Lajme
Si e rriti Albin Kurti vlerën e “dinarit” serb dhe e bëri lajm ndërkombëtar?
Demokracia
20:33 | 05 Shkurt 2024

Share:

“Dinari” i Serbisë ka përfituar reklamë ndërkombëtare pa pagesë. Shkak është bërë Qeveria Kurti dhe rregullorja e re e BQK-së, e cila rregullon çështjen e kufizimit të përdorimit të valutave të huaja, përfshirë dinarin.

Dinari, një valutë e paqëndrueshme dhe me pak vlerë (1 euro =117 dinarë), u bë temë në SHBA e Bashkimin Evropian, shkruan Demokracia.com.

Ambasadorët e QUINT-it ishin sot në zyrën e Albin Kurtit. Pas këtij takimi, ambasadori amerikan në Prishtinë tha se çështja e dinarit mund të ndikojë në cilësinë e marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

Jeffrey Hovenier ka kërkuar edhe një herë shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për heqjen e dinarit serb nga përdorimi në vend.

Hovenier pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se mënyra sesi Qeveria do t’i përgjigjet kërkesës së SHBA-së “do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”.

“Unë vetëm mund ta përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta shohin. Ajo që shpresojmë ta shohim është një shtyrje e zbatimit të kësaj rregulloreje deri sa të punohet më shumë për hartimin e një plani dhe një strategjie, dispozita që faktorizojnë disa realitete, shqetësimet e komunitetit, por edhe disa praktike”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha se beson fuqishëm se nuk ka informacion të mjaftueshëm publik për t’i shpjeguar disa çështje në lidhje me rregulloren e re të BQK-së. Ai tha se SHBA-ja e respekton, mbështet dhe mirëpret zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe rolin e Bankës Qendrore në “rregullimin e sektorit financiar”.

Ambasadori amerikan tha se e la qeverinë ta shqyrtojë se “deri në çfarë mase është e gatshme të rishqyrtojë sesi do ta zbatojë këtë rregullore”.

“Unë mund të flas vetëm për atë që kërkojnë Shtetet e Bashkuara, që është një shtyrje”, tha Hovenier, duke shpresuar që tranzicioni i prezantuar nga Qeveria “t’i marrë parasysh këto shqetësime”.

“Gjithçka që mund të them është se ne do të shpresonim që qeveria të bashkëpunojë me ne për këtë. Kjo është ajo lloj gjëje që ne kërkojmë në partneritet dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve”, tha Hovenier.

“Do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”, theksoi në fund ambasadori amerikan.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë deri sa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm sesi do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, thuhet në një përgjigje të Departmetit Amerikan të Shtetit për Zërin e Amerikës.

Lexo edhe: 

Kurti rrezikon marrëdhëniet Kosovë-ShBA | Hovenier: I kërkova Kurtit shtyrjen e zbatimit të vendimit për dinarin, kjo do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë

DASH tha se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë sesi do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, thuhet në përgjigjen e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke nënvizuar se qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme.

“Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Vendimi që hyri në fuqi më 1 shkurt nënkupton heqjen nga përdorimi të dinarit të Serbisë, që ende përdoret në zonat e banuara me shumicë serbe, posaçërisht në veriun e Kosovës.

Rregullorja ka nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilët vlerësojnë se ky vendim rrezikon mbijetesën e komunitetit serb, por edhe shqetësimet e diplomatëve perëndimorë se ajo mund të nxisë tensione të reja.

Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregullores do të bëhet përmes një periudhe kalimtare të lehtësuar, por pa dhënë hollësi për afatin kohor.

“Pra, ne shpresojmë se qeveria do të gjejë një mënyrë për të realizuar atë që është thënë nga zëvendëskryeministri Bislimi, që do të thotë të ketë një lloj periudhe kalimtare dhe në të cilën ka një ritëm. Dhe disa njohje të sfidave në vend përpara se të zbatohet plotësisht”, tha ambasadori Hovenier, duke nënvizuar se një pjesë e qytetarëve serbë do të përballen me shumë sfida në përfitimet që i marrin.

“Unë mendoj se njerëzit do të ndihen të shkëputur nga një përfitim ku ata mbështeten. Askush nuk e dëshiron këtë. Ne jemi të shqetësuar për individët dhe jetën e tyre”, tha ambasadori amerikan.

Edhe Bashkimi Evropian i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë mjaftueshëm të gjatë kalimtare për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore, e cila përcakton se euroja është monedha e vetme që mund të përdoret për pagesa.

Bashkimi Evropian dhe diplomatët në Prishtinë pajtohen që rregullorja “synon të rrisë transparencën financiare, të sigurojë qëndrueshmërinë financiare dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave”, por kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit “deri sa të zgjidhen çështjet që sigurojnë se askush nuk do të dëmtohet”.

Lexo edhe:

DASH për çështjen e dinarit: Veprim i njëanshëm, i kufizon mundësitë e ShBA’së si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Lidhur me dinarin kanë reaguar edhe shtete të fuqishme, si Gjermania e Franca. /Demokracia.com/

Franca kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të BQK-së për dinarin serb

Të ngjashme