Arte
Shfaqja ‘Totem dhe Tabu’ premierë në TKK
Demokracia
12:16 | 17 Maj 2021

Share:

Premiera e shfaqjes dans teatër “Totem dhe Tabu” do të jepet nesër, 18 maj, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Totem dhe Tabu”, është tandem eksperimental i dansit kontemporan dhe tekstit minimal që mundëson reflektimin e audiencës lidhur me çështjet e ngritura të cilat ngërthejnë jetën e tyre dhe mentalitetin kosovar.

Shfaqja ngrehë pikëpyetje për situata dhe shqetësime të mëdha shoqërore, trauma, ndikimin e pandemisë dhe hipokrizinë shoqërore por pa arritur në konkludime dhe me qëllim që të prekë në thellësinë e përjetimeve, emocioneve dhe ngjarjeve të cilat vijnë në formë imazhesh dhe monologjeve. Pyetjet, reflektimet, çështjet dhe temat që trajtohen mbeten të izoluara brenda “Kornizave” individuale dhe kolektive që janë Tabu për shoqërinë apo nuk arrijnë të depërtojnë në diskursin publik.

Në një kohë para dhe gjatë pandemisë personazhet adaptohen, ndryshojnë, evoluojnë por edhe ballafaqohen me frikat e tyre më të fshehta dhe të pa arsyetuara. Ato ngrenë kokë si pasojë e izolimit dhe shkaktojnë histeri, paranojë dhe reflektim lidhur me vrasjet, kanunin e traumën ndër gjenerata, si dhe përpjekjet e pandalshme për dashuri e paqe të brendëshme.

Gjetja e qetësisë dhe paqes pas stuhive të mëdha të ndërlidhura me dhunën emocionale, fizike dhe traumat e së kaluarës ndërthuren me traditat si Totem i bartur ndër gjenerata, të ndërlidhura me kanunet dhe zakonet që shpeshherë shtypin dhe promovojnë pabarazi dhe të cilat ende barten si mbetje të kaluarës në gjeneratat e reja të grave dhe burrave Kosovar.

Me koreograf Robert Nuhën dhe dramaturge Zana Hoxha në këtë shfaqje luajnë aktorët: Donikë Ahmeti, Qëndresa Kajtazi, Ismail Kasumi , Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Zhaneta Xhemajli dhe Blerta Gubetini. /Demokracia.com/

Të ngjashme