Lajme
Kurti rrezikon marrëdhëniet Kosovë-ShBA | Hovenier: I kërkova Kurtit shtyrjen e zbatimit të vendimit për dinarin, kjo do të ndikojë në cilësinë e partneritetit tonë
Demokracia
12:50 | 05 Shkurt 2024

Share:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka kërkuar edhe njëherë shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për heqjen e dinarit serb nga përdorimi në vend.

Hovenier pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se mënyra se si Qeveria do t’i përgjigjet kërkesës së SHBA-së “do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”.

“Unë vetëm mund ta përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta shohin. Ajo që shpresojmë ta shohim është një shtyrje e zbatimit të kësaj rregulloreje derisa të punohet më shumë për hartimin e një plani dhe një strategjie, dispozita që faktorizojnë disa realitete, shqetësimet e komunitetit por edhe disa praktike”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha se beson fuqishëm se nuk ka informacion të mjaftueshëm publik për t’i shpjeguar disa çështje në lidhje me rregulloren e re të BQK-së. Ai tha se SHBA-ja e respekton, mbështet dhe mirëpret zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe rolin e Bankës Qendrore në “rregullimin e sektorit financiar”.

Ambasadori amerikan tha se e la qeverinë ta shqyrtojë se “deri në çfarë mase është e gatshme të rishqyrtojë se si do ta zbatojë këtë rregullore”.

“Unë mund të flas vetëm për atë që kërkojnë Shtetet e Bashkuara, që është një shtyrje”, tha Hovenier, duke shpresuar që tranzicioni i prezantuar nga Qeveria “t’i marrë parasysh këto shqetësime”.

“Gjithçka që mund të them është se ne do të shpresonim që qeveria të bashkëpunojë me ne për këtë. Kjo është ajo lloj gjëje që ne kërkojmë në partneritet dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve”, tha Hovenier.

“Do të ketë ndikim në cilësinë e partneritetit tonë”, theksoi në fund ambasadori.

Të ngjashme