Lajme
“Shujta, banim, regjistrim në çerdhe falas” | Si i gënjeu Qeveria Kurti nxënësit, mësimdhënësit e prindërit?
Demokracia
16:49 | 07 Mars 2023

Share:

Qeveria Kurti në planprogramin e tyre qeverisës 2021-2024 zotohej për heqje të pagesës së çerdhes për disa kategori të caktuara të popullsisë, shujta falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të pesten. Madje, zotohej edhe për vendbanim falas për mësimdhënësit. Me këtë, kjo qeveri gënjeu nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

“Do të ofrojmë në gjithë vendin shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën”, “do të ofrojmë edhe banimin për mësimdhënësit, me kosto të përballueshme”, “ofrimi i kushteve preferenciale të pagesës ose heqja e pagesës për çerdhen e fëmijëve për kategori të caktuara të popullsisë”, ishin disa nga zotimet që Qeveria Kurti bënte përpara 51 për qindëshit më 2021-ën, shkruan Demokracia.com.

Përveç këtyre zotimeve, nga kjo qeveri premtonin edhe digjitalizim të shkollave. Tek pjesa e infrastrukturës, ata zotoheshin edhe për krijimin e bibliotekave, duke i pajisur me literaturë relevante.

“Me përmirësimin e cilësisë së teksteve të reja shkollore, do të avancojmë arsimin parauniversitar dhe do të fillojmë planifikimin për shkollat digjitale. Shkollat profesionale të mesme të larta do t’i ringjallim e modernizojmë me mjetet, kurrikulat, tekstet dhe materialet mësimore, profilet dhe veçanërisht me programin e praktikës”, zotohej në programin qeverisës me Kurtin në krye.

Qeveria Kurti zotohej që për katër vite të bënte revolucion në arsim. Ata synonin ta ndryshonin edhe formën e vlerësimit të nxënësve nga klasa e parë në të katërtën nga vlerësimi diferencial, në atë formativ. Për ta përforcuar tregun e punës, ata synonin t’i avanconin profilet e shkollave të mesme profesionale në përputhshmëri me atë çfarë kërkohet më së shumti, gjë që nuk u bë.

Gjithashtu, pushtetarët zotoheshin edhe për themelimin e fondit për hulumtime shkencore, gjë që e bënë, mirëpo ndan vetëm 0.7 për qind të buxhetit për të. Madje, nga MASHTI patën deklaruar se këtë fond e kishin shfrytëzuar fare pak, gati 0.1 për qind.

Për të diplomuarit vendorë, Qeveria Kurti në sektorin publik ka përgatitur një surprizë të këndshme për ta. Sipas një qarkore që kishte siguruar Demokracia.com, shtesat në sektorin publik, pas miratimit të Ligjit të Pagave do të marrin vetëm të diplomuarit në nivelin e dytë që kanë studiuar jashtë vendit. /Demokracia.com/

DOKUMENT| Qeveria Kurti i diskriminon të diplomuarit në UP, shtesa u jep vetëm atyre që e kanë kryer masterin jashtë vendit

Të ngjashme