Lajme
Bislimi për Marrëveshjen e Ohrit: S’ka njohje formale, lëshim i madh i Kosovës
Demokracia
13:04 | 09 Shtator 2023

Share:

 Zëvendëskryeministër i Kosovës, Besnik Bislimi, ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën serbe Danas.

Në këtë intervistë, ai është pyetur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, e cila u refuzua të nënshkruhej nga ana e Serbisë. Bislimi e ka pranuar se nuk ka njohje reciproke në këtë marrëveshje, duke e cilësuar një gjë të tillë si lëshim të madh.

“Serbia u pajtua me tekstin e Marrëveshjes dhe zbatimi i plotë i saj na çon në një situatë të re dhe më stabile se sa është tani. Me marrëveshjen bazë (27 shkurt), Serbia u pajtua që ta trajtojë Kosovën si një anëtare sovrane të barabartë, të njohë integritetin tonë territorial, të mbajë marrëdhënie normale si me të gjithë fqinjët e tjerë dhe të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne e kuptojmë se nuk ka njohje formale dhe ky ishte një lëshim i madh i Kosovës.”, tha ai.

“Vendime të tilla madhore duhet të merren nga liderë të guximshëm dhe shpresoj se lidershipi i Serbisë do të gjejë forcë për ta zbatuar Marrëveshjen Bazike në plotni. Kosova ka qenë e gatshme që në fillim dhe është ende, për të bërë pjesën e saj. Ne jemi të gatshëm të rishikojmë dhe përmirësojmë më tej strukturën institucionale për serbët e Kosovës brenda kornizës kushtetuese, por duhet të jetë e qartë se kjo është pjesë e juridiksionit të Kosovës, të cilën Serbia e njeh, e respekton dhe nuk kërkon ta minojë.”, tha ai më tej.

Të ngjashme