Auto&Tech
Kompania pronare e TikTok-ut i thotë ShBA-së se nuk do ta shesë aplikacionin
Demokracia
09:29 | 26 Prill 2024

Share:

Kompania kineze që e ka në pronësi Tik-Tokun, “ByteDance”, ka thënë se nuk synon që ta shesë aplikacionin e famshëm, pasi Shtetet e Bashkuara miratuan një ligj për ta detyruar biznesin që ta shesë TikTok-un, në të kundërtën ai do të ndalet në ShBA.

“ByteDance nuk ka ndonjë plan për ta shitur TikTok-un” – shkroi kompania pronare në rrjetin social “Toutiao”, platformë sociale që gjithashtu e ka në pronësi, raporton televizioni BBC.

TikToku nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të BBC-së për koment. Sidoqoftë, më herët këtë javë, përfaqësues të këtij aplikacioni thanë se do ta sfidojnë në gjykatë atë ligj “antikushtetues”.

Deklarata e kompanisë “ByteDance” erdhi si reagim ndaj një artikulli të uebfaqes së industrisë së teknologjisë, “The Information”, se gjiganti kinez ishte duke e eksploruar potencialin për ta shituar operimin e TikTok-ut në ShBA pa algoritmin që e fuqizon atë.

“Raportimet e mediave të huaja për shitjen e TikTok-ut nga “ByteDance” nuk janë të vërteta” – tha kompania në deklaratën e saj, në të cilën u përfshi një pamje e artikullit dhe shkronjat kineze me kuptimin “thashetheme të rreme” mbi të.

Masa “shiteni ose ndalohet” u nënshkrua të mërkurën nga presidenti amerikan, Joe Biden, duke u shndërruar në ligj.

Kontrolli i ashpërsuar i Pekinit ndaj kompanive private ka ngritur shqetësime në ShBA dhe në shtete të tjera perëndimore për atë se sa ka kontroll Partia Komuniste e Kinës mbi kompaninë “ByteDance” dhe mbi të dhënat që ajo i mban.

TikToku në mënyrë të vazhdueshme i ka mohuar pretendimet se qeveria kineze ka kontroll mbi kompaninë “ByteDance”.

“Ne kemi besim dhe do të vazhdojmë që të luftojmë për të drejtat tona në gjykata” – tha këtë javë shefi i TikTokut, Shou Zi Chew.

Të ngjashme