Auto&Tech
Shërbimi i ri Privacy Center në Facebook ju mëson se si të kontrolloni opsionet e privatësisë
Demokracia
18:06 | 09 Janar 2022

Share:

Facebook ka prezantuar një version të ri të Privacy Center, i cili ju ndihmon të mësoni më tepër rreth mënyrës se si të dhënat tuaja grumbullohen dhe përdoren dhe ju njeh me të gjitha kontrollet e privatësisë dhe sigurisë që gjenden në aplikacion.

Kompania tregon se ky version i Privacy Center është aktualisht në dispozicion të disa përdoruesve që e aksesojnë Facebook nga desktop, por që në muajt në vazhdim ajo do të shpërndahet drejt shumë përdoruesve të tjerë. Sipas detajeve që tregohen në postimin në blog, në Privacy Center do të gjenden 5 kategori për udhëzime dhe kontrolle që do t’ju lejojnë të menaxhoni opsionet e sigurisë, të vendosni se kush mund të shohë postimet tuaja, mënyrën se si Facebook grumbullon dhe përdor të dhënat dhe se cilat janë preferencat tuaja.

Është shumë mirë që tashmë përdoruesit kanë një vend të përgjithshëm për të gjitha kontrollet, në vend që ato të shpërndahen në disa vende të ndryshme. Ky projekt do të ndihmonte shumë përdorues të ruajnë preferencat e tyre, pasi për momentin opsionet e privatësisë në Facebook janë vendosur në një mënyrë jo intuitive.

Nëse ju mund ta aksesoni versionin e ri të Privacy Center, do ta gjeni atë në Settings > Privacy. Me kalimin e kohës do të shtohen gjithnjë e më tepër module dhe kontrolle për të përmirësuar sigurinë e përdoruesve.

Të ngjashme