Lajme
Mashtrimi i madh i drejtuesve të shtetit | Bislimi nxjerrë zbuluar Kurtin, Osmanin e Konjufcën – Kosova ka pranuar të mos njihet nga Serbia
Demokracia
15:00 | 09 Shtator 2023

Share:

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka dhënë përgjigjen përfundimtare çështjes së njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas Marrëveshjes Bazë të Brukselit (27 shkurt 2023) dhe pjesës integrale të saj, Aneksin e Ohrit (18 mars 2023), të cilat u pranuan nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti.

Me këto marrëveshje, sipas zëvendësit të Kurtit, “nuk ka njohje formale [të Kosovës nga Serbia] dhe ky ishte lëshim i madh i Kosovës”, shkruan Demokracia.com.

“Serbia u pajtua me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa është tani. Me marrëveshjen bazë (27 shkurt), Serbia u pajtua që ta trajtojë Kosovën si një anëtare sovrane të barabartë, të njohë integritetin tonë territorial, të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës”, bëri të ditur Bislimi gati 6 muaj pas pranimit të kësaj marrëveshjeje nga Kurti.

Deklarata e plotë: https://demokracia.com/bislimi-per-marreveshjen-e-ohrit-ska-njohje-formale-leshim-i-madh-i-kosoves

Kjo deklaratë e Bislimit nxjerrë zbuluar mashtrimin e madh të drejtuesve shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Të tre drejtuesit shtetërorë e kanë vlerësuar me gjuhë të përbashkët dhe nota të larta rezultatin e 27 shkurtit në Bruksel dhe 18 marsit në Ohër, duke e konsideruar atë si një sukses të jashtëzakonshëm, pasi “Serbia e ka njohur de-facto shtetin e Kosovës”.

“Kjo është njohje de-facto në mes Kosovës e Serbisë. Sot mund të themi që e kemi edhe aneksin e zbatimit përcjellës, por i ikën nënshkrimit të marrëveshjes bazë dhe i ikën edhe nënshkrimit të aneksit”, është shprehur Kurti, në natën e 18 marsit 2023.

Edhe presidentja Vjosa Osmani e kishte vlerësuar si njohje de-facto nga Serbia të marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit.

“Mendoj që të gjitha përpjekjet, i gjithë presioni, angazhimi i komunitetit ndërkombëtar duhet të jetë pikërisht te [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiqi që ato për të cilat ai është dakorduar, që në esencë përbëjnë njohje de facto të Kosovës – sepse kur ja njeh dikujt sovranitetin, kur e njeh si të barabartë në relacionet ndërshtetërore, kur ja njeh dikujt integritetin territorial, këto janë elementet shtetërore të shtetësisë. E vetmja që mungon është një letër njohjeje të cilën nuk e ka nënshkruar”, kishte thënë Osmani.

Në një linjë me kryeministrin dhe presidenten ishte deklaruar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

“Sipas mendimit tim, njohja De-Facto është kur një shtet tjetër pajtohet që ti ekziston absolutisht si shtet i pavarur, që e merr zotimin mos me t’u përzi në asnjë prej punëve tua të brendshme, mos me t’u përzi askund në arenën ndërkombëtare, që me t’i njoftë krejt çka prodhon ti, krejt dokumentet, prej pasaportës, doganave, mallrave, gjithçka që prodhon Republika e Kosovës me logo të saj, pa kurrfarë fusnote, plotësisht të barabarta si shtete”, thoshte Konjufca.

Demokracia.com prej disa ditësh është duke raportuar lidhur me qëndrimet kontradiktore të vetë drejtuesve shtetërorë. Një i tillë ishte nga presidentja Osmani, e cila nga Tirana kërkonte që dialogu Kosovë – Serbi ta përmbajë njohjen reciproke ndërshtetërore, por “harronte” se në marsin e këtij viti ajo kishte përshëndetur Marrëveshjen Bazë të 27 Shkurtit në Bruksel dhe Aneksin në Ohër, Kurti – Vuçiq, që nuk e përmban këtë njohje.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/osmani-permend-domosdoshmerine-e-njohjes-reciproke-por-harron-qe-mbeshteti-marreveshjen-kurti-vuciq-qe-ia-lejon-serbise-te-mos-e-njoh-kosoven/

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mes të shtatorit do t’i rikthehet dialogut me Serbinë që s’ka njohje reciproke, por që e gjithë vëmendja është përqendruar në themelimin e Zajednicës.

Lexo më shumë: https://demokracia.com/kurti-i-rikthehet-dialogut-me-serbine-qe-ska-njohje-reciproke-por-themelim-te-zajednices-dhe-vetemenaxhim-per-serbet/

Edhe kryeparlamentari Konjufca, gjatë një intervistë të dhënë më 5 shtator 2023, ka thënë hapur se kushdo që e merr ta bëjë Asociacionin pa kurrfarë njohje nga Serbia është tradhti, duke nxjerrë veten në kontradiktë të madhe, pasi njëra nga njohjet (de-facto) sipas tij ishte arritur qysh me planin franko-gjerman. /Demokracia.com/

Lexo më shumë: https://demokracia.com/zajednice-per-njohje-albin-kurti-mundohet-ta-gjeje-zgjidhjen-e-rende-per-kosoven-te-serbofilia-e-keqja-e-kosoves-dhe-te-rusia-ne-uren/

Të ngjashme