Lajme
Shala: Sistemi për konfiskimin e pasurisë është paradoksal, vendimet do të merren nga gjykatat që kritikohen nga Qeveria
Demokracia
21:26 | 15 Janar 2024

Share:

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se sistemi i konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme është paradoksal.

“Mirëpo, ky sistem tash është definitivisht paradoksal. Po flasim për një Qeveri që vazhdimisht, nuk e di që shkon muji që nuk e kritikon sistemin e drejtësisë; “Është i kapur”, “Është bërë aleat me opozitën”, qoftë gjykatën e rregullt, qoftë Gjykatën Kushtetuese. Ka pas deklarime deri në atë nivel që ka nxitur edhe vënien e grafiteve në rrugë për gjyqtarë dhe prokurorë me emra specifik, duke i shpallur tradhtarë, e të tjerë”, tha Shala.

Sipas tij, Byroja për konfiskimin e pasurisë do të bëjë vetëm propozime, ndërsa vendimet do të merren nga gjykatat, për të cilat Qeveria përmes deklaratave publike ka thënë që janë të ‘kapura’.

“Tash, ne thojmë që do ta themelojmë një Byro, nuk e di sa është përçu mjaftueshëm tek publiku, po kjo Byro do ta bëjë vetëm propozimin, vendimmarrjen do ta bëjë pikërisht qekjo gjykatë që këta po thojnë që është e kapur dhe se Vettingu do të na shpëtojë nga ky sistem i kapur dhe ne ende nuk e kemi Vettingun dhe ne presim që pikërisht nga ky sistem ‘i kapur’ që vetë Qeveria e konstaton si të tillë, të presim rezultate edhe sa i përket konfiskimit civil. Për këtë arsye, po them që është jashtëzakonisht e pakapshme”, tha hulumtuesi i lartë i IKD-së.

Ai tha se edhe gjatë procesit të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ka pasur një arrogancë të qeverisjes.

“Në anën tjetër, edhe gjatë këtij procesi ka pasur një arrogancë të qeverisjes, Për shembull, paramendo është shkurtu afati i konsultimeve publike prej një prej ligjeve kaq të rëndësishme siç është ky ligj. Në atë kohë e patëm publiku një punim lidhur me këtë ligj dhe nuk janë marrë parasysh komentet e IKD-së, por që fatmirësisht, kryetari i Kuvendit e pati dërgu projektligjin në Komisionin e Venecias dhe pothuajse të gjitha çështjet që janë ngritur më pastaj janë konfirmuar prej anës së Komisionit të Venecias”, tha Shala.

Shala tha se ideja e konfiskimit civili është të ndjekë pasurinë dhe jo kryerësin.

“Ideja e konfiskimit civil është se e ndjek pasurinë në njëfarë forme dhe jo kryerësin. Nëse e shohim se ku e ka gjenezën një sistem i tillë, e ka gjenezën në disa sisteme mirë të etabluara, ku sistemet paraprake të konfiskimit vetëm se i kanë dhënë mjaftueshëm rezultatet e veta dhe thjesht ky mozaiku i strukturës ligjore dhe institucionale është plotësuar me sistemin e konfiskimit civil dhe tash ne nuk mundemi me fol për këtë sistem në mënyrën qysh është ndërtuar në shtetet e zhvilluara, ku janë treguar të suksesshme mekanizmat e tjerë dhe të njëjtën arsyetim ta dhanë edhe në rastin e Kosovës”, tha ai.

Tutje, Shala shpjegoi dallimin në mes asaj që quhet konfiskim tradicional dhe konfiskim i avancuar në aspektin ligjor.

“Ne kemi mjaftueshëm dispozita lidhur me atë që quhet konfiskimi tradicional në procedurë penale për pasurinë e cila është derivat i veprës penale për një person që shpallet fajtor. Por, përtej kësaj kemi edhe konfiskimin e avancuar që për një sërë veprash që është sipas ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, për një sërë veprash, do të thotë në momentin që një person që shpallet fajtor pa marrë parasysh sanksionin penal, mund të iniciohet procedurë që është tipik e konfiskimit civil. Mirëpo, kjo i bie që për dallim prej këtij konfiskimit civil që po tentohet të bëhet, aty nuk shkojnë të gjithë personat, por shkojnë disa persona të cilët konsiderohet që është vërtetuar fajësia e tyre nga një proces penal dhe ka njëfarë baze se pse me fillu nga ai person”, tha Shala.

Të ngjashme