Lajme
Në jug popullatë e moshuar, veriu drejt zbrazjes – Shifrat reflektojnë vështirësi të mëdha demografike për Shqipërinë
Demokracia
12:32 | 25 Maj 2024

Share:

Problemi demografik i Shqipërisë është i madh dhe i tillë do të mbetet për një kohë të pacaktuar, ku reflektimi i shifrave të lindshmërisë nuk pasqyron në horizont ndonjë shpresë përmirësimi në shtimin e popullsisë.

Lindshmëria tashmë është në nivele të ulëta rekord dhe bashkuar me një fenomen të ndjeshëm të emigrimit ndër vite, ka bërë që popullsia të mplaket shpejt dhe disa zona të shpopullohen masivisht.

Në bazë të një publikimi të fundit nga Instituti i Statistikave INSTAT, është Vlora qarku me numrin më të ulët të lindjeve, ku për 1 mijë banorë, lindshmëria është në kuotën 5.7. Ndjekin më pas Korça me 6.3 lindje për 1 mijë banorë, Fieri me 6.9 dhe Gjirokastra me 7.1.

Paradoksalisht, dy prej qarqeve me lindshmëri më të madhe janë edhe qarqet, të cilat ndoshta kanë hasur shpopullimin më masiv.

Fjala bie, “rekordin” – nëse mund të quhet i tillë – e ka Dibra me 9.6 lindje për 1 mijë banorë, ndjekur nga Kukësi me 9.3 dhe Lezha me 8.8.

Tirana, kryeqyteti i vendit, ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e popullsisë, ndalet në 8.8 lindje për 1 mijë banorë.

Megjithatë, pavarësisht se veriu ka lindshmëri më të madhe, aty rënia në vitet e fundit është gjithashtu më e thellë dhe kjo lidhet me emigracionin, pasi jugu i vendit e ka përjetuar këtë fenomen shpopullimi më herët dhe tashmë diçka të tillë po e përjetojnë edhe zonat veriore.

Duke krahasuar lindjet për 1 mijë banorë nga viti 2019 dhe 2023, shihet se qarqet e veriut kanë rënien më të shpejtë, duke sugjeruar se ky rajon përjetoi gjatë dekadës së fundit kulmin e emigrimit sidomos tek të rinjtë.

Kukësi si shembull konkret, në vetëm katër vjet, ka kaluar nga 14.4 lindje për 1 mijë banorë në 9.3.

Përtej faktit se numri i lindjeve gradualisht ka ardhur në rënie, janë vitet e fundit, ato të cilat po e shfaqin më dukshëm problemin real.

Gjatë vitit 2023, në tërësi kanë lindur në Shqipëri 22 mijë e 210 foshnja.

Kjo shifër shënon nivelin më të ulët të lindshmërisë që prej vitit të largët 1934, kur janë raportuar edhe të dhënat zyrtare vjetore. Madje, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka pasur më shumë lindje se ditët e sotme.

Në vitin 1942, pavarësisht se numri i grave në moshë riprodhimi ishte më i ulët se sot, kanë lindur mbi 36 mijë foshnja, pra 14 mijë më shumë se sa sot.

Në vitin 1950, numri i grave në moshë riprodhimi ishte pak më tepër se 259 mijë dhe lindjet në atë vit kanë qenë 47 mijë e 291.

Në ditët e sotme, numri i grave në moshë riprodhimi është thuajse trefishi i asaj periudhe, me 647 mijë syresh, por lindjet kanë kapur shifrën vjetore 22 mijë, ose gjysmën e vitit 1950.

Kësisoj, alarmi vijon të jetë real në Shqipëri për uljen e ndjeshme të popullatës, me një Cens ende të papublikuar mbi situatën reale demografike dhe me të dhëna se për shkak të mungesës së punëtorëve, detyrimi është ai për të marrë nga vendet e treta rreth 40 mijë vetë krah pune.

Të ngjashme