e priste dikush. Në anën tjetër edhe votimi i rezolutës në OKB [për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë] po shtyhet. Një fitore e madhe për Serbinë, një fitore e madhe e përpjekjeve, kohës dhe së vërtetës, të cilën presidenti Vuçiç e diskutoi me një numër të madh liderësh botërorë. Neve na takon të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë tonë”, tha Mali, transmeton “KosovoOnline”.

Ai theksoi se kjo është “një luftë” nga e cila ai kurrë nuk do të heqë dorë – “një luftë për një Serbi sovrane, të pavarur, të lirë”.

“Është një politikë që e zbatojmë së bashku me presidentin prej vitesh dhe është thjesht një politikë që nuk do të heqim dorë. Do të shohim si do të dalë votimi në fund, por padyshim për të gjithë ata që janë me palën tjetër, nuk do të jetë e lehtë”, shtoi.

Ndryshe, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, transmeton albanianpost.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Të ngjashme