Lajme
Skandali me antibiotikë të kontaminuar| SHSKUK i jep sërish tender kompanisë që e dënoi me 17 mijë euro (DOKUMENT)
Demokracia
14:37 | 12 Korrik 2023

Share:

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka nënshkruar kontratë për “Furnizim me barna nga Lista Esenciale për nevojat e SHSKUK-së”. Kontrata për furnizim me barna nga Lista Esenciale është ndarë në disa lote dhe kap vlerën rreth 40 mijë euro. Megjithatë, ajo çka është e çuditshme në këtë kontratë është se SHSKUK i ka dhënë sërish tender kompanisë, të cilën e kishte gjobitur me mbi 17 mijë euro, pasi nuk i kishte dërguar me kohë barnat për të cilat ishte kontraktuar nga ky institucion.

Lotin 7 dhe lotin 15 nga kjo kontratë e ka fituar kompania “Liri-Med”, e njohur edhe për skandalin me antibiotikë të kontaminuar, që u gjet disa herë në QKUK.

Nga loti 7, kompania “Liri-Med” do të përfitojë 9 mijë e 476 euro. Ndërsa, nga loti 15, kjo kompani do të përfitojë 1 mijë e 874 euro, shkruan Demokracia.com.

Kompania e biznesmenit “Liri-Med” ishte dënuar disa herë me gjobë nga Shërbimi Spitalor i Kosovës vetëm gjatë muajve të fundit të vitit 2022. Kjo për arsye se kishte vonuar në dërgimin në Spitalet e Kosovës tri injeksione – atë të “Amiodarone”, “Fluphenazine”, “Midazolam”. Të gjitha këto medikamente janë barna esenciale.

Ndryshe, në janar të vitit 2022, një copë metali ishte gjetur brenda shishes së antibiotikut Cefriaxone në Klinikën e Kirurgjisë në QKUK.

Ky ilaç në QKUK ishte blerë nga kompania ‘Liri-Med’ përmes një kontrate mbi 311 mijë euro në nëntor të vitit 2021.

Antibiotiku është prodhim nga India i kompanisë ‘Syner Medico’.

Inspektorati Farmaceutik pasi kishte dalë në inspektim në QKUK kishte konstatuar se antibiotiku ishte i kontaminuar.

Gjatë këtij inspektimi ishte bërë edhe bllokimi i stokut të këtij ilaçi në Barnatoren Qendrore të QKUK-së.

“Stokun aktual në Barnatoren Qendrore, Inspektorati Farmaceutik e ka pezulluar (karantinuar). Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Inspektorati Farmaceutik ka urdhëruar pezullimin e produktit medicinal në fjalë nga personi përgjegjës i Barnatores Qendrore dhe i njëjti është urdhëruar po ashtu që të bëj pezullimin në të gjitha njësitë kërkuese që varen nga Barnatorja Qendrore e SHSKUK/QKUK”, ishte deklaruar MSH-ja, bazuar në raportin e Inspektoratit.

Me leje të Ministrisë së Shëndetësisë, inspektorati kishte urdhëruar kompaninë ‘Liri-Med’ që të pezullojë gjithë sasinë e këtij produkti në institucionet që i ka shpërndarë. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

Skandaloze: Stafi i QKUK-së gjen metal në antibiotikun e terapisë së pacientit

Në ampulat e antibiotikut u gjetën copëza metali, flet drejtori i ShSKUK-së

Të ngjashme