Lajme
Shërbente si drejtoreshë gjatë mandatit të VV-së në Prishtinë | Kush është Blerta Zeqiri, që u zgjodh në krye të QKK-së?
Demokracia
18:29 | 18 Prill 2023

Share:

Blerta Zeqiri përgjatë të martës ka fituar mandat katër-vjeçar si drejtore e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK). Një gjë të tillë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zeqiri pas mandatit katër-vjeçar do të ketë edhe një herë të drejtë kandidimi për të njëjtin post, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Kurti e përshkroi Zeqirin, profesioni i së cilës është regjisore, si “një nga emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës”, derisa paralajmëroi edhe reforma në kinematografinë kosovare nëpërmjet saj.

“Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar”, deklaroi Kurti.

Kush është Blerta Zeqiri?

Zeqiri kishte shërbyer si drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës përgjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit, me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kur erdhi në këtë pozitë, Zeqiri përmendte ide dhe projekte të tjera, si dhe ndërrim mentaliteti për artin dhe artistët.

Megjithatë, reformat me Blertën nuk ndodhën pasi kjo e fundit dha dorëheqje për “arsye personale” nga posti i drejtoreshës.

E njëjta më vonë akuzohej nga paraardhësja e këtij posti, Vlora Dumoshi, për humbje të 800 mijë eurove dhe mos-realizim të projekteve madhore kulturore.

“Tani dëgjuam se u largua drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila për asgjë tjetër mund të mburret se i katandisi të gjitha projektet e planifikuara dhe i treti mbi 800 mijë euro nga projektet e parapara. Si ia kanë nisur dhe si po e vazhdojnë së shpejti, do të shkojnë të gjithë, e në vend që t’u themi puna e mbarë, Shpendit me ekipin e tij do t’i themi udha e mbarë”, thoshte Dumoshi.

Zeqiri u dekorua nga Franca me dekoratën kalorëse “Urdhri i Arteve dhe Letrave”. Kësaj dekorate i gëzohej kryeministri Kurti, i cili edhe merrte pjesë në këtë ceremoni përgjatë kohës sa ishte në opozitë.

View this post on Instagram

 

A post shared by Albin Kurti (@albinkurti_)

Ajo në testin me shkrim u radhit e dyta, me 88.7 pikë.

Testimi me shkrim është mbajtur më 3 prill, ku Lum Çitaku doli i pari me 98 pikë, e dyta Blerta Zeqiri me 88.7, ndërsa Visar Krusha i treti me 79.9 pikë.

Edhe në intervistën me gojë, Lum Çitaku u vlerësua më së shumti nga KD i QKK-së. Ai mori 99 pikë, Zeqiri 87. 35, kurse Krusha 84.45 pikë. /Demokracia.com/

Të ngjashme