Lajme
DOKUMENTE | Afro dy vjet në gjykatë me ankesa, ministria e Sveçlës me “qykë” të zorit e jep tenderin për targa pasi e kursen OSHP-ja
Demokracia
12:30 | 25 Maj 2024

Share:

Një vit e gjysmë i është dashur Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, që të realizoi një tender për targat, shkruan Demokracia.com.

Pasi u shoshiti së shqyrtuari tenderin për targa disa herë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) vendosi që vendimin për targat ta lë ashtu siç ngulte këmbë ministria e Sveçlës, nga dita e parë, që të shpërblente me kontratë konzorciumin e kompanive “G.S.G” shpk “Kig ddd” në vlerë totale të ofertës 2,144,204.00 euro. OSHP-ja i quajti ‘devijime të vogla’ vendimet e kunderligjshme lidhur me këtë tender që do të ketë validitet për tri vite.

“Ndërsa, lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 10 dhe 11 të LPP, sa i përket qasjes në dokumente publike, AK nuk ka vepruar konform këtyre neneve, andaj Paneli shqyrtues ju bënë me dije ZPP të AK, se nëse në të ardhëm evidentohet një shkelje e tillë, atëherë OSHP do t’i drejtohet KRPP me një kërkesë për revokim të certifikatës konform nenit 25, paragrafit 8 dhe 9 të LPP. Dhe mbi bazën e kësaj, paneli ka vendos që ankesa të kualifikohet si pjesërisht e bazuar dhe t’i kthehet tarifa e ankesës”. Paneli OSHP-së, ndonëse këtë e quajti shkelje, ka shkruar se më e rëndësishme është oferta, pasi sipas tyre, kompania ankuese edhe pse e përgjegjshme ka pasur çmim më të shtrenjtë.

Pra, OSHP-ja vendosi që  të  kursej shefin e prokurimit kë të  herë, i cili nuk lejojë  qasje në  disa dokumente të  kompanive fituese për ofertuesit. Vendosi që shefi të sanksionet njëherë  tjetër nëse e përsërit të njëjtin akt.

Një vit e gjysmë për tender

Më 9 dhjetor të vitit 2022 ishte hapur thirrja për “Furnizim me targa për regjimin e automjeteve”, për të cilin ishte vendosur një shumë prej 2.6 milionë eurosh. Që nga ajo kohë e deri më sot, kontrata nuk ka mundur të lidhet, ndonëse ministria ka rekomanduar për kontratë një kompani, ku kanë garuar disa kompani.

Me këtë tender, MPB-ja planifikon të blejë mbi 320 mijë palë targa të ndryshme, ku mbi 280 mijë janë targa automjetesh, 3 mijë për institucionet qendrore, 500 për komunat, 600 për ambasadat, 200 për veturat e sistemit të drejtësisë, etj. Vetëm për FSK-në janë paraparë 500 targa.

Në fillim të 2023-ës, ministria e Sveçlës ka hapur ofertat dhe pas vlerësimit e ka anuluar në tërësi tenderin, duke konsideruar që nuk ka operatorë të përgjegjshëm. Me këtë vendim nuk janë pajtuar kompanitë, të cilat janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e ministrisë kur ka vendosur ta anulojë procedurën në tërësi, andaj ka urdhëruar që lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Më 27 shtator 2023, MPB-ja eliminoi të gjitha ofertat dhe ndryshe nga hera e parë, tash konsideroi që një ofertë i plotëson kushtet, anise ishte më e shtrenjtë se disa të tjera. Bëhet fjalë për konzorciumin “Ego Elsa” sh.p.k me partnerin maqedonas “Rade Koncar” nga Shkupi, me një ofertë prej mbi 2.3 milionë eurosh.

Më pas, bazuar në dokumentet e ngarkuara në OSHP që i ka parë Demokracia.com, me vendimin  e ministrisë që të shpallet fitues konzorciumi i lartshënuar nuk janë pajtuar disa kompani garuese, andaj menjëherë kanë bërë kërkesë për rishqyrtim. Por, ministria ua ka refuzuar kërkesën dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas ato për të dytën herë janë drejtuar në OSHP. Ky institucion e ka autorizuar ekspertin e vet për t’i shoshitur provat, por akoma nuk ka nxjerrë një raport.

Njëri prej ankueseve ka shkruar se me vendimin e tillë të AK (MPB-së) dëmtohet buxheti i Kosovës për më shumë se 200,000.00 euro dhe rrjedhimisht shkelet haptazi dhe me dashje kjo dispozitë ligjore.

Ai madje e ka akuzuar edhe shefin e prokurimit. Sipas ankuesit, UD i Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit në MPB, Agim Islami, “ka marrë vendim për dhënie të kontratës në kundërshtim flagrant të procedurave”.

Kjo, sipas ankuesit, është pasi që ai vetë, personalisht, ka vlerësuar tenderin “dhe duke nxjerr vendim arbitrar për të shpallur fitues një OE për të cilin është e faktuar se është i papërgjegjshëm dhe gjithashtu është me i shtrenjtë se oferta jonë për mbi 200,000.00 euro”.

“I njëjti (Agim Islami) de-facto ka shërbyer si anëtar i komisionit vlerësues dhe atë si “anëtar i vetëm”, duke injoruar rekomandimin e Komisionit Vlerësues, ashtu që ka bërë vlerësim dhe ekzaminim të ofertave të Operatorëve Ekonomikë në kundërshtim me kompetencat që ka me Rregullore… dhe dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në ankesë, përcjell Demokracia.com.

Ankuesi në këtë dokument publik denoncon njeriun kryesor, aktualisht të tenderëve në MPB, për vepër penale.

“Ky tejkalim i kompetencave nga ana e zyrtarit përgjegjës përbën vepër penale të Keqpërdorimit të Detyrës Zyrtare, sepse ka tejkaluar kompetencat e tij për qëllim të caktuar që t’i sjell përfitim të paligjshëm një operatori ekonomik, i cili është i papërgjegjshëm dhe në anën tjetër ka për qëllim të na dëmtoj neve si Operator Ekonomik të përgjegjshëm dhe buxhetin e Republikës së Kosovës për një shumë prej mbi 200,000.00 Euro”, thuhet tutje në ankesë.

Në ankesën tjetër, kompania tjetër në garë pretendonte që MPB-ja kishte shkelur së paku tetë nene të Ligjit të Prokurimit.

Eksperti i ngarkuar i OSHP-së, më datë 08.12. 2023 ka shoshitur të gjitha provat dhe ka konstatuar se ministria e Sveçlës e ka shkelur ligjin kur ka rekomanduar për kontratë operatorët e lartcekur dhe ka rekomanduar Panelin që vendimi i ministrisë për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Më pas, panelit i janë dashur rreth tre muaj që të nxjerrë një vendim.

Në vendimin e panelit që është nxjerrë para pak ditëve, thuhet se “Aprovohen si të bazuara, ankesa e OE “TSR SHPK” ushtruar me datë 18.10.2023 dhe ankesa e OE “G.S.G SHPK” e ushtruar më datë 19.10.2023. Anulohet Vendimi i datës 28.09.2023 për dhënie të kontratës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në cilësinë e autoritetit kontraktues, kurse procesi i prokurimit publik “Furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve, kthehet në rivlerësim”.

Çka shkeli ministria sipas Panelit të OSHP-së?

Sipas OSHP-së, kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk kanë ofertuar materiale konform standardit të këkruar, gjë të cilën e ka vërtetuar edhe Agjencia e Forenzikës.

“Raporti i testimit i dorëzuar nga Ankuesi “TSR” nuk është sipas standardit ISO 7591 për Alumin 1050 H42 ose EN AW 1200 H42, kurse dëshmitë nga “Novelis” janë të pa-pranueshme, sepse nuk është laborator por është prodhues; Dhe 2) dëshmitë shtesë paraqitur pas hapjes së ofertave janë të papranueshme. Sipas ekspertit Raporti testues është në pajtim me standardin ISO 7591, meqë prodhuesi i shiritave të aluminit Novelis furnizon me alumin EN AW 1200 H42 dhe kompaninë EHA (anëtar i grupit të OE ankues). Nëse në Raport testues të mungon një detaj si në rastin konkret EN AW 1200 H42 nuk nënkupton se produkti nuk e plotëson kriterin dhe/ose nuk përbehet nga ky material. Ndërsa dëshmitë shtesë të paraqitura pas hapjes së ofertave, nuk kanë për qëllim zëvendësimin e një dokumenti, por sqarimin e të njëjtit, i cili tanimë ka ekzistuar. Sipas ekspertit, ankuesi ka të drejtë lidhur me pohimin e tij për qasje të kufizuar në dokumentet e GOE fitues, pasi ISO standardet dhe raportet e testimit kanë mundur t’i ofrohen ankuesit së paku në formë të spastruar sipas dispozitave të LPP. Andaj sipas ekspertit shqyrtues, pohimet e ankuesit si më sipër, janë të bazuara”, thuhet në një pikë ankimore të shqyrtuar nga Paneli, përcjell Demokracia.com.

Më poshtë është mendimi në tërësi i Panelit për këtë çështje, ku janë konstatuar gjetje shumë serioze:

Ky tender, i cili peshon 2.6 milionë euro ishte në OSHP në herën e parë për shkak se anulimi i tij ishte bërë kundërligjshëm dhe herën e dytë rekomandimi për kontratë ishte bërë kundërligjshëm. MPB-ja ka qenë e detyruar që të lidh një kontratë emergjente për shkak se vendi kishte mbetur pa targa.

Në fillim të muajit dhjetor 2023, prokurimi i MPB-së kishte lidhur kontratë me “G.S.G” SH.P.K, në një vlerë prej 273 mijë euro për furnizim emergjent me targa. Në këtë shumë hyjnë: 38, 800 copë targa të zakonshme të automjeteve 520×110 mm, 100 copë targa për rimorkio të automjetit 340×200 mm, 300 copë targa për makina bujqësore traktorë 340×200 mm, 800 copë targa për regjistrimin e motoçikletave 100×150 mm.

“Informatë/Vërejtje: Ky aktivitet i prokurimit do të anulohet / Kjo kontratë nuk do të nënshkruhet, në qoftë se para njoftimit për dhënie të kontratës marrim vendimin pozitiv nga OSHP për aktivitetin e njëjtë të prokurimit procedurë e hapur për furnizim me targa për regjistrim të automjeteve”, thuhet tek formulari i përshkrimit të çmimeve, dokument ky që është i ngarkuar tek ky proces i prokurimit.

Meqenëse Paneli i OSHP-së kishte kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim tek tenderi i hapur, MPB-ja ashtu edhe bëri. E shpalli fitues përsëri, “G.S.G” shpk “Kig ddd” në vlerë totale të ofertës 2,144,204.00 euro.

Me këtë vendim nuk u pajtua kompania “TSR”, duke pretenduar se u bënë shkeljet e njëjta. Ankesën ia hodhi poshtë ministria dhe lënda përfundoi përsëri në OSHP në mars të këtij viti. Ky institucion e urdhëroi ekspertin e vet që të shoshiste provat. Ai në fund të raportit ka shkruar se të gjitha çështjet janë gjykuar njëherë nga OSHP-ja dhe bëhet fjalë për çështje të gjykuara. Përfundimisht, Paneli i OSHP-së vendosi që ta lërë në fuqi vendimin e ministrisë për lidhje të kontratës me kompaninë “GSG”. /Demokracia.com/

Të ngjashme