Lajme
Skandaloze | Vetëm 10 ditë para se BE të fillojë kushtëzimin e anëtarësimit të Serbisë, Kurti prezantoi idenë që i shërben asaj për ndarjen e ‘Integrimit’ nga ‘Dialogu’
Demokracia
14:43 | 03 Shkurt 2024

Share:

Më 2 shkurt 2024, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian, kanë nisur ndërtimin e një rrugë të re të raporteve mes BE-së dhe Serbisë.

Kjo rrugë e re është e qartë: Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa normalizuar më parë marrëdhëniet me Kosovën, shkruan Demokracia.com.

2 SHKURT 2024: BE PO KUSHTËZON RRUGËN E SERBISË ME KOSOVËN

KE dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së ia kanë dorëzuar të premten, më 2 shkurt, Këshillit të BE-së një propozim për ta ndryshuar dhe plotësuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në bllok.

Ndryshimet në kapitullin 35 kanë të bëjnë me përfshirjen si kusht detyrues për Serbinë edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë burimet brenda BE-së.

https://demokracia.com/keshillit-te-be-se-i-dergohet-propozimi-qe-kushtezon-anetaresimin-e-serbise-me-zbatimin-e-marreveshjeve-me-kosoven

22 JANAR 2024, KURTI: TË NDAHET ‘INTEGRIMI’ NGA ‘DIALOGU’

Është tepër e çuditshme se si vetëm 10 ditë para se Bashkimi Evropian të fillojë kushtëzimin e anëtarësimit të Serbisë me normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, kryeministri Albin Kurti prezantoi idenë e re që procesi i ‘integrimit evropian’ të ndahet nga ‘procesi i dialogut’.

Kjo kërkesë e kryeministrit Kurti erdhi më 22 janar 2024, plotë 10 muaj pas dakordimit të tij me Presidentin e Serbisë për Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023] të Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023], shkruan Demokracia.com.

“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin, as demokracinë”, u ka thënë Kurti gazetarëve në Shkup, në kohën sa zhvillohej Samiti “BE – Ballkani Perëndimor”.

‘Integrimi’ dhe ‘Dialogu’ janë procese të ndërlidhura sipas pikës 2 të Aneksit të Ohrit [18 mars 2023] për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit [27 shkurt 2023] e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në pikën 2 të Aneksit të Ohrit.

Zhbërja e pikës 2 të Marrëveshjes së Ohrit për Kosovën mund të ngjallte kërkesën e njëjtë të Serbisë, pra që të zhvlerësohet Kapitulli i 35-të i Dokumentit për Anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht nuk do të fillonte as kërkesa e datës 2 shkurt 2024 për kushtëzimin e anëtarësimit të saj.

GABIMI I DYFISHTË I KURTIT

Mungesa e një strategjie të qartë në dialogun e udhëhequr nga kryeministri Kurti ka sjellë gabimin e dyfishtë të palës kosovare, shkruan Demokracia.com.

Në njërën anë, Kurti ka ndërlidhur integrimin evropian me zbatimin e marrëveshjeve të kundërshtuara për një dakadë nga ai dhe subjekti i tij politik. Ndërsa, në anën tjetër, zhbërja e kushtëzimit nga Marrëveshja e Ohrit, siç po e kërkon tani Kurti, do të favorizojë edhe pozicionin e Serbisë, pasi e njëjta nuk do të duhej të normalizonte marrëdhëniet me Kosovës si kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/si-e-lidhi-kurti-pergjithmone-integrimin-evropian-me-themelimin-e-zajednices-vetemenaxhimin-per-serbet-dhe-statusin-e-kishes-ortodokse-serbe/

Të ngjashme