Lajme
Kamerat në veri “përplasin” Qeverinë dhe Listën Serbe
Demokracia
20:17 | 27 Prill 2024

Share:

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka reaguar ndaj Listës Serbe për kamerat vëzhguese në veri, duke thënë se koha e banditëve ka marrë fund dhe se ato janë në shërbim të sigurisë publike.

Lista Serbe dje ka pretenduar se kamerat e sigurisë në hapësira publike shkelin privatësinë e qytetarëve serbë dhe kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të tyre.

Në kundërpërgjigjen e tij, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës ia ka rikujtuar Listës Serbe, e cila përkrahet nga Serbia, se koha e banditëve të kthyer në terroristë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile” ka marrë fund.

“Në të kaluarën, bashkëpunëtorë të Listës Serbe i kontrollonin këto kamera. E kur kishin një kontroll të tillë, asnjëra prej tyre nuk kishte punuar më 16 janar 2018, kur u vra politikani serb Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës. Koha e banditëve të kthyer në terroristë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile” ka marrë fund. Të gjithë duhet të mësohen me shtetin ligjor në një republikë demokratike”, ka theksuar Kryeziu. Ndryshe, në komuna të ndryshme me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë edhe ato në veri të vendit, strukturat ilegale serbe dhe organizatat terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” vazhdimisht kanë përdorur kamerat e vëzhgimit, të cilat kanë qenë të qasshme edhe për institucionet e sigurisë së Serbisë. Një numër i konsiderueshëm i tyre janë sekuestruar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se janë përdorur për të monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës.

Të ngjashme