Lajme
Si e humbi Kurti njohjen nga Serbia? | Kurti zhvlerësoi dialogun, nga kërkesa ndërkombëtare për njohje ai kaloi në diskutime për çështje të brendshme të Kosovës
Demokracia
14:42 | 11 Shtator 2023

Share:

Këmbëngulja e kryeministrit Albin Kurti për të mbajtur zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës edhe përkundër bojkotit të serbëve që përbëjnë shumicën atje, po rezulton e pamenduar mirë.

Rezultati i zgjedhjeve të 23 prillit dhe zbatimi i tij duke vendosur kryetarët shqiptarë në objektet komunale, e ka bërë pjesë të pandashme të diskutimeve në tryezën e dialogut me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Tashmë dialogu me Serbinë është i përqëndruar ekskluzivisht në tema për çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, siç është ndërprerja e mandatit të parakohshëm të katër kryetarëve dhe jo në orientimin e tij drejt njohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia.

Kjo mundësi është humbur nga Kurti në Marrëveshjen Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe me pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023). Zëvendësi i Kurtit në Qeveri, Besnik Bislimi, ka zbuluar për mediet serbe se në këto marrëveshje “nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”.

Bislimi për Marrëveshjen e Ohrit: S’ka njohje formale, lëshim i madh i Kosovës

PREMTIMI I SHKELUR PËR NJOHJE RECIPROKE NË QENDËR TË MARRËVESHJES

Kur erdhi në pushtet dhe u bë kryeministër, kundërshtari i madh i dialogut pa kushte me Serbinë, Albin Kurti, improvizoi se ky proces nuk është prioritet kryesor i tij. Ai fillimisht deklaronte se ky është prioriteti i 6 apo 7, por brenda një kohe të shkurtër ai u bë prioriteti numër 1.

Më 15 qershor 2021, Kurti u takua për herë të parë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ky takim u ndërmjetësua nga shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell dhe i dërguari tij, Mirosllav Lajçak.

Pas këtij takimi, “njohja reciproke” u përmend për herë të parë dhe zyrtarisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë takim, kryeministri Kurti kishte bërë një propozim 4 Pikësh. Në pikën e 3 të këtij propozimi, përmendej njohja e ndërsjelltë.

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, thuhej në propozimin e publikuar nga vetë Kurti, por që askush nuk e kishte marrë në shqyrtim.

Kjo ishte hera e parë që Kurti po ballafaqohej me një proces negociator. Kundërshtari i madh i negociatave, që negociatorët kosovarë i quante të paaftë për të çuar përpara propozimet e tyre, për herë të parë u përballë me injorimin dhe refuzimin.

“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, deklaronte Kurti.

Njohja reciproke, si kusht kryesor për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, u bë pjesë e pandashme e diskursit politik të kryeministrit Kurti gjatë vitit 2022 dhe fillimin e vitit 2023, shkruan Demokracia.com.

Gjatë një debati parlamentar për dialogun Kosovë – Serbi, kryeministri Kurti i kërkonte opozitës që të mos flasin për njohjen reciproke si diçka që do të vijë në fund të procesit, pasi ajo është në qendër.

“Një mënyrë shumë e qartë që të më ndihmoni është që të mos flisni për njohjen e ndërsjelltë me të cilën përfundon procesi, siç e tha njëri prej kryetarëve të partive opozitare apo siç e ka thënë tjetri ‘marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke. Kjo është shumë gabim. Ju ma dëmtoni mua pozicionin negociator me këso konstatimesh. Që prej vitit të kaluar, ka ndodhur një zhvendosje tektonike, në kuptimin diplomatik, në raportin tonë me Serbinë në bisedimet me Brukselin. Njohja reciproke është në qendër, jo në fund. Jo të përmbyllet procesi ose epilogu-njohja reciproke. Njohja reciproke është në qendër. Sepse, ka ndodhur zhvendosja prej kohës në hapësirë. Kjo është e para, tejet e rëndësishme është”, deklaronte Kurti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës më 25 shkurt 2022.

Edhe një vit më pas, Kurti deklaronte të njëjtin qëndrim.

“Duhet të normalizojmë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet me njohje të ndërsjellë, si pjesë qendrore. Kjo është thënë nga presidenti [amerikan, Joe] Biden nga Sekretari [amerikan i Shtetit, Antony] Blinken, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz, që njohja e ndërsjellë është pjesa thelbësore për normalizim të plotë të marrëdhënieve, për çka jemi duke punuar me shumë zell”, deklaronte Kurti më 1 mars 2023 në Forumin Ekonomik, që po mbahej në Shkup.

Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mund të bëhet me njohje të ndërsjellë

SI E HUMBI KURTI NJOHJEN E KOSOVËS NGA SERBIA?

Edhe pse shpeshherë Kurti përsëriste idenë për “njohje reciproke në qendër”, ai nganjëherë filloi të fliste edhe për mundësinë që Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij të parë në ShBA, në maj të vitit 2022, duke folur në Këshillin e Atlantikut, ai shtyu nevojën për njohjen nga Serbia, siç thoshte “nëse nuk është e mundur për momentin”.

Skandaloze| Albin Kurti shtyn nevojën për njohjen nga Serbia “nëse nuk është e mundur për momentin”

Njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetej edhe nga shtetet e fuqishme evropiane dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Biden i uron Serbisë Ditën e shtetësisë, ia përmend njohjen e Kosovës

Biden rithekson: Marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të jetë e përqendruar te njohja reciproke

Por, në urimin tjetër të përvjetorit të pavarësisë, atë më 17 shkurt 2023, në letrën e Sekretarit Amerikan, Blinken, nuk përmendet askund njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si rezultat i dialogut. Ai vetëm shkruante se është “i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”. Kjo letër, pa përmendjen e njohjes reciproke, kishte zgjuar reagimin e çuditshëm të Kurtit se “nuk e kam shkruar unë letrën”.

ShBA-ja s’përmend njohjen reciproke, Kurti reagon çuditshëm: S’e kam shkruar unë letrën

Qëndrimi i Kurtit për jodomosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga Serbia, u bë realitet me pranimin nga ana e tij të Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe me pjesën integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023).

Të tre drejtuesit shtetërorë, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, e kishin vlerësuar me gjuhë të përbashkët dhe nota të larta rezultatin e 27 shkurtit në Bruksel dhe 18 marsit në Ohër, duke e konsideruar atë si një sukses të jashtëzakonshëm, pasi “Serbia e ka njohur de-facto shtetin e Kosovës”.

Mashtrimi i madh i drejtuesve të shtetit | Bislimi nxjerrë zbuluar Kurtin, Osmanin e Konjufcën – Kosova ka pranuar të mos njihet nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i rikthehet dialogut me Serbinë që nuk përmban më njohjen reciproke, por dialog të orientuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe de-përshkallëzim të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës, përmes largimit të kryetarëve shqiptarë nga drejtimi i këtyre komunave. /Demokracia.com/

Të ngjashme