Lajme
ShBA-ja s’përmend njohjen reciproke, Kurti reagon çuditshëm: S’e kam shkruar unë letrën
Demokracia
15:09 | 15 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë një reagim interesant për letrën që sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken i nisi presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Shefi i Qeverisë dha një fakt që veçse dihej, duke thënë se “nuk e ka shkruar ai letrën”.

Kryeministri Kurti në një prononcim para gazetarëve, ka thënë se “nuk e ka lexuar atë letër dhe natyrisht, nuk e ka shkruar ai”.

Në letrën e Blinken nuk përmendet njohja reciproke mes dy vendeve, por Kurti beson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerë të Kosovës, edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar unë,prandaj besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesor në shtetndërtimin tonë demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke.Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke por ajo është në qendër.” – ka thënë ai, siç citohet nga Ekonomia Online.

Në letrën që tashmë është publikuar edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, Blinken thotë ShBA-të janë mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë për anëtarësim në BE.

“Përshëndeta angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.” – ka thënë ai.

Në fund, Blinken e ka bërë të qartë se si Kurti, ashtu edhe Vuçiqi, do të duhet të bëjnë kompromise të vështira.

“Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha.” –shtoi Blinken.

Letër dërgoi dhe Biden, por s’dihet nëse u përmend njohja reciproke

Urimi që presidenti amerikan, Joe Biden, i ka nisur të martën Vuçiqit për ditën e Shtetësisë, nuk është publikuar i plotë nga presidenca serbe.

Por nga mediat serbe, u raportua se nuk është përmendur fare “njohja reciproke”.

Nëntë ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021 në Kosovë – kur Vetëvendosje do t’i fitonte 50.2 për qind të votave – presidenti amerikan Joe Biden do t’i dërgonte një letër urimi presidentit serb Vuçiq. Por, më shumë se Vuçiqi dhe serbët do të gëzoheshin shqiptarët e Kosovës.

Të ngjashme