Lajme
Si e lidhi Kurti përgjithmonë integrimin evropian me themelimin e Zajednicës, vetëmenaxhimin për serbët dhe statusin e Kishës Ortodokse Serbe?
Demokracia
10:14 | 14 Shtator 2023

Share:

Rezultati i negociatave të Ohrit më 18 mars 2023, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka lidhur përgjithmonë fatin e anëtarësimit të Repubikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Kjo rrugë, që nga pranvera e këtij viti është e lidhur detyrimisht me zbatimin e rezultateve të dialogut Kosovë – Serbi. E pjesë e këtij rezultati janë edhe marrëveshjet që për shumë vite i kundërshtoi me demonstrata të dhunshme në rrugë e Kuvend nga tashmë pranuesi i tyre, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.

Në Marrëveshjen Bazë të Brukselit, që përbëhet nga 11 Nene, Kurti ka pranuar edhe dy nene jashtëzakonisht problematike. Çështjet që rregullohen përmes këtyre neneve, i kanë ndihmuar Kurtit që të rritet politikisht duke i kundërshtuar fuqishëm ato.

“Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”, janë themelet e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Por, me Aneksin e Ohrit, ato janë bërë pjesë e pandashme e rrugës së Kosovës për në Bashkimin Evropian. Suksesi i këtij anëtarësimi është i varur plotësisht nga niveli i zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Në pikën 2 të Aneksit të Ohrit thuhet se “palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

“2. Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”.

Por, cilat janë dy nenet ku bënë pjesë “Zajednica”, “Vetëmenaxhimi për serbët” dhe “Statusi i Kishës Ortodokse Serbe”?

Në Nenin 7 të Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt 2023), Kurti ka rënë dakord për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe që ta zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në pjesën e parë të këtij neni thuhet se “Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Ndërkaq, në pjesën e dytë të të njëjtit nen, thuhet se “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

“Zajednica” e kundërshtuar më së shumti nga Kurti, ka gjetur vend në Nenin 10 të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Në një nen të vetëm, Kurti ka pranuar që të zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë arritur në dialogun Kosovë – Serbi, e ku bënë pjesë edhe Zajednica / Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti ndërron, “Zajednicën” e pranon

“Neni 10 – Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”.

Për kryeministrin Kurti dhe partinë e tij, Vetëvendosjen, “Ta pranosh Zajednicën është serbofili”, “Zajednica e sjell Rusinë të Ura e Ibrit [në Mitrovicë]”, “Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës”, “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil”, “[Zajednica] Është një kthim i Serbisë, e cila do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm”, “Kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë fëmijët tanë luftën e kanë te dera”, “Zajednica e instaluar në Kosovë nuk do të mund të hiqet pa gjakderdhje të reja”. /Demokracia.com/

“Zajednicë për njohje” | Albin Kurti mundohet ta gjejë zgjidhjen e rëndë për Kosovën te “serbofilia”, “e keqja e Kosovës” dhe te “Rusia në Urën e Ibrit”

Të ngjashme